Depresioni

Kur duhet të kuptoni se keni depresion?

Flet Doktore e Shkencave Fatime Elezi

Shefe e Shërbimit të Urgjencës së Psikiatrisë

 

 Freskida Miloti:Çfarë është depresioni?

Fatime Elezi:Depresioni është një sëmundje shumë komplekse që bën pjesë tek çrregullimet mendore.

Është një sëmundje e zakonshme në popullatë dhe jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën.

Ekzistojnë një sërë metodash terapeutike.

Freskida Miloti: Sa lloje depresionesh kemi?

Fatime Elezi: Janë disa lloje.

Llojet e depresionit ndahen nga lloji i simptomatikës, sepse jo të gjithë individët kanë të njëjtat simptoma.

Individë të ndryshëm paraqesin simptoma të ndryshme. Nga ana tjetër kategorizimi i depresionit bëhet edhe në varësi të intensitetit.

Ndër më të zakonshmit janë depresioni madhor dhe depresioni i paslindjes.

Ka depresione që janë të shkaktuara për shkak të përdorimit të substancave apo të barnave, depresione që shkaktohen nga sëmundje të përgjithshme, qofshin këto fizike, neurologjike, malinje, infektive.

Popullata është e interesuar të dijë se cilat janë simptomat e depresionit, si fillon depresioni.

Humori depresiv mund të raportohet nga vetë individi i cili shprehet se ndihet i mërzitur, i dëshpëruar, i trishtuar, por mund të raportohet edhe nga familjarët apo të afërmit.

Ankthi është një simptomë shumë e zakonshme e depresionit. Problemet e gjumit janë specifike. Mund të jetë pagjumësi e hershme, individi ka vështirësi për të fjetur, mund të jetë pagjumësi e mesme, pra fle pak orë dhe zgjohet në mes të natës dhe ajo që është karakteristike është zgjimi herët në mëngjes, në të gdhirë.

Personat që vuajnë nga depresioni kanë një rëndim të gjendjes gjatë pjesës së parë të ditës, duke u përmirësuar në vijim. U mungon energjia, u mungon dëshira, u humbet interesi. Janë pesimistë, e shohin të ardhmen të vështirë, të pamundur, e ndjejnë veten të pavlerë, të padobishëm, kanë ndjenja faji, paranojë, mendojnë rreth vdekjes.

Freskida Miloti: Cilët janë shkaktarët?

Fatime Elezi:Shkaqet e depresionit janë shumë komplekse dhe janë të ndërthurura.

I kategorizojmë në faktorë predispozues dhe faktorë precipitues. Faktorë predispozues janë gjenetika.

Janë një sërë genesh të cilët kontribuojnë në shfaqjen e depresionit. Faktorë të tjerë shumë të rëndësishëm janë faktorët biokimikë, pra ndryshimet e rëndësishme që ndodhin në biokiminë e trurit.

Shkaqe të tjera janë faktorët psikologjikë, të cilët janë shumë kompleksë.

Përmendim problemet e fëmijërisë, abuzimi, neglizhenca, dhuna, eksperiencat personale, fatkeqësitë, humbjet, papunësia, vështirësitë ekonomike.

Faktor tjetër predispozues është personaliteti. Ka disa individë që janë më të prirur për të shfaqur depresion dhe kanë vetëvlerësim të ulët, kanë vetë kriticizmin, thonë vazhdimisht: “Unë nuk di, unë nuk vlej, unë nuk bëj!”

Freskida Miloti: Shfaq edhe dhimbje trupore depresioni apo jo?

Fatime Elezi: Padiskutim! Në larminë e simptomave të depresionit përfshihen edhe simptomat e dhimbjes. Manifestohet me dhimbje mesi, dhimbje koke, dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit.

Nuk ka shëndet mendor pa shëndet fizik dhe nuk ka shëndet fizik pa shëndet mendor. Janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën.

Dua ta specifikoj depresionin pas lindjes. Është shumë e lartë përqindja e grave që bëjnë depresione gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes dhe duhet patjetër vëmendje maksimale!

Diagnoza bazohet në simptomatikë, në kohëzgjatjen e simptomave, në përjashtimin e të gjitha sëmundjeve që e shkaktojnë, në ekzaminimet e nevojshme laboratorike dhe në pyetësorë.

Supozoj që jam para një pacienti që më thotë: “Ç’lloj depresioni kam unë dhe si do ta kuroj atë?”

Nëse do flisnim për depresionet e lehta nuk është nevoja që të fillojmë trajtime antidepresivë dhe ndihma shumë e rëndësishme është ndihma psikologjike.

Nëse ndërhyhet shpejt me ndihmën psikologjike që në format e lehta të depresionit them se nuk mbërrihet tek format e rënda apo të moderuara.

Nëse kemi një depresion të moderuar me simptomatikë të mesme ose të rëndë duhet patjetër të fillojmë antidepresivin.

Ka një grup të tërë antidepresivësh dhe në varësi të simptomatikës, të kohëzgjatjes dhe të intensitetit të këtyre simptomave ne zgjedhim llojin e antidepresivit.

Nëse depresioni shoqërohet edhe me psikozë ne patjetër duhet të shtojmë edhe një antipsikotik. Përgjithësisht antipsikotikët janë për një periudhë të shkurtër.

Për episodin e parë depresiv mjekimi duhet të jetë edhe 6 muaj pasi të stabilizohet simptomatika.

Mesazhi im për popullatën është që ta pranojnë depresionin, të bëjnë përpjekje për ta ndjekur atë, për ta trajtuar atë. Gjithë qëllimi i mjekimit është që mos të shkohet tek vetëvrasja.