Dhëmbët

Çfarë ndodh me dhëmbët e fëmijëve nëse flenë me gojë hapur?

Flet Edison Guni

 Stomatolog

 

Freskida Miloti: Rëndësia e dhëmbëve të qumështit. Çfarë kujdesi duhet të kenë prindërit për fëmijët e tyre?

Edison Guni: Si çdo organ tjetër i trupit ashtu edhe goja dhe dhëmbët bashkë me indet e buta të tyre kanë rëndësinë e vet.

Kjo rëndësi vazhdon që në embrion, që në barkun e nënës. Krahas të gjithë vitaminave që mjeku gjinekolog jep, duhet të jetë e rëndësishme edhe fluori, edhe kalciumi, në doza të caktuara për vazhdimësinë dhe për ecurinë e dhëmbëve të përhershëm dhe të qumështit.

Me daljen e dhëmbëve atëherë vazhdon dhe kujdesi dhe shërbimi ndaj tyre.

Dy herë në ditë duhet të marrim një garzë dhe të masazhojmë dhe pastrojmë vetë ato dhëmbët e parë që kanë dalë tek fëmijët.

Pastaj me rritjen e fëmijës ne duhet t’i bëjmë si edukatë përdorimin e furçës.

Normalisht kur fëmija është i vogël nuk është në gjendje që ai të pastrojë vetë gojën.

Ne duhet t’i manipulojmë lehtë me një furçë të butë, në formë loje për t’i treguar që kjo është e rëndësishme për vazhdimësinë për kujdesin oral.

Pas daljes së dhëmbëve të parë të qumështit, fëmija do të vazhdojë dhe të ushqehet me ushqimin. Kështu që normalisht ne duhet të kemi si kritere kryesore mosushqimin me sheqerna, me produkte me bazë sheqeri apo me produkte shumë ngjitëse.

Freskida Miloti: Kur duhet të çojnë prindërit për herë të parë fëmijën e tyre tek mjeku stomatolog?

Edison Guni: Kjo është shumë e rëndësishme. Shpeshherë kujtojmë që dhëmbët e qumështit janë të parëndësishëm, por në të vërtetë ato janë shumë të rëndësishëm.

Një studimi fundit i Shoqatës Stomatologe Amerikane, tregon që fëmijët duhet t’i mësojmë me mjekun që në momentin kur del dhëmbi i parë.

Mirë është që brenda vitit të parë ne ta çojmë tek mjeku dhe t’i bëjmë një rutinë.

Seancat e para të jenë seancat psikologjike ose më saktë njohja me kabinetin dentar ose me pajisjet të cilat ne përdorim.

Thelbi kryesor është vajtja sa më herët tek mjeku dhe terapia psikologjike.

Mjekët profesionistë duhet të kenë disa kritere etike për pritjen e vogëlushëve të vegjël. Sapo të hyjë një fëmijë duhet se s’bën që mjeku të jetë i buzëqeshur, të jetë i ëmbël, të jetë i gëzuar që atij fëmije, ai t’i japë një gëzim dhe t’i heqë frikën.

Gjë tjetër kryesore është veshja. Nuk duhet të jetë një veshje rutinë, e cila personifikon një mjek me përparëse të bardhë apo me maskë, normalisht duhet të jetë një veshje me një kukull, me një karton ose me një buzëqeshje tek maska.

Në klinikë të jetë një monitor ku fëmija të shohë një film vizatimor.

Freskida Miloti:Cilat janë masat që duhet të marrë mjeku profesionist?

Edison Guni: Masat duhet të nisin që në shtëpi.

Me ardhjen në klinikë ne duhet të kemi parasysh ushqyerjen e dhëmbëve të qumështit dhe vazhdimësi nëpër dhëmbët e përhershëm më tej.

Është një profilaksi e cila vazhdon me fluorizimin e tyre. Mund të bëhet fare lehtë në kushte shtëpiake, ku me një furçë lyhet sipërfaqja e dhëmbit, lihet rreth 30 minuta dhe mund të shpëlahet me ujë.

Kjo duhet bërë rreth një ose dy herë në vit, por kjo realizohet mirë në klinikë.

Etapë tjetër e rëndësishme në klinikë është pastrimi i cipave ose gurëzave në qoftë se ka, me anë të instrumentit që ne mbartim në kabinet, por dhe lustrimi me furçe dhe me pastë e cila është dhe ajo me përmbajtje fluori.

Gjatë lustrimit në klinikë ne bëjmë të mundur heqjen e cipave dhe ushqyerjen e smaltit dhe krijimin e fortësisë së tij.

Freskida Miloti:Çfarë përbërje duhet të ketë pasta për fëmijë?

Edison Guni: Të gjitha pastat qoftë për të rritur qoftë për fëmijë, bazën e tyre kanë fluorin dhe komponimet e tij.

Prindi kur të shkojë në farmaci apo në supermarkete duhet të lexojë moshën në pastë, se kjo është e rëndësishme.

Freskida Miloti: Si menaxhohen sjelljet, veset e fëmijëve që dëmtojnë dhëmbët?

Edison Guni: Prindi në shtëpi duhet të shikojë me vëmendje situatën e fëmijës.

Mbajtja e gishtit në gojë është ndër veset më të shpeshta që ne hasim. Tjetër është marrja frymë me gojë, jo me hundë. Diçka tjetër është biberoni i mbajtur mbi moshën 3-vjeçare.

Në qoftë se fëmija e mban natën gishtin në gojë, prindi duhet se s’bën që të kontaktojë me mjekun stomatolog.

Prindi duhet ta shohë fëmijën gjatë natës se si merr frymë sepse ndoshta është një ves ose është ndonjë problem i kavitetit nazal.

Freskida Miloti:Çfarë shkakton kjo?

Edison Guni: Ajo shkakton një dëmtim të palatumit, të pjesës të qiellzës së gojës dhe moszhvillimin e nofullës së sipërme dhe prishjen e harmonisë së dy nofullave.

Freskida Miloti:Kur bien dhëmbët e qumështit?

Edison Guni: Rëndësia më kryesore e dhëmbëve të qumështit është se ato ruajnë vendin për dhëmbin e përhershëm që do të thotë, në qoftë se ne heqim një dhëmb të qumështit para kohe, dhëmbi i përhershëm mund të dalë në mënyra të ndryshme ose mund të mos dalë fare.

Rëndësi tjetër thelbësore ka zhvillimi i nofullave. Në qoftë se dhëmbët e qumështit ndërrohen në kohën dhe në momentin e duhur, ato i japin zhvillimin e duhur nofullave për dhëmbët e përhershëm.

Në të kundërt nofullat ngelen të pazhvilluara dhe prishet fizionomia e fytyrës po ashtu dhe funksioni i nofullës, struktura e saj.

Dhëmbët e qumështit nisin të dalin në moshën relativisht 6-mujore dhe ndërrohen dhe mbarojnë në moshën 12-vjeçare.

Freskida Miloti: Keni ndonjë këshillë të fundit për lexuesit tanë?

Edison Guni: Këshilloj që fëmijët t’i eliminojnë sa më shumë sheqernat, ushqimet fast (e shpejta), ushqimet e parafabrikuara që përkojnë me patatinat.