Rinoplastika

Si kryhet rimodelimi i hundës?

Flet Prof. Asc. Besim Boçi

Shef i Shërbimit të ORL-së në Spitalin Francez, QSUT

 

Freskida Miloti: Çfarë është rinoplastika?

Besim Boçi: Termi i saktë është rinoseptoplastika dhe është rimodelimi i hundës nga dy pikëpamje, qoftë nga ana funksionale, qoftë nga ana estetike.

Jo më kot quhet rinoseptoplastika sepse përveç korrigjimit të anës estetike merret edhe me korrigjimin e frymëmarrjes,pasi korrigjohet midis të tjerash edhe septumi i hundës apo ndarësja e hundës që e ndan hundën teorikisht në dy zgavra të barabarta.

Teknikat përzgjidhen në varësi të formës së hundës dhe në varësi të eksperiencës së kirurgut. Janë dy teknika, teknika e hapur që do të thotë që ekspozon hundën dhe gjithë anatominë e saj dhe teknika e mbyllur.

Ndërhyrja më perfekte do ishte ndërhyrja e hapur. Ndërhyrja e mbyllur rezervohet për raste kur hunda ka defekte shumë të vogla dhe që mund të korrigjohen, por sot predominon ndërhyrja e hapur.

Freskida Miloti: Ndërhyrja kryhet me anestezi lokale apo të përgjithshme?

Besim Boçi:Ndërhyrja zgjat rreth 2 orë. Anestezia e preferuar është anestezia gjenerale pasi është komode edhe për të sëmurin edhe për kirurgun.

Freskida Miloti: Sa ditë duhet të qëndrojë pacienti në spital?

Besim Boçi:Është një ndërhyrje që nuk ka shumë efekte anësore, i vetmi efekt anësor në raste shumë të rralla mund të jetë hemorragjia. I sëmuri duhet të qëndrojë në spital vetëm një ditë.

Freskida Miloti: Përveç hemorragjisë, ka komplikacione të tjera?

Besim Boçi: Në përgjithësi nuk ka komplikacione të tjera. I sëmuri ditën e parë dhe të dytë mund të ndjejë dhimbje të lehta si pasojë e tamponëve që mban në hundë, por mbas 48 orësh, me heqjen e tamponeve i sëmuri fillon dhe qetësohet dhe pothuajse nuk ka asnjë shqetësim. Në përgjithësi është një ndërhyrje që nuk paraqet komplikacione.

I vetmi trajtim që përdoret pas ndërhyrjes së rinoplastikës janë antibiotikët që jepen për parandalimin e infeksionit dhe 48 orët e para jepen qetësues. Antibiotikët janë të mjaftueshëm për 7 ditë.

Freskida Miloti: Pas sa ditësh mund të shfaqet në shoqëri?

Besim Boçi:Ajo që vendosim ne është një allçi që fikson hundën dhe mbahet rreth 10 ditë dhe me heqjen e saj i sëmuri është në gjendje të kryejë çdo aktivitet normal të përditshëm.

Tek disa të sëmurë mund të ngelen pak nxirje përreth syve që zhduken pas rreth 10 ditësh.

Freskida Miloti: Kur nuk mund të kryhet ky operacion?

Besim Boçi:I vetmi kundërindikacion për të kryer rimodelimin e hundës apo rinoplastikën është mosha. Nuk rekomandohet që rimodelimi i hundës të kryhet para moshës 18 vjeç sepse përpara kësaj moshe nuk ka përfunduar rritja e organizmit. Nëse operon një hundë përpara kësaj moshe kockat e hundës mund të lëvizen prapë dhe hunda mund të shkojë prapë atje ku ishte.

Freskida Miloti: Cilat janë përmasat për një hundë ideale?

Besim Boçi:Hunda ka kufizimet e veta. Idealja është që kirurgu në fund të nxjerrë një hundë estetikisht të kënaqshme dhe do ishte më e mira që hunda të mos dallohet fare që është bërë operacion.

Të ketë një majë normale, të ketë kurriz normal jo me hark shumë. Nga ana funksionale duhet të jetë perfekte. I sëmuri të marrë frymë lirshëm. Është e rëndësishme që hunda të jetë në harmoni me të gjitha tiparet e tjera të fytyrës.

Kliko në link për të shikuar videon me mjeken në studio: