Si të kuptohen individët me çrregullime të personalitetit?

Anxhela Peza

Psikologe Klinike

 

Freskida Miloti: Çfarë është çrregullimi i personalitetit?

Anxhela Peza: Kur flasim për personalitet flasim për tërësinë e tipareve emocionale dhe të sjelljes së njeriut gjatë jetës së tij të përditshme.

Në momentin që ne kemi të bëjmë me këtë deformim apo shtrembërim të sjelljeve emocionale apo të përjetimit emocional të njeriut ku dëmton disa nga aspektet e tij të jetës së përditshme, kemi të bëjmë me një çrregullim.

Personat që kanë çrregullime të personalitetit janë persona që krijojnë familjet e tyre, pra mund të jenë prindër, mund të jenë bashkëshortë, mund të jenë njerëz që ne punojmë përditë me ta.

Freskida Miloti: Si ndahen çrregullimet e personalitetit?

Anxhela Peza: Ka tre grupe të mëdha, çrregullimi paranoid, çrregullimi skizoid dhe skizotipal.

Paranoidi është një person i cili dyshon gjatë gjithë kohës për partneren e tij. Ka një xhelozi shumë të tepruar. Janë mosbesues, krijojnë problematika, mbajnë shumë inat.

Freskida Miloti: Sa shpesh haseni me këtë problem?

Anxhela Peza: Është një fenomen që haset shumë.

Çrregullimet psikologjike të kësaj natyre kanë fazat e tyre të agravimit, ashtu sikurse të përmirësimit në momentin që ato e kërkojnë ndihmën. Personat që kanë çrregullimin e personalitetit paranoid nuk mendojnë kurrsesi që problemi janë ata. Ata mendojnë se problemi janë të tjerët.

Freskida Miloti:Çrregullimi skizoidi personalitetit, çfarë është?

Anxhela Peza:Çrregullimi skizoid i personalitetit është një çrregullim që haset po kaq shpesh. Janë persona që janë asocialë, shumë rrallë mund të martohen dhe nuk kanë jetë të pasur seksualiteti.

Çrregullimet narcistike të personalitetit. Në këtë grupim futen personat që sillen sikur kanë bërë diçka madhështore pasi kanë mbaruar një punë, zgjedhin njëlloj filozofie të jetuari, janë kollaj të identifikueshëm edhe nga të tjerët.

Freskida Miloti: Po skizotipik?

Anxhela Peza: Kjo është e vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët. E vetmja gjë që mund të kuptohet nga të tjerët është të menduarit magjik, që këto e kanë karakteristike. Mendojnë gjëra që nuk i kanë, mendojnë gjëra që nuk janë, nuk kanë përputhje me realitetin ku ato jetojnë.

Freskida Miloti: Po personaliteti shmangës, sa i shpesh të është? Pse ndodh?

Anxhela Peza:Zakonisht vihet re gjatë periudhës së 9-vjeçares, ku janë tiparet më të hasura dhe gjatë periudhës së adoleshencës. Janë persona që duan shumë të kenë shoqëri me të tjerët, por nuk munden që të krijojnë shoqëri dhe mbyllen, izolohen, shmangin kontaktet me personat e tjerë. Janë tipa ankthiozë.

Freskida Miloti: Si punohet me këtë kategori?

Anxhela Peza: Është grupi multidisiplinar apo vetë psikologu klinik që përgatit një plan pune. Mirë është që të ketë grupe mbështetëse. Nuk sugjerohet trajtimi medikamentoz në raste të tilla.

Psikoterapia dinamike dhe mbështetëse ndihmon personat që kanë çrregullimin e personalitetit shmangës.

Ndërsa pasiv agresivët janë persona që nuk u pëlqen përgjegjësia e tepërt, bëhen neglizhen të në çdo lloj marrëdhënie qoftë familjare, vetjake apo ndërpersonale me të tjerët dhe kjo është me vetëdije.

Freskida Miloti: Çfarë e shkakton këtë problem?

Anxhela Peza: Disa prej perspektivave të ndryshme në psikologji siç është perspektiva konjitive, biologjike, psikodinamike, të llojeve të ndryshme dhe shumë psikologë që kanë udhëhequr, i kanë ndërtuar apo i kanë mbështetur perspektivat e psikologjisë, kanë bërë të mundur të japin disa nga argumentet.

Shumë prej argumentave pohojnë se mund të jenë individë që kanë abuzuar me drogërat në fëmijërinë e tyre të hershme apo gjatë adoleshencës, mund të kenë pasur probleme familjare në fëmijëri, abuzime seksuale.

Freskida Miloti: Cilat janë trajtimet më efikase?

Anxhela Peza: Trajtimi efikas në raste të tilla është vetëm psikoterapia. Psikoterapia ndihmon në maksimum, varet në perspektivën që ndiqet. Ka psikanalizë që i ndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe ka një kohë shumë të gjatë, sepse çrregullimet e personalitetit trajtohen me terapi të gjatë, nuk mund të trajtohen me terapi të shkurtër.