Fshikëza urinare

Trajtimi i tumoreve në fshikëzën urinare

Flet Dr. Gjergji Karamitri

Kirurg urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT

 

 Freskida Miloti:Si nis kjo sëmundje?

Gjergji Karamitri: Tumoret e fshikëzës së urinës janë një patologji që e hasim shumë shpesh. Pacientët fillimisht vijnë me simptomën kryesore që është hematuria pra urinimi me gjak ose me ngjyrë të errët, disa dalin edhe me koagula gjaku në varësi të agresivitetit të sëmundjes.

Kjo është zakonisht simptoma e parë. Është simptoma kryesore në rastet e tumoreve të fshikëzës së urinës.

Nëse sëmundja është e agravuar atëherë pacienti mund të ketë edhe dobësi të përgjithshme për shkak të anemisëpasi ka humbur gjak nga hematuria. Mund të ketë edhe ndryshime të analizave biokimike,azotemisë, kratinemisë nëse tumori ka dhënë një bllokim të veshkave, të aparatit urinar.

Është hematuria ajo që na jep sinjalin e parë në rastet e tumoreve të fshikëzës së urinës. Në këto raste gjithnjë duhet të jemi vigjilentë. Kur kemi një rast urinimi me gjak të referuar nga pacienti,duhet të përjashtojmë një tumor të fshikëzës së urinës. Duhet ta ndjekim hematurinë deri në fund.

Freskida Miloti:Në cilat mosha shfaqet më së tepërmi?

Gjergji Karamitri:Fillon që nga mosha 50 vjeç e deri te mosha 80 vjeç. Zakonisht moshat e mesme dhe të thyera. Por kemi hasur tumore edhe tek mosha 27-vjeçare, janë raste të pakta.

Pikun e arrin rreth moshës 65 vjeç. Si patologji tumorale është më e shpeshtë tek burrat, rreth 3 herë më e shpeshtë tek burrat.

Freskida Miloti:Si paraqitet situata në Shqipëri?

Gjergji Karamitri:Ka një rritje të konsiderueshme të tumoreve të fshikëzës së urinës. Ne kemi çdo ditë dy-tre raste ose katër në sallën operatore. Nuk janë të gjitha raste të reja, por e shohim që është një patologji që na ndjek këmba-këmbës, çdo ditë në sallën operatore.

Freskida Miloti: Cilat janë shkaqet e kësaj rritje?

Gjergji Karamitri: Përsa i përket shkaqeve, të parin përmend duhan pirjen. Është armiku kryesor.

Shkaqe të tjera ka disa:nëse kanë patur kontakt në industrinë e kimikateve, në industrinë e lëkurave, hidrokarbureve, të bojërave, e raste të tjera të ekspozimit me këto lëndë kimikate.

Freskida Miloti: Si e diagnostikoni këtë problem shëndetësor?

Gjergji Karamitri: Ka disa lloje ekzaminimesh. Përmend ekzaminimet laboratorike, imazherike, joinvazive dhe ekzaminimet që janë invazive. Pasi pacienti shfaqet fillimisht bëjmë analizat laboratorike të urinës apo analizat e gjakut.

Bëjmë ekzaminimet imazherike, ekon, që është një ekzaminim relativisht i mirë për të parë nëse ka ndonjë formacion në fshikëzën e urinës apo jo.

Ekzaminimi më i mirë është cistoskopia. Është ekzaminimi i fshikëzës së urinës. Nëpërmjet aparatit ne hyjmë nga kanali i urinës në fshikëzën e urinës dhe e shikojmë direkt me sy të gjithë fshikëzën e urinës.

Nëpërmjet saj kuptojmë nëse pacienti ka apo jo tumor. Në rastet kur kemi pacientë që vijnë me një ekzaminim ekografik në të cilin duken qartë disa masa, formacione në fshikëzën e urinës, gjithnjë nëse ekoja është bërë sipas kërkesave tona,nëse ne kemi të dhëna që mund të jetë një tumor në fshikëzën e urinës, atëherë përgatitja e pacientit bëhet njëkohësisht për cistoskopi dhe për ndërhyrjen kirurgjikale.

Freskida Miloti: Kjo sëmundje, ka stade?

Gjergji Karamitri: Kjo sëmundje kalon nga njëri stad në tjetrin në varësi të agresivitetit të saj.

Stadifikimi bëhet sipas stadifikimit TNM që do të thotë:përhapja tumorale, limfonodujt, metastaza. Kemi edhe një stadifikim tjetër paralelisht që quhet stadifikimi nga ana histopatologjiketë cilën e ndajmë në varësi të malinjitetit në gradën e ulët, të moderuar dhe të lartë.

Freskida Miloti: A mund ta parandalojmë?

Gjergji Karamitri:Parandalimi fillon nga shkaqet. I rëndësishëm është mënjanimi i shkaqeve! Ndalimi i duhanpirjes që është kryesorja.

Freskida Miloti: Dalim tek trajtimi. Kanë shpresë këta njerëz?

Gjergji Karamitri:Ne kujdesemi çdo ditë që pacientët të kenë një jetë sa më të gjatë! Ne gjithnjë bazohemi në stadet e sëmundjes! Fillimisht nëse paraqitet një pacient me këto tumore ne bëjmë rezeksionin endoskopik, pra heqim tumorin dhe i gjithë tumori çohet për biopsi për ekzaminimin anatomopatologjik.

Në stadet e para trajtimi kryesor është rezeksioni transuretral. Janë 3 shtresa të fshikëzës së urinës dhe ne i referohemi sa thellë ka shkuar tumori, për ta stadifikuar.

Nëse tumori ka kaluar shtresën epiteliale atëherë pacienti duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrje tjetër më të madhe që e quajmë cistektomia radikale. Nëse tumori është akoma në stadin deri në ureteliumin e fshikëzës së urinës atëherë ne bëjmë rezeksionin transuretral të fshikëzës së urinës dhe vazhdimin me kimioterapi intravezikale në varësi të gradës dhe të stadit. Pas 3 muajsh pasi është realizuar rezeksioni transuretral i tumorit duhet bërë një cistoskopi. Kjo ka shumë rëndësi në kontrollin e ecurisë së sëmundjes.