Shpesh flitet që shumë ushqime ndihmojnë në përmirësimin e anemisë, ndërkohë më poshtë do të sjellim disa nga ushqimet që duhen mënjanuar nga personat që vuajnë nga mungesa e hekurit në gjak.
Cilat janë arsyet? Disa ushqime pengojnë përthithjen e hekurit në organizëm dhe disa të tjera e shpërbëjnë atë dhe eleminohet pa dhënë efektin e duhur tek individi që e ka domosdoshmëri marrjen e hekurit. Përthithja e hekurit pakësohet në organizëm kur merret së bashku me drithëra, qumësht, kalçium dhe çaj. Gjithashtu kafeja, kakaoja dhe vera e pengojnë shfrytëzimin e hekurit që mund të merret edhe nëpërmjet ushqimit të pasur me këtë element.
Duhet kufizuar konsumimi i spinaqit përpara marrjes së hekurit sepse ky zvogëlon absorbimin e tij. Rekomandohet që ushqimet e preparatet të cilat pengojnë thithjen e hekurit të merren të paktën pas 60 minutash nga marrja e hekurit. Gjithmonë 20-30 minuta përpara se të merret hekuri duhet të konsumohet lëng limoni, lëng portokalli etj, pra produkte të pasura me Vitaminë C, që të krijohet mjedisi acid për përthithjen më të mirë të tij.
Dimë që stomaku në vetvete përmban HCL (acid klorhidrik), pra ky organ ka një mjedis acidik, por nga prezenca e ushqimeve të ndryshme ulet dukshëm aciditeti i tij. Për këtë arsye merret vitamina C disa minuta përpara duke siguruar kështu një përthithje maksimale të hekurit. Preferohet që për mjekimin e anemisë të mos merren përbërje të komplekseve multivitamin-mikroelement, sepse sasia e hekurit që ato përmbajnë nuk e arrin dozën terapeutike të nevojshme dhe nga ana tjetër lëshohet me vështirësi prej tyre duke arritur në pjesën fundore të intestinit ku dhe nuk përthithet.