Emisioni “Diagnozë” nis një kapitull të ri në Vizion Plus, me Freskida Milotin

Nga kjo e shtunë, në orën 14:00, emisioni “Diagnozë” vjen në Vizion Plus, duke vijuar misionin e informimit dhe ndërgjegjësimit për shëndetin, përmes ekspertizës mjekësore, këshillave të specialistëve dhe historive që frymëzojnë.

Një ekran i ri, një audiencë më e gjerë dhe i njëjti mision: ta sjellim shëndetin më pranë njerëzve.

Emisioni “Diagnozë”, me autore dhe moderatore Freskida Milotin, nis një etapë të re televizive në Vizion Plus, duke vijuar përkushtimin ndaj informimit të saktë dhe ndërgjegjësimit të publikut për çështjet që lidhen me shëndetin dhe cilësinë e jetës.

Reklame
Reklamë

Përmes intervistave me emrat më të spikatur të mjekësisë, këshillave të specialistëve, risive mjekësore, historive të pacientëve dhe rrëfimeve që përcjellin mesazhe shprese, “Diagnozë” do të vijojë të ofrojë informacion të besueshëm dhe të dobishëm për publikun.

Në një kohë kur informimi shëndetësor është gjithnjë e më i rëndësishëm, emisioni synon të ndihmojë qytetarët të kuptojnë më mirë trupin e tyre, të informohen për parandalimin dhe të marrin vendime më të përgjegjshme për shëndetin, gjithmonë në mbështetje të ekspertizës profesionale mjekësore.

Për Freskida Milotin, ky ndryshim shënon një kapitull të ri në një rrugëtim të ndërtuar mbi përkushtimin ndaj gazetarisë shëndetësore dhe komunikimit me publikun. Një rrugëtim që shkon përtej ekranit, duke e konsideruar informimin një përgjegjësi dhe ndërgjegjësimin një pjesë thelbësore të kujdesit për shëndetin.

Nisja e bashkëpunimit të ri shoqërohet edhe me mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë rrugëtim ndër vite, si dhe me angazhimin për të sjellë përmbajtje cilësore për një audiencë gjithnjë e më të gjerë.

“Diagnozë” nis këtë të shtunë, në orën 14:00, në Vizion Plus.

Sepse shëndeti meriton vëmendje, ndërsa informacioni i saktë mund të bëjë diferencën.