Leucemia mieloide, simptomat dhe masat parandaluese

Dr. Alma Cili

Hematologe

 Çfarë është leucemia mieloide kronike?

Leucemia mieloide kronike është një ndër llojet e ndryshme të kancerit që trajtohet pranë Shërbimit të Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Përbën rreth 15% të të gjitha llojeve të leucemive që ne trajtojmë pranë këtij shërbimi.

Cilat janë shkaqet e kësaj leucemie?

Nuk ka asnjë shkak specifik që sjell leuceminë mieloide kronike.

Mendohet që radiacioni apo rrezatimi jonizues është një ndër shkaqet. Është vënë re që në popullatën që mbijetoi në bombën nukleare të Hiroshimës, këta njerëz kishin 50 herë më të lartë risk krahasuar me një popullatë normale dhe që iu deshën mesatarisht 10 vite që të zhvillonin leuceminë mieloide kronike.

Si shfaqet? Me çfarë simptomash vijnë pacientët?

Pacientët vijnë kryesisht me simptoma të hipermetabolizmit, zakonisht me rënie në peshë, me anoreksi, me djersë natën.

Shumica e pacientëve shfaqen për arsye sepse ndjejnë rëndim në anën e majtë të barkut, ka raste kanë simptoma lidhur me shpretkën, e cila mund të zërë deri 3 të katërtat e gjithë zonës së barkut.

Mund të vijnë me simptoma të anemisë, lodhje, këputje, dobësi, marrje fryme, me simptoma të hemorragjisë, hemorragji nga hundët apo hemorragji nga pjesë të ndryshme të tjera të trupit.

Në cilat mosha zhvillohet më së shumti?

Leucemia mieloide kronike është një sëmundje e adultëve.

Mosha më e shpeshtë që prek kjo sëmundje është midis 40 dhe 65 vjeç.

Prek vetëm 3% të rasteve moshën e fëmijëve.

Si mund ta diagnostikoni këtë problem?

Pacientët bëjnë një analizë gjaku, shohin që rruazat e bardha janë të larta apo në një eko rutinë shohin që shpretka është mjaft e rritur dhe paraqiten pastaj në konsultat e hematologjisë.

Pas kësaj pacienti hospitalizohet dhe kryhet aspirimi i palcës kockore dhe kjo është një ndër metodat e diagnozë. Por përveç kësaj janë dhe metodat citogenetike për konfirmimin e atij kromozomi që është specifik i kësaj sëmundje që quhet kromozomi Filadelfia.

Është një kromozom që ndodh nga një translokacion midis dy kromozomeve, 9 dhe 22.

Cilat janë komplikacionet e kësaj sëmundjeje?

Komplikacioni i vetëm i kësaj sëmundje është transformimi në të ashtuquajturën leukemi akute.

Nëse kemi një transformim të tillë prognoza është mjaft e errët. Pacientët mund të bëjnë komplikacione të lidhura me jetën, infeksione të ndryshme virale, bakteriale apo mykotike mjaft rezistente… Apo dhe komplikacione të lidhura me jetën për shkak të hemorragjive ku në këtë rast hemorragjia cerebrale do të ishte fatale apo vdekjeprurëse për këta pacientë.

Shpesh ne trashëgojmë gene jo të mira nga prindërit tanë. Geni BRCA1 apo geni BRCA2 ndikon në një incidencë më të lartë të kancerit të gjirit apo të kancerit të ovareve tek femrat.

Realisht nuk ka asnjë mënyrë për ta parandaluar këtë sëmundje, asnjë ndryshim në stil jete apo asnjë evitim të faktorëve të riskut.

Mjekët e familjes dhe hematologët e rretheve duhet të jenë më të kujdesshëm nëse nuk shkon diçka me analizat e një pacienti.

Si trajtohet?

Ka bërë një revolucion mjekimi targeti leucemisë mieloide kronike.

Tanimë jetëgjatësia e këtyre pacientëve është jetëgjatësia e popullatës normale.

Vetëm 1% e këtyre pacientëve bën leucemi akute. Që prej 2001 ka një revolucion në jetëgjatësinë e këtyre pacientëve.

Duhet të jemi më të kujdesshëm me analizat dhe me çdo simptomë apo çdo shenjë të cilën ne e konstatojmë anormale.

Intervistoi: Freskida Miloti