Glaukoma

Teknikat e fundit për të shpëtuar nga verbëria

Suzana Zhuka

Doktore e Shkencave Mjekësore, Okuliste në Poliklinikën Qendrore në Tiranë

Çfarë është glaukoma?

Glaukoma është një sëmundje e syrit që ka të bëjë me neuropatinë, me dëmtimin e nervit optik.

Pra është një tension i rritur i syrit, por ka të bëjë më shumë me dëmtimin e nervit optik të syrit.

Sa lloje glaukomash ka?

Ka disa lloje glaukomash. Klasifikohen në glaukoma me kënd të hapur, që është më e përhapur, kemi dhe glaukomën me kënd të mbyllur ose me kënd të ngushtë, e cila është pak më e rrallë, nuk është shumë e përhapur në Shqipëri, por që është me pasoja shumë më të mëdha sepse ka edhe fazën e vet të rrezikshme siç është kriza glaukomatoze në rastin e një glaukome me kënd të ngushtë.

Kemi dhe glaukomën kongenitale, që është e lindur, e cila është më e rrallë, por që ndodh tek fëmijët, tek bebet. Edhe kjo do një diagnostikim sa më të shpejtë, sa më të hershëm, për të bërë rikuperimin e të parit.

Glaukoma me kënd të ngushtë, si do ta kuptojmë ne që kemi të bëjmë me një glaukomë me kënd të ngushtë? Kush është këndi i syrit?

Këndi i syrit ka të bëjë me distancën midis kornes ose xhamit të syrit dhe irisit, irisi është ajo pjesa e bukur e syrit që është me ngjyra të ndryshme në persona të ndryshëm.

Ky këndi midis xhamit të syrit, të kornes dhe të irisit është i ngushtë, pra nuk është këndi në madhësi normale që të qarkullojë lëngu brenda syrit sepse syri prodhon lëngun dhe bëhet eliminimi nga dhoma e pasme në dhomën e përparshme të syrit.

Kur bllokohet ky kënd që është i ngushtë, atëherë lëngu i syrit nuk ka ku të qarkullojë dhe ushtron një presion mbi muret e globit të syrit.

Duke rritur presionin intraokular të syrit, bën dhe shtypjen e nervit, domethënë bën një komprimim mbi kokën e nervit që është në fundin e syrit, që vazhdon rrugët përtej, mbi përtej syrit në pjesën e sipërme pastaj në zonën e trurit ku bëhet edhe perceptimi, por kjo është e rrezikshme sepse shoqërohet edhe me disa shenja klasike, që janë një tension shumë i lartë mbi shifra shumë të larta, me dhimbje të forta të syrit, me dhimbje koke dhe pacienti ka dhe ndjesinë e të vjellave, nauze dhe duhet patjetër që të trajtohet si një urgjencë okulare sepse quhet krizë glaukomatoze dhe duhet të paraqitet menjëherë pranë shërbimit okulistik.

Glaukoma me kënd të hapur, të gjerë është një sëmundje shumë tinëzare, në krahasim me glaukomën me kënd të ngushtë që na jep shenja klinike.

Kjo nuk jep shenja klinike, kjo avancon ndër vite, fillon të ulë pamjen periferike, domethënë fushën pamore në periferi deri sa vjen duke u ngushtuar.

Nëse do kemi, përkufizojmë një person që është me glaukomë me kënd të hapur, ai shikon pjesën qendrore, mund të shohë pastër një objekt, një figurë, ndërsa në periferi ai shikon turbullt dhe kjo pamje, fushë pamore vjen duke u ngushtuar deri sa arrin nëse nuk kapet në kohë,arrin në verbim total, në ulje të shikimit, në dëmtim të nervit dhe dëmtimi i nervit optik është i pa rikthyeshëm.

Pra gjithë qëllimi jonë është mos të arrijë të dëmtohet nervi sepse po arriti që të jenë bërë dëmet e nervit optik dhe të fibrave nervorë, ato janë dëmtime të pa rikthyeshme. Gjithë puna, lufta jonë është që ne të ruajmë pamjen, ta kapim sa më shpejt dhe të ruajmë shikimin që në atë moment që është diagnostikuar me glaukomë me kënd të hapur.

Kë prek më shumë kjo sëmundje?

Kjo sëmundje futet ndër patologjitë përsa i përket oftamologjisë e treta në shkallë botërore që çon në verbim të pacientëve.

Renditet në sëmundjen e tretë që është më e rrezikshme për të parin, për shikimin.

Çfarë duhet të kemi kujdes ne? Nëse ka predispozitë familjare trashëguese.

Edhe nëse nuk e keni trashëguar, bëhen depistime.

Si mund ta parandalojmë dëmtimin e nervit të syrit nga glaukoma?

Parandalimi më i mirë është diagnostikimi i hershëm.

Nëse ne bëjmë një diagnostikim të hershëm, ne kemi bërë një parandalim.

Diagnostikimi i hershëm është vizita, paraqitja tek mjeku okulist pas moshës 40 vjeç.

Si paraqitet në Shqipëri kjo situatë?

Unë kam shumë vite eksperiencë dhe punë si mjeke okuliste pranë Poliklinikës Qendrore dhe kam mbi 1000 kartela.

Pacientët e mi janë pacientët më të rregullt. Okulistika është shumë e bukur dhe unë e dua si profesion.

Ato mjekohen në mënyrën më të rregullt dhe janë shumë të ndërgjegjshëm për të bërë të gjitha ekzaminimet. Diagnostikimi i hershëm është parandalimi më i mirë.

Cilat janë ekzaminimet që mund të bëjnë?

Unë doja të përmendja disa ekzaminime përsa i përket patologjisë okulare siç është glaukoma duke filluar që nga vizusi, pamja, se sa shikon syri i djathtë veç dhe sa shikon syri i majtë.

Matja e tensionit intraokular nëpërmjet tonometrit, duke bërë një kurbë ditore, është matja më e mirë.

E treta që është shumë e rëndësishme qenë bazë të kësaj ne përcaktojmë dhe terapinë, medikamentin, është gonjoskopia që ka të bëjë me përcaktimin e këndit të glaukomës, nëse është me kënd të mbyllur apo është me kënd të hapur.

Është dhe një ekzaminim tjetër që quhet pakimetria që ka të bëjë me trashësinë e kornesë.

Nëse kemi të bëjmë me një korne mbi trashësinë normale, ajo e bllokon akoma më shumë këndin e irisit.

Një ekzaminim shumë i rëndësishëm është perimetria që quhet fusha vizive, e cila përcakton herët, shumë herët nëse kemi dëmtime të pamjes periferike për të filluar në mënyrë urgjente mjekimin për të parandaluar verbimin.

Një ekzaminim tjetër bashkëkohor i kohëve të fundit është ositia,që ka të bëjë me ekzaminimin e nervit optik dhe të fibrave të nervit optik.

Është një ekzaminim shumë më i thellë, shumë më i detajuar.

Mostrajtimi i kësaj sëmundje çfarë shkakton?

Në Amerikë janë 2 milion të verbër me glaukoma, është shumë e përhapur, pra kapja me vonesë bën këto dëmtimet e pa rikthyeshme të nervit optik dhe të fibrave të nervit optik që çon në verbëri.

Cilat janë metodat më bashkëkohore për kurimin e glaukomës?

Në momentin e parë pasi ne bëjmë diagnostikimin e glaukomës dhe çfarë tip glaukome është, në bazë të asaj ne kemi dhe protokollet e mjekimit.

E para është mjekimi medikamentoz, me solucione të cilat për fat të mirë në Shqipëri kanë hyrë, oftalmiket. Solucionet oftalmike janë medikamentet më të mira. Bëjnë që të ruhet në shifra normale tensioni intraokular.

Një metodë tjetër shumë e avancuar është përdorimi ilazerit.

Në pacientët që kanë glaukomë me kënd të ngushtë, të mbyllur, rekomandohet një ndërhyrje me lazer që bën hapjen në pjesën e irisit të një këndi të vogël për të qarkulluar lëngu në pjesën që është bllokuar. Për të qarkulluar diku tjetër, bëhet një hapje tjetër në bazë të ekzaminimeve shumë të hollësishme që bëhen përpara se të bëhet lazeri dhe kjo e shpëton pacientin nga rreziku i humbjes së shikimit.

Ka edhe metoda të tjera siç është metoda kirurgjikale që ka disa lloj teknikash kirurgjikale bashkëkohore.

Intervistoi: Freskida Miloti