Njoftimi zyrtar për rastet e dyshuara me koronavirus në Shqipëri

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për informimin e qytetetarëve në lidhje me rastet e dyshuara me koronavirusin.

 

24 Shkurt 2020 – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka mbledhur Taskë Forcën e Koronavirusit COVID-19  në sallën e emergjencave në Aeropotin e Rinasit. Në fjalën e saj Manastirliu ka theksuar se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus dhe ka ftuar mediat dhe qytetarët t’ju referohen informacioneve zyrtare lidhur me situatën.

“Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga task-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare. Dua t’ju ftoj si media për t’ju pasur bashkëpunëtorë ashtu si dhe qytetarët, në një situatë që nuk kërkon panik, por përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Manastirliu deklaroi se pas konfirmimit të koronavirusit COVID-19 në Itali në pikat tona kufitare janë shtuar masat e kontrollit dhe monitorimit ndaj Koronavirusit dhe vetëm ditën e djeshme janë monitoruar 4500 persona që vinin nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

“Kemi dyshifrua masat në aeropotin ‘Nënë Tereza’ dhe në pikat kufitare.  Vetëm dje janë monitoruar më shumë se 4500 udhëtarë që kanë ardhur nga vendet me raste të koronavirusit, ku përfshihet dhe Italia”, tha Manastirliu.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se sot ka firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë dhe ka bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Interesit të gazetarëve për mbylljen e kufinjve më Italin, ministrja Manastirliu i është përgjigjur se vendimet do të merren në bazë të shkallës së rrezikshmërisë.

“Në varësi dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë, do të marrim masat përkatëse. Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi. Sa i përket mbylljes së kufijve, do të vlerësohet rreziku dhe në bazë të tij do të përcaktohen masat. Për momentin ne kemi dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare, për të pasur kontroll të imtësishëm. Bashkë me ekspertët do të marrim të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të popullatës ”, tha Manastirliu.

Në këtë situatë Manastirliu apeloi për dëgjimin e ekspertëve të fushës dhe shtimin e masave higjoneosanitare. MSHMS në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zytare.

Sipas http://shendetesia.gov.al/