Ekziston një lidhje midis konsumit të pijeve të sheqerosura, përfshirë dhe lëngjet e frutave, me rritjen e rrezikut të kancerit

Ekziston një lidhje midis konsumit të pijeve të sheqerosura, përfshirë dhe lëngjet e frutave, me rritjen e rrezikut të kancerit

Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në të gjithë botën me 9.6 milion vdekje në 2018, një shifër që pritet të dyfishohet në 2040. Mbipesha dhe diabeti janë konfirmuar si faktorë të rëndësishëm rreziku për shumë tipe të kancerit. Përveç kësaj, dietat e pasura me pije me një përmbajtje të lartë sheqeri, qofte sheqer i shtuar (pijet freskuese) apo i gjendur ne mënyrë natyrale (lëngjet e frutave) mund të kontribuojnë në një marrje të tepruar të kalorive dhe fruktozës, një sheqer i thjeshtë i gjendur në shumë bimë dhe fruta. Kalorite dhe fruktoza e tepruar shpesh rezultojnë në një rritje të masës dhjamore, rezistencës ndaj insulinës, stresin oksidativ dhe inflamacionit, i cili mund të nxisë zhvillimin dhe përparimin e kancerit. Gjithashtu, pijet që përmbajnë ëmbëlsues jo-kalorik, të njohura si pije “light” ose “zero sugar”, janë sugjeruar si të dëmshme pasi rrisin rrezikun e mbipeshës dhe diabetit.


Një meta-analizë e sapo botuar në revistën shkencore ‘The Nutrients” (https://www.mdpi.com/2072-6643/13/2/516), ka konfirmuar lidhjen midis një dietë të pasur me pije të sheqerosura, përfshirë dhe lëngjet e frutave, dhe rritjes së rrezikut të shfaqjes së kancerit. Ky studim është drejtuar nga Njësia e Nutricionit dhe Kancerit të Institutit Katalan të Onkologjisë (ICO) dhe Institutit të Kërkimit Biomjekësor Bellvitge (IDIBELL, Barcelonë, Spanjë) me lider të projektit, Dr Raul Zamora-Ros.
Pjesë e projektit ka qenë edhe kërkuesja shkencore me origjinë shqiptare, Fjorida Llaha (MSc). Studiuesja shqiptare tregon ekskluzivisht për portalin e “Diagnozë” se për të eksploruar rolin e pijeve të ndryshme në kancerogjenezë, studimi hetoi në veçanti lidhjet midis konsumimit të lloje të ndryshme të pijeve të sheqerosura (pije freskuese me sheqer, lëngje frutash dhe pije jo-kalorike ose “light”) dhe tipeve të ndryshme të kancerit.
Kjo meta-analizë ka analizuar rezultatet e 67 studimeve epidemiologjike të botuara deri në qershor të vitit 2020. Rezultatet tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis konsumit të lartë të pijeve freskuese me sheqer dhe rritjes së rrezikut të kancerit të gjirit, prostatës, kolorektal dhe pankreasit. Kur studiuesit analizuan lëngjet e frutave në veçanti, një rrezik në rritje u vu re gjithashtu për të njëjtat tipe të tumorit si për pijet freskuese me sheqer. Nga ana tjetër, konsumi i larte i pijeve “light” u shoqërua vetëm me një rrezik në rritje të kancerit të pankreasit.


Studiuesit që kanë marrë pjesë në këtë meta-analizë mbështesin rekomandimet më aktuale të World Cancer Research Fund (WCRF) për të kufizuar konsumin e pijeve të sheqerosura, si një masë parandaluese të kancerit. Prandaj, studiuesit këshillojnë zëvendësimin e pijeve të sheqerosura me ujë të pijshëm, si burimi kryesor për hidratimin e trupit. “Frutat ndryshe nga lëngjet e frutave përmbajnë fibër dhe fruktozë në gjendje “jo të lirë”, dhe nuk kanë të njëjtat efekte në organizëm si lëngjet e frutave. Prandaj, ne këshillojmë si zgjedhje parësore konsumin e frutit të plotë në vend të lëngjeve të frutave”, thekson Fjorida Llaha. Sipas studiuesve, kjo do të sigurojë konsumimin e duhur të lëndëve ushqimore dhe do të zvogëlojë marrjen e tepërt të sheqernave dhe kalorive boshe dhe për këtë arsye, do të ndihmojë në parandalimin e rrezikut të sëmundjeve kardiometabolike dhe kancerit.

Fjorida Llaha
Barcelonë, Spanjë