Rreziku nga infeksioni në vesh. Pse diabetikët duhet të jenë më të kujdesshëm?

Rreziku nga infeksioni në vesh, pse diabetikët duhet të jenë më të kujdesshëm

E ftuar mjeke otorinolaringologe pranë Poliklinikës Qendrore Nr.3 në Tiranë, Klodiana Zaharia.

 

Freskida Miloti: Do të flasim për infeksionin në vesh. Pyetja e parë është: Cilat janë infeksionet që prekin veshin?

Klodiana Zaharia: Doja të filloja me një përmbledhje që në përditshmërinë tonë, në numrin e vizitave që ne bëjmë përditë pranë ambulancës së Specialiteteve Nr.3, problemet dhe ankesat për veshin zënë numrin më të madh të pacientëve.

Pra është një patologji shumë e shpeshtë për mjekun ORL. Problemet janë nga më të ndryshmet, shpesh pacienti vjen, ankon dhimbje ose bllokim ose rrjedhje nga veshi. Ne kemi një grupim të madh mjekësh ORL në ndarjen e sëmundjeve infektive të veshit, në qoftë se flasim vetëm për infeksionet e veshit.

Në 80% të rasteve infeksionet që paraqiten inflamacione të veshit janë me natyrë virale. Kjo është për t’u theksuar sidomos për pacientët që nuk arrijnë të paraqiten pranë mjekut specialist dhe marrin ndihmë tek mjekët e familjeve.

20%-shi tjetër ndahet: 15% janë infeksione bakteriale të veshit dhe 5% pjesa më e vogël janë infeksione mykotike ose kërpudha në vesh.

Freskida Miloti: Çfarë është infeksioni mykotik? Nga se vjen konkretisht? Sepse kjo është edhe nga praktika e përditshme e pacientëve. Unë prandaj e veçova, duhet të japim këshilla konkrete.

Klodiana Zaharia: Te mjeku ORL paraqiten edhe raste të transkuruara dhe mbase kjo përqindja lëviz pak. Kjo përqindje që dhashë unë është edhe sipas literaturës, por duke qenë se këto pacientë o shkojnë në farmaci, o shkojnë te mjeku i familjes ose përdorin vetë antibiotikë me hamendje, nganjëherë këto pacientë pa u konsultuar mund të marrin të njëjtën skemë terapie dhe për fatin e tyre të keq në vend që të mjekojnë një infeksion bakterial rrisin dhe shumojnë myqet në vesh.

Kemi dy lloj infeksionesh mykotike, është kandida, myku i kudondodhur që gjendet në shumë pjesë të trupit, rritet shumë mirë në hundë, rritet në gojë dhe në pjesë të tjera, organe të tjera të trupit të njeriut me të njëjtin mekanizëm, sepse veshi është ashtu, të themi një vrimë e errët me lagështirë, është një ambient ideal për rritjen e kandidës.

Pak më e rrallë është aspergillus negrus është një lloj myku tjetër shumë rezistent, por ndryshe nga kandida në otoskopi nuk është me ife të bardhë, por me ngjyrë të zezë.

Pacientët duke kruar, duke pastruar veshin, tek kunja i del një pluhur i zi si blozë. Këto janë dy lloj myqesh më të shpeshta, por, çdo lloj myku, çdo lloj kërpudhe që rritet në qeniet e gjalla mund të gjejë ambient dhe mund të shumohet në veshin e njeriut duke na dhënë atë të ashtuquajturin infeksion mykotik të veshit.

Freskida Miloti: Një ekzaminim i imtësishëm e bën këtë dallim, apo jo doktoreshë?

Klodiana Zaharia: Standardi i artëështë kultura nga veshi, që do të thotë, me një tampon steril merret material nga veshi edhe mbillet, bëhet kultura dhe antibiograma, pra të izolohet shkaktari, germi shkaktar që mund të jetë njëri nga llojet e myqeve. Për praktikën shtetërore ku kemi shumicën e punës diagnoza vendoset menjëherë në zyrë, vetëm me ekzaminimin klinik.

Një mjek i stërvitur në momentin që pacienti fillon ankesat, po fokusohem tani te infeksioni mykotik, shenja tipike e infeksionit mykotik është që pacienti ka kruajtje të tmerrshme të veshit.

Sa ulet pacienti thotë:“doktoreshë, unë dua ta shqyej veshin tim. Natë e ditë e kruaj me çdo gjë që mund të ndodhet në dorë.”

Freskida Miloti: Ky është treguesi i parë.

Klodiana Zaharia: Është shenjë atognomonike. Domethënë shenja tipike e mykut, kruajtje e veshit që shtohet gjatë natës, lëngëzimi i veshit, veshi rri i lagështitur. Ka një lëng të tejdukshëm që rrjedh gjithë kohën, pastaj në faza,kur mbivendoset mbi këtë myk, në një germ stafilokoku veshi fillon mbyllet, dhimbja shtohet, bllokimi, rënia e dëgjimit e shenja të tjera.

Në momentin që mjeku dyshon nga anamneza, që nga të dhënat ose në qoftë se pacienti thotë kisha një farë dhimbje, hodha disa pika antibiotik një javë rresht dhe tani vetëm po më kruhet, prapë mjeku e dyshon se ky pacient është komplikuar me një myk në vesh.

Në momentin që bëhet otoskopia, ne me atë aparatin me dritë shkojmë brenda dhe shohim në vesh, duken shumë bukur të rritura si në librat e biologjisë hifet e mykut, duket myku që ne shohim që rritet në fruta, perime, i lulëzuar në vesh, që okupon gjithë veshin.

Freskida Miloti: Ka gjetur një terren të përshtatshëm dhe është zhvilluar. A ka pacientë të cilët janë më të predispozuar për të qenë të prekur ndaj infeksionit të veshit?

Klodiana Zaharia: Do vazhdoj pak te infeksioni mykotik. Të gjithë personat që janë diabetikë janë të predispozuar për të pasur myk në vesh dhe në gojë dhe kudo.

Madje ne kemi shumë raste që kanë një infeksion mykotik i cili nuk po ecën mirë me trajtim, ne shtyhemi për të bërë një bilanc analizash dhe për të marrë një glicemi esëll. Në shumë raste pacienti ka zbuluar diabetin nga një myk i veshit, kështu që të gjithë pacientët me imunitet të kompromentuar që janë duke luftuar me jetën me një sëmundje tumorale duke bërë kimio preparate, janë mbas një diete të theksuar, marrin mjekim për një sëmundje tjetër të rëndë kronike të themi, osteoporozë.

Kanë bërë operacione të mëdha, pacientë pra që nuk janë në gjendjen më të mirë fizike dhe me rezistencë të ulët, të gjithë këto janë të predispozuar për të bërë të themi çdo lloj infeksioni, por në qoftë se kanë pak më delikat veshin dhe më shumë këto infeksione mykotike të veshit.

 

Freskida Miloti: Do të sjellim ndoshta edhe pyetjet më të shpeshta të pacientëve tuaj, në rastet kur ka dhimbje të forta një pacient, cila është ndihma e parë që mund t’i japin familjarët përpara se t’ju drejtohen juve? Mund të ketë edhe dhimbje në orët e vona të natës kështu që sigurisht duhet një ndihmë paraprake.

Klodiana Zaharia: Në popull është e përhapur ideja që dy pika të një ilaçi çfarëdo sidomos ai i famshmi alkool borik dhe ikën dhimbja në vesh. Jo! Dhimbja e veshit menaxhohet si dhimbja e çdo organi tjetër, pra me “pain killer” ose analgjezikë.

Pra që nga paracetamoli, çfarë mund t’ju ndodhet në shtëpi natën pacientëve, nuk do bëjë një qetësim të menjëhershëm dhe total të dhimbjes, por të paktën nuk përfundojnë në urgjencë për një dhimbje veshi. Më të mirë janë të gjithë ato analgjezikët jo steroidenë, ibuprofeni, ketoprofeni. Bën qetësimin dhe fitimin e kohës, deri sa të vijë mëngjesi dhe për t’u paraqitur tek mjeku.

Freskida Miloti: Po për përdorimin e qetësuesve lokalë, rekomandohen apo ato gjithmonë janë të gabuara?

Klodiana Zaharia: Jo, nuk janë të gabuara dhe qetësuesit lokalë dhe mjekimi lokal ka rolin e vet, por në qoftë se është instaluar një dhimbje veshi, sidomos gjatë natës, është shumë e vështirë që me mjekim lokal të ndalojë, është pothuajse e pamundur.

Pra gjithmonë duhet mjekim sistemik nga goja, duhet marrja e një antiinflamatori josteroidien.

Patjetër duhet o 400 miligram ibuprofen, pra një“pain killer”çfarëdolloj, duhet marrë nga goja.

Mund të bëhet një injeksion diklofenak, kush ka mundësi, kush ka një infermier afër shtëpisë.

Freskida Miloti: Kjo është ndihma e parë.

Klodiana Zaharia: Po, siç marrim qetësues për dhimbje koke, dhimbje këmbe, për dhimbjen e dorës, shpinës, ato janë qetësuesit e dhimbjes.

Freskida Miloti: Le të themi këto të cilat gjithmonë ndodhen në farmacinë e familjes.

Klodiana Zaharia: Por askujt nuk i shkon mendja, domethënë të gjithë kur vijnë në mëngjes me fëmijë thonë e kam gdhirë gjithë natën.

Pra duhet shurupi ibuprofen me dozën përkatëse, ose për të rriturit 400 mg.