Kancer

Fazat e kancerit të gjirit

Fazat e kancerit të gjirit

Flet kirurgu onkolog Dr. Artan Bodeci

 

 Artan Bodeci: Është shumë bukur që ne të flasim për kancerin e gjirit sepse është një sëmundje që i prek të gjitha moshat. Është një sëmundje që nuk prek vetëm femrat, prek edhe meshkujt në një përqindje të vogël, por që është një përqindje që asnjëherë nuk mund të neglizhohet, as të injorohet.

Që të flasim për kancerin, e para thyejmë tabutë.

Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë, të gjitha modalitetet e trajtimit të të gjitha stadeve të kësaj sëmundje, qoftë të stadeve të hershme, qoftë të stadeve të avancuara, ku nëpërmjet bashkëpunimit ndërdisiplinor mund të arrijmë rezultate me të vërtetë konkurruese siç i kemi arritur deri më sot.

Freskida Miloti: Doktor, cilat janë shenjat e para që pacientet duhet t’ju drejtohen më pas tek ju?

Artan Bodeci: Kanceri i gjirit ka dy faza klinike. Njëra fazë që quhet faza infraklinike dhe faza tjetër që është faza klinike. Faza klinike pastaj ka stadin e hershëm të saj dhe stadet e avancuara.

Faza infraklinike është faza e suksesit në trajtimin e kësaj sëmundje. Ose e thënë për publikun e gjerë është ajo fazë ku gruaja nuk ka asnjë lloj shqetësimi, por është pikërisht mjeku i cili arrin t’ia zbulojë nëpërmjet metodave konvencionale, ekografisë, mamografisë.

Kjo është faza infraklinike, faza e suksesit maksimal dhe që lidhet pikërisht me aksiomën që kontrollet e hershme, kontrollet periodike janë çelësi i suksesit ndaj kancerit të gjirit.

Kurse faza klinike ka fazën e saj të hershme dhe fazat e saj të vonshme. Faza e hershme është ajo fazë kur gruaja kap një kokërr, të heshtur deri në ato momente, të padhimbshme, e fortë dhe pa elemente të tjerë shoqërues, e cila mund të jetë ose jo e shoqëruar edhe me gjëndra nën sqetull të zmadhuara.

Kurse në fazat e vonshme klinike janë ato faza ku masa është lënë për një kohë të gjatë në gji, ka filluar të japë shprehitë e veta klinike duke dhënë plagë në gji, në lëkurë, të cilat janë evidente duke dhënë retraksione ose tërheqje të lëkurës, duke dhënë fiksimin e vetë masës së gjirit me paretin e kraharorit, pra me murin e përparshëm të kraharorit apo duke dhënë një grumbull të madh gjëndrash të prekura në sqetull apo duke dhënë ënjtje të krahut dhe ënjtjen e vetë gjirit në formën më të avancuar që ne i themi karcinoma inflamatore në gjuhën tonë.

Freskida Miloti: Çfarë mund të na thoni mbi gamën e patologjive malinje të gjirit?

Artan Bodeci: Pyetje shumë e drejtë sepse jo vetëm kanceri i gjirit është sëmundja malinje që mund ta pushtojë gjirin te gratë, por ka edhe sëmundje të tjera të cilat janë dhe ato gjithashtu malinje.

Ndër to mund të përmend shkurtimisht cistosarkomat e gjirit, cistosarkomat fillodes, mund të përmend gjithashtu sarkomat e gjirit të cilat janë relativisht të rralla për popullatën tonë.

Asnjëherë nuk duhen neglizhuar dhe patologjitë e tjera malinje, siç mund të jetë dhe limfoma e gjirit, të cilat i kemi raste të rralla, raste sporadike në klinikën dhe në përvojën tonë, por që realisht janë patologji malinje të cilat e zënë gjirin.

Kuptohet që gamën më të madhe në patologjitë malinje të gjirit e zë kanceri i gjirit, me tipe histologjike të ndryshme në formën e adenokarcinomave, me origjinë nga kanalet e qumështit, me origjinë nga strukturat lobulare, format mikse, format modulare, format anaplazike të cilat realisht nuk është se vlejnë si informacion për popullatën, por vlejnë për personelin e mesëm dhe të lartë të kualifikuar të cilët merren përditë, siç merremi neve me këtë patologji dhe që arrin të bëjë diferencimin histologjik nëpërmjet ekzaminimeve anatomo-patologjike.

Freskida Miloti:Çfarë duhet të kuptojnë pacientet me karcinomë invazive dhe joinvazive?

Artan Bodeci: Ky është një koncept anatomo-patologjik. Karcinoma invazive dhe karcinoma joinvazive ka të bëjë me shkallën e infiltrimit qelizor të strukturave neoplazike të vetë qelizave malinje mbi strukturat vaskulare limfatike nervore të cilat kalojnë në fqinjësi me indin gjëndëror mamar.

Është shumë specifike për popullatën për t’u sqaruar, është për personelin e lartë mjekësor, për fushën e anatomisë patologjike dhe punën tonë të përditshme,por protokollet e trajtimit janë njësoj si për karcinomën invazive ashtu edhe për atë joinvazive.

Freskida Miloti: Po karcinoma ER pozitive çfarë është?

Artan Bodeci: Anatomia patologjike, histopatologjia ka bërë evolucione sinjifikative jo vetëm në kancerin e gjirit, por gati në të gjitha patologjitë malinje.

Imunohistokimia është ajo e cila ka krijuar një epërsi të madhe mbi vlerësimin histopatologjik superior të patologjisë, tanimë jo vetëm mbi llojin, nënllojin, tipin, nëntipin,po dhe mënyrën e mjekimit.

Ndjeshmëria ndaj receptorëve hormonalë jo vetëm estrogjen, por edhe progesteron ka të bëjë pikërisht me ndjeshmërinë që kanë celulat tumorale pikërisht ndaj këtyre hormoneve, pra duke vlerësuar shkallën e membranën qelizore të këtyre receptorëve hormonale, jo vetëm estrogjenit dhe progesteronit.

Ka edhe indekse të tjera mytotike siç është KI 67apo P53 të cilët vlerësojnë shkallën e agresivitetit qelizor të replikimit qelizor dhe që lidhen drejtpërdrejt mbi mënyrën dhe protokollin e trajtimit me kimioterapi,agresiviteti që duhet të bëjnë në mënyrën e trajtimit, ndjekjen periodike dhe elementet prognostike të së ardhmes. Pra janë të gjitha koncepte të cilat janë zhvilluar mbi evolucionin e histopatologjisë që është ajo që quhet sot imunohistokimi.

Freskida Miloti: Cilat mosha preken më shumë?

Artan Bodeci: Kanceri i gjirit i prek të gjitha moshat. Ne kemi raste eksepcionale, por edhe në mosha të reja afër të 20-tave.

Kurbën e vet të incidencës më të lartë e ka në moshën 40 deri në moshën 60 vjeç. Duhet thënë që ajo e cila të mbron nga kanceri i gjirit dhe kësaj po i mëshoj fort, nuk është fakti se çfarë moshe ke, por është fakti që çfarë respekti ke ti për veten dhe çfarë ndjekje i bën gjirit kur nuk ke gjë.

Freskida Miloti:Cilët janë shkaktarët?

Artan Bodeci: Etiologjia apo shkaktarët e kancerit dhe jo vetëm të gjirit, sot për sot në botë ende nuk njihen. Ajo e cila njihet është grupi i faktorëve të riskut. Faktorët e riskut janë faktorët të cilët e rrisin incidencën e kësaj popullate që e ka pikërisht këtë faktor për të shfaqur kancerin e gjirit.

Historia menstruale, një ardhje e hershme e menstruacioneve dhe një ikje e vonë e tyre, pra një diapazon kohor i gjerë i ciklit menstrual është një faktor risku pozitiv, ndryshe nga popullata tjetër që këtë faktor ose ardhjen e menstruacioneve e ka në një moshë më të vonë dhe ikjen në një moshë më të hershme.

Po kështu edhe historitë e lindjeve. Një primiparitet që është lindja për herë të parë e bërë para të 30-tave është një faktor risku negativ.

Kurse faktor risku pozitiv quhet kur primipariteti është pas të 30-ave apo aq më tepër nulipariteti, kur gruaja nuk ka lindur asnjë fëmijë. Si duhet të kuptohet kjo?

Nuk duhet të kuptohet nga popullata që të gjitha gratë dhe femrat duhet të lindin shpejt e shpejt fëmijë para të 30-tave për të shpëtuar nga kanceri i gjirit.

Faktorët e riskut janë faktorë analistikë të mjekut mbi subjektin që do ta vizitojë, për ta klasifikuar që është tek popullata e riskut apo jo.

Që të dijë se çfarë qëndrimi të mbajë.

Pyetet historia menstruale, pyetet historia e lindjeve, pyetet ka predispozitë familjare, a ka në pemën e vet gjenealogjike, në familjen e vet, në brezin e afërt,hallë, motër, teze, njerëz që kanë kaluar histori të gjirit, e me radhë.

Një jetë sedentare, një jetë joaktive, obeziteti, konsumimi i alkoolit, i duhanit, apo edhe i kontraceptivëve oralë, janë të gjithë faktorë risku pozitivë për një kancer gjiri.

Freskida Miloti: Cilat janë testet diagnostikuese?

Artan Bodeci: Autokontrolli është një element shumë i rëndësishëm. Mund ta kontrollojë gjirin sa herë që bën dush.

Autokontrolli për të evidentuar nga vetë gruaja diçka të re, që nuk shkon,është një element kyç.

Ndërkohë që kontrolli periodik te mjeku senolog çdo gjashtë muaj është i detyrueshëm. Kjo e kombinuar edhe me ekzaminimin ekografik në mosha para 35-40, sepse ekografia është një ekzaminim rutinë i gjirit, i ndjeshëm dhe që nuk e dëmton gjirin për shkak sepse nuk përdor rrezatimet, por ultratingullin si element të vet diagnostik.

Për ato grup popullatash që nuk kanë faktorë risku mund të fillojë ekzaminimi pas të 40-tave.

Ndërkohë që në popullatat e riskut mund të fillojë ekzaminimi me mamografi dhe pas të 35-ve, jo më shumë se njëherë në vit.

Freskida Miloti: Kancer i gjirit metastatik

Artan Bodeci: Koncepti mbi kancerin e gjirit ka ndryshuar në vitet 1970 falë një onkologu që quhet Fisher, i cili hodhi një ide të re që bëri një revolucion në opinionin mjekësor.

Fisheri hodhi një aksiomë për gjirin, që në çdo moment të diagnostikimit, kanceri i gjirit duhet konsideruar si një sëmundje metastatike.

Që do të thotë që kanceri i gjirit është një sëmundje multidisiplinale me një rol kyç të trajtimit kirurgjikal e kombinuar gjithnjë me kimioterapinë si mbretëresha e trajtimit, për të bërë frenimin sistemik të patologjisë apo edhe me rrezatimin për kontrollin lokoregjional të saj.

Pavarësisht se kanceri i gjirit mund të kapet herët dhe nuk është metastatik neve e konsiderojmë biologjikisht metastatik dhe prandaj gjithnjë e trajtojmë me kimioterapi, sidomos për moshat e reja.

Tanimë po flasim për kancerin që e ka shfaqur metastazën, pra që nuk kemi një kancer metastatik, por kemi një metastazë nga kanceri.

Trajtimi i metastazës nga kanceri bëhet në varësi të lokalizimit të metastazës.

Gjiri është i aftë të japë metastaza kudo, jep metastaza në lëkurë, në skelet, në tru, në vezore, në ovar, gjithandej, në mushkëri, hepar e kudo.

Freskida Miloti:Ne dolëm pak edhe tek trajtimi, por do doja ta zgjeronim më tepër përgjigjen tuaj. Cilat janë mënyrat e trajtimit?

Artan Bodeci: Tre janë disiplinat që merren me trajtimin e kancerit të gjirit: kirurgjia, kimioterapia dhe rrezatimi.

Kolonat mbi të cilat nis ky trajtim janë gjithnjë ekzaminimi, vizita klinike, imazheria dhe anatomia patologjike. Imazheria dhe anatomia patologjike janë heronjtë e heshtur të trajtimit të kancerit të gjirit. Pa një imazheri të saktë nuk ka një kirurgji të saktë.

Pa një anatomi patologjike, pa një histopatologji të saktë nuk ka kurrë një trajtim të saktë.

Kimioterapia e radioterapia kanë bërë revolucion edhe në format e avancuara.

Freskida Miloti: Cilat janë këshillat e fundit që do t’i jepnit të gjithë lexuesve dhe të gjithë atyre pacientëve që ndoshta për momentin e vuajnë këtë sëmundje?

Artan Bodeci: Mos u mundoni të justifikoni veten mbi atë çfarë gjeni në gjirin tuaj.

Sepse gratë shqiptare shikojnë një kokërr në gji, e shohin që nuk dhemb dhe e neglizhojnë sepse nuk duan të shqetësojnë familjarët.

Është një sëmundje multidisiplinare që vendin e trajtimit e ka pikërisht në këto qendra, pra në qendrat multidisiplinare, qendrat onkologjike. Kanceri i gjirit është një sfidë sot, për mjekësinë kudo në botë. Stadin e sëmundjes suaj e keni vetë në dorë. Shkoni te mjeku çdo gjashtë muaj, pa patur shqetësime që të kontrolloni gjirin. Vetëm kontrolli periodik atëherë kur nuk keni gjë, ju shpëton.