Bronkiti akut

Kujdesi që duhet të tregoni nga bronkiti akut

Dr. Silvana Sadria

Pneumologe

Freskida Miloti: Çfarë është bronkiti akut?

Silvana Sadria: Bronkiti akut është një inflamacion i bronkeve që karakterizohet me disa ndryshime si të përshkrueshmërisë së tyre, ndjeshmërisë dhe sekrecioneve.

Kryesisht preken bronket e mëdha dhe të mesme, por nuk përjashtohet edhe prekja e gjithë sistemit bronkial.

Freskida Miloti: Çfarë e shkakton?

Silvana Sadria: Kryesisht viruset.

Si adenoviruset, virusi i influencës, para influenca ose gripi i thënë në gjuhën e përditshme. Të dytët janë mikrobet: streptokoku, pneumokoku, stafilokoku, ndërkohë akuzohen edhe agjentë të tjerë, siç janë mykrat, faktorët fizikë apo kimikë, qoftë këto që irritojnë rrugët e frymëmarrjes, lëndët kimike, acide dhe faktorët alergjikë që janë bimore apo shtazorë, në varësi të profesioneve, të vendeve të punës, të agjentëve që qarkullojnë në ajër.

Freskida Miloti: Cilat janë simptomat?

Silvana Sadria: Ajo që i drejton tek mjeku është një kollë prej disa ditësh. Kanë irritim të mukozave të hundës, të bronkeve që çon deri në ngjirje zëri, temperaturë febrile apo sufebrile 37-38, ndonjëherë dhe pa temperaturë.

Freskida Miloti: Në cilat raste duhet bërë diagnostikim më i specifikuar edhe me rrezatimin X?

Silvana Sadria: Diagnoza është kryesisht e një anamneze të mirëfilltë.

Realizohet një ekzaminim objektiv ose dëgjimi me stetoskop me veshë, që në qoftë se ai ka prekur trakenë dhe bronket nuk do dëgjojmë gjë në mushkëri.

Ndërkohë mund të bëhet një analizë gjaku e cila në shumicën e rasteve jep një rritje të sedimentit, mund të ketë një leukocitozë të lehtë sidomos në rastet kur është komplikuar edhe me ndonjë mikrob patogjen dhe ajo del e rritur.

Nevoja për X-Ray lind në qoftë se pacienti ka kollë edhe pas 5 ditëve, sekrecionet bëhen me ngjyrë, temperatura nga subfebrile bëhet febrile.

Freskida Miloti: Kur kemi komplikacione?

Silvana Sadria: Në qoftë se kolla ka zgjatur mbi 4-5 ditë, sekrecionet janë bërë me ngjyrë, ndërhyrja e mjekut, ekzaminimi dhe diagnoza diferenciale bëhen të nevojshme.

Sepse mund të kemi fazën e një tuberkulozi, që nga një bronkit akut i thjeshtë ka kaluar në një fazë tjetër.

Ndërlikimi më kryesor i tyre është bronkopneumonia, ku gjithë pema bronkiale është kompromentuar.

Freskida Miloti: Mund të themi se disa pacientë duhen trajtuar në mënyrë më të veçantë për disa sëmundje që ata i kanë prej vitesh?

Silvana Sadria: Në kushtet e uljes së imunitetit, mikrobet që janë saprofit në organizmin tonë, kthehen në patogjenë.

Të sëmurët kardiakë, diabetikë, me sëmundje tumorale, moshat e treta duan një kujdes më të veçantë. Ndërlikimi i bronkitit akut ndërlikon të gjithë sëmundjet që pacienti aktualisht i ka.

Freskida Miloti: Cila është terapia më efikase në bazë të fazave të ndryshme të bronkitit?

Silvana Sadria: Nëse kemi shenja të pakta, mjaftohemi me një dietë të pasur me lëngje.

Lëngjet bëjnë të mundur daljen e sekrecioneve më lehtë. Një dietë e pasur me fibra.

Në varësi të simptomave që ka pacienti, shkon dhe mjekimi, i cili është simptomatik.

Në qoftë se pacienti ka sekrecione, ne përdorim preparate që shkojnë për zbutjen e sekrecioneve dhe daljen e tyre më lirshëm. Në rastet kur mund të ketë marrje fryme mund të përdorim dhe aminofilinat. Pacientët që janë alergjikë mund të përdorin antihistaminikët. Kujdes i veçantë duhet treguar tek antibiotikët.