Nga Freskida Miloti
Temperaturat e larta dhe valët e të nxehtit nuk ndikojnë vetëm në komfortin e përditshëm, por mund të përbëjnë një stres të rëndësishëm për organizmin dhe veçanërisht për sistemin kardiovaskular. Dehidratimi, luhatjet e tensionit, çrregullimet e ritmit të zemrës dhe përkeqësimi i sëmundjeve kardiake janë disa nga problemet që mund të shfaqen më shpesh gjatë ditëve të nxehta të verës.
E ftuar në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, kardiologia Dr. Arsida Gjapi, me eksperiencë profesionale në Shqipëri dhe Gjermani, shpjegoi se çfarë ndodh me zemrën kur temperaturat rriten dhe cilat janë grupet që duhet të tregojnë më shumë kujdes.
Pse temperaturat e larta e sforcojnë zemrën?
Sipas kardiologes, kur temperaturat rriten, organizmi përpiqet të ulë temperaturën e trupit duke zgjeruar enët e gjakut. Në të njëjtën kohë, përmes djersitjes humbasim lëngje, duke krijuar një ngarkesë shtesë për sistemin kardiovaskular.
“Zemra detyrohet të rrahë më shpejt për të bërë të mundur furnizimin e organeve me gjak”, shpjegoi Dr. Gjapi, duke theksuar se hidratimi është një nga masat më të rëndësishme gjatë temperaturave të larta.
Megjithatë, ajo nënvizoi se pacientët me sëmundje të avancuara të zemrës nuk duhet të ndjekin një sasi të përcaktuar lëngjesh pa u këshilluar me mjekun, pasi edhe marrja e tepërt e tyre mund të shkaktojë mbingarkesë të organizmit dhe edemë pulmonare.
Kush është më i rrezikuar gjatë valëve të të nxehtit?
Grupet më vulnerabël janë personat mbi 65 vjeç, pacientët me hipertension, insuficiencë kardiake, sëmundje kronike të veshkave, diabet, sëmundje koronare të zemrës dhe ata që kanë kaluar një infarkt të miokardit.
Por sipas Dr. Gjapit, temperaturat ekstreme mund të krijojnë probleme edhe tek të rinjtë.
Kardiologia solli në vëmendje një rast nga përvoja e saj në urgjencë, ku një 25-vjeçar u paraqit me shenja që ngjanin me një infarkt miokardi, përfshirë shtrëngime të forta në gjoks, dhimbje, aritmi dhe vështirësi në frymëmarrje.
Pas ekzaminimeve, sipas saj, u konstatua se pacienti kishte kryer aktivitet fizik në orare me temperatura të larta dhe e kishte ekzagjeruar sforcimin fizik.
“Çdo aktivitet fizik është shumë i mirë për trupin, por duhet të dimë ku dhe si ta bëjmë”, u shpreh kardiologia.
Sporti në verë, cilat janë oraret më të sigurta?
Aktiviteti fizik mbetet një nga faktorët e rëndësishëm për shëndetin e zemrës, por gjatë verës duhet zgjedhur me kujdes edhe koha kur kryhet.
Ecja, noti dhe çiklizmi janë disa nga aktivitetet që mund të praktikohen, por Dr. Gjapi këshillon shmangien e orëve me temperaturat më të larta.
Sipas saj, aktiviteti fizik është më i përshtatshëm në orët e paradites, deri rreth orës 11:00, ose pas orës 18:00.
Ekspozimi i zgjatur në diell dhe sforcimi fizik në temperaturat e larta mund të krijojnë një stres të panevojshëm për zemrën.
Kujdes me kalimin nga dielli në ujin e ftohtë
Një nga paralajmërimet më të rëndësishme të kardiologes lidhet me një situatë të zakonshme gjatë pushimeve: qëndrimi për orë të tëra në diell dhe futja menjëherë në ujë të ftohtë.
Kur trupi ekspozohet ndaj temperaturave shumë të larta, enët e gjakut zgjerohen. Në momentin që personi futet menjëherë në ujë të ftohtë, ato ngushtohen në mënyrë të menjëhershme.
Ky ndryshim i fortë termik mund të rrisë nevojën e zemrës për oksigjen dhe, në raste të caktuara, të shkaktojë probleme serioze kardiovaskulare.
Dr. Gjapi tregoi edhe një rast të fundit nga Gjermania, ku një pacient 42-vjeçar, pasi kishte kaluar gjithë ditën në temperatura të larta në pishinë, u dërgua në urgjencë në arrest kardiak.
“E reanimuam, e intubuam, i bëmë edhe koronaren e zemrës dhe ai fatkeqësisht vdiq”, tregoi ajo.
Sipas kardiologes, pacienti nuk kishte marrë më parë medikamente për ndonjë problem të njohur kardiak.
“Ne nuk duhet të bëjmë lojëra me shëndetin tonë”, apeloi Dr. Gjapi.
Medikamentet nuk duhet të ndryshohen në mënyrë autonome
Një tjetër gabim i shpeshtë gjatë pushimeve është ndryshimi i dozave të medikamenteve pa u konsultuar me mjekun.
Pacientët që marrin terapi për tensionin e lartë, insuficiencën kardiake apo sëmundje të tjera kardiovaskulare nuk duhet të ndërpresin, ulin apo dyfishojnë dozat sipas matjeve të momentit.
Në disa raste, për shkak të dehidratimit dhe luhatjeve të tensionit, mjeku mund të vendosë ndryshimin e terapisë, por kjo duhet të bëhet vetëm pas një vlerësimi individual.
“Ndryshimi i dozave të medikamenteve duhet të bëhet nga mjeku i zemrës, mjeku kardiolog”, theksoi ajo.
Përpara nisjes me pushime, pacientët me sëmundje kronike duhet të sigurohen që gjendja e tyre është e stabilizuar, të marrin me vete të gjitha medikamentet dhe të dinë saktësisht mënyrën e përdorimit të tyre.
Kur tensioni i ulët duhet të na shqetësojë?
Një rënie e lehtë e tensionit gjatë temperaturave të larta mund të jetë një reagim fiziologjik i organizmit. Por situata bëhet shqetësuese kur hipotensioni shoqërohet me simptoma të tjera.
Marramendja, dobësia, dhimbja ose shtrëngimi në gjoks, vështirësia në frymëmarrje, mpirja e një ane të trupit dhe konfuzioni janë disa nga shenjat që nuk duhen neglizhuar.
Në këto raste, pacienti duhet të kërkojë ndihmë mjekësore dhe të mos përpiqet ta menaxhojë situatën vetë.
Tre gabimet që pacientët bëjnë gjatë pushimeve
Sipas Dr. Gjapit, ndër gabimet më të shpeshta janë ndryshimi i dozave të barnave në mënyrë autonome, neglizhimi i terapisë kur tensioni rezulton normal dhe dyfishimi i dozës kur tensioni rritet.
Një tjetër problem i rëndësishëm është dehidratimi, i cili mund të shkaktojë rënie të tensionit dhe simptoma si marramendje, shtrëngime në gjoks apo vështirësi në frymëmarrje.
Nëse shfaqen këto simptoma, pacienti nuk duhet të presë që ato të kalojnë vetë, por duhet t’i drejtohet qendrës shëndetësore më të afërt.
Mesazhi i kardiologes është i qartë: vera nuk duhet të shmanget, por duhet të përjetohet me kujdes, veçanërisht nga personat me probleme kardiovaskulare. Hidratimi, shmangia e temperaturave ekstreme, aktiviteti fizik në oraret e përshtatshme, monitorimi i tensionit dhe respektimi i terapisë së përshkruar nga mjeku janë disa nga masat që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut gjatë ditëve të nxehta.
“50% të punës e bën mjeku dhe 50% të punës e bën pacienti”, u shpreh Dr. Arsida Gjapi, duke vënë theksin tek edukimi dhe përgjegjësia e pacientit për shëndetin e tij.








