Dieta

Kequshqyerja dhe sëmundjet që shkakton

Anila Kalleshi

Dietologe

 

Freskida Miloti: Fenomeni i kequshqyerjes sa është i pranishëm në Shqipëri? Kemi të dhëna për shqiptarët, si ushqehen?

Anila Kalleshi: Kequshqyerja është pjesë përbërëse e një pjese të madhe të popullsisë. Kur flasim për kequshqyerje kemi parasysh që është mungesa e marrjes së vitaminave, mineraleve, proteinave, karbohidrateve, yndyrave pra gjithë makronutrientëve dhe mikronutrientëve në sasinë e duhur, në sasinë që secilit nga ne i nevojitet. Trupi ynë është një programues, një“kompjuter” i cili është i programuar në një mënyrë shumë të çuditshme. Nuk funksionon dot po nuk mori të gjithë elementët bazë që i duhen, makronutrientët dhe mikronutrientët, por ndryshe nga kompjuterat e zakonshëm që ne jemi mësuar të punojmë dhe të shikojmë gjatë gjithë ditës, vërejmë diçka tjetër. Çdo trup është i ndryshëm nga njëri-tjetri. Jo çdokush nevojat energjike, nevojat për vitamina, minerale, proteina, karbohidrate, yndyrna, enzima, fibra i ka të njëjta. Kështu që për secilin person duhet një mënyrë regjimi dhe ushqyerje e shëndetshme.

Por ajo çfarë është më e rëndësishmja është krijimi i një baze që ka të bëjë me ushqyerjen bazë, atë të domosdoshmen për secilin nga ne. Kjo ka të bëjë me këto makronutrientë dhe mikronutrientë të cilët janë të caktuara bazat kryesore të cilat i nevojiten çdokujt. Kur flasim për kequshqyerje ne kemi parasysh dy kategori. Ata që ushqehen shumë dhe pas viteve‘90 u vu re një bum ushqimesh, larmishmëri e madhe produktesh, pa ditur nga vinin, si vinin, se si ishin të prodhuara. Një pjesë e madhe ishin të prodhuara me hormone, një pjesë e madhe ishin me pesticide të ndryshme, gjë që përpara viteve ‘90 nuk kishte ekzistuar. Njerëzit iu kthyen ushqimeve të paketuara të cilat përsëri ishin një dëm për organizmin e secilit duke pasur parasysh kohën e paketimit, prejardhjen e këtij burimi nga kanë ardhur, yndyrat e ngopura të cilat janë përdorur në këto paketime të ndryshme gjithashtu sheqernat e tepërta artificialë. Një sërë gabimesh të cilat çuan në një mbipeshë apo në mbi ushqyerje duke krijuar obezitetin, diabetin, hipertensionin, kolesterolin e lartë dhe shumë problematika në organizëm. Është një kategori tjetër po aq e rëndë domethënë krahasuar me këto që janë mbipeshë që janë njerëzit anoreksikë dhe bulimikë.

Personat të cilët kanë një nënushqyerje, pra nuk marrin sasinë e duhur të këtyre makronutrientëve dhe mikronutrientëve që i nevojiten kujtdo.

Janë çrregullime nervore të dyja si anoreksia dhe bulimia, por tek anoreksia kemi persona të cilët refuzojnë në mënyrë kategorike për të konsumuar çfarëdolloj ushqimi, kryesisht preferojnë shumë çajrat, preferojnë stimuluesit.

Kanë deficenca të theksuara të elementëve kryesorë jetësorë.

Ndërsa bulimikët janë persona që ne nuk mund t’i dallojmë me sy të lirë sepse janë persona të fshehur, persona të cilët nuk e tregojnë që vuajnë këto problematika, por që ushqehen shumë, marrin rreth 2000 kalori në ditë dhe këto kalori i nxjerrin menjëherë sapo i konsumojnë duke provokuar të vjella, duke marrë laksativë të ndryshëm.

Kanceri i ezofagut kryesisht është sëmundja kryesore që shfaqet tek këta persona, në momentin që kemi refluksin e ushqimit.

Freskida Miloti: Cila është mosha e cila rrezikon më shumë nga kequshqyerja?

Anila Kalleshi: Statistikat në Shqipëri tregojnë qërreth 300 fëmijë në vit vdesin nga kequshqyerja.

Një ndër 3 fëmijë është i kequshqyer. Ka fëmijë të cilët refuzojnë gjirin që është shumë i rëndësishëm për të krijuar bazën e një fëmijërie të shëndetshme.

Ka nëna të cilat për një lloj arsye ose për një lloj arsye tjetër, nuk preferojnë t’i japin ushqimin fëmijës ndoshta për komoditet apo për mungesë të gjirit.

Freskida Miloti: Çfarë e shkakton yndyrën në gjak?

Anila Kalleshi: Yndyra në gjak shkaktohet kryesisht nga kequshqyerja. Ushqyerja me yndyra të ngopura është ajo që sjell pasoja shumë të mëdha në yndyrat në gjak. Gjithashtu personat të cilët konsumojnë shumë duhan, alkool.

Mund të jetë përdorimi i disa medikamenteve të cilët mund të shtojnë yndyrnat në gjak, janë një sërë faktorësh, por kryesisht faktori kryesor bazë është kequshqyerja.

Freskida Miloti:Po aneminë?Si mund ta përmirësojmë këtë problem shëndetësor?

Anila Kalleshi: Në anemi kemi mungesën e hekurit në gjak. Hekuri është shumë i rëndësishëm për transportimin e oksigjenit në qeliza.

Anemia shfaqet tek ata që kanë nënushqyerje, tek anoreksikët kryesisht është shumë e theksuar.

Freskida Miloti: Cilat ushqime duhet të konsumojmë në përditshmërinë tonë, për të pasur një shëndet sa më të mirë?

Anila Kalleshi: Ka shumë persona të cilët konsumojnë 3 vakte të bollshme, kjo është e gabuar sepse duhet të konsumojmë vakte të vogla dhe të shpeshta.

Përveç kësaj ka shumë njerëz që anashkalojnë vaktin e mëngjesit me idenë që mos të marrin peshë. Edhe kjo është shumë e gabuar!

Është tepër e rëndësishme që organizmi të marrë “karburantin e duhur”që në mëngjes, për të qenë aktiv, për të qenë i përqendruar, për të qenë i qetë.

Në vaktet e ndërmjetme natyrisht ka elemente shumë të mira të cilat do të shtonim për të thyer urinë për të mos pasur një rritje të menjëhershme të indeksit glicemik, pra rritjen e sheqerit në gjak.

Për këtë do këshilloja frutat të cilat janë shumë të preferuara, por gjithmonë bëhen edhe gabime kur konsumohen fruta. Ka njerëz që mund të konsumojnë rreth 1 kg fruta në ditë, gjë e cila nuk është e rekomanduar.

Vaktet e ndërmjetme janë ideale për të konsumuar fruta.

Darka duhet të jetë shumë e lehtë krahasuar me dy vaktet e tjera. Duhet konsumuar jo më vonë se ora 6 e 30 e darkës.   

Freskida Miloti: Si demonstrohet performanca e individëve të kequshqyer në punë, në shoqëri?

Anila Kalleshi: Një person inaktiv, që rri gjithë ditën në zyrë, në kushte kondicioneri, pa lëvizur, përpara kompjuterit, me një pjatë të madhe duke konsumuar, pa pirë lëngjet e duhura, ky person natyrisht është i destinuar të ketë problematika në organizëm.

Stili i jetesës është shumë i rëndësishëm për të gjithë.

Një person i cili bën një stil jetese pasiv edhe vetë si person është një person inaktiv, nuk është në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore dhe mendore.

Ndërsa një person i cili kryen aktivitet fizik, lëviz shumë, bën palestër, është në kontakt me njerëz, nuk është në një ambient të mbyllur, ka mundësinë dhe ka hapësirën për të qenë një person më alegro, një person më i gjallë.

Një ushqyerje e mirë, një stil jetese i shëndetshëm, natyrisht është baza e themelit për një jetë të shëndetshme, për një jetëgjatësi, pa problematika në organizëm.