Në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë”, autorja dhe moderatorja Freskida Miloti mirëpriti Dr. Romina Radonshiqin, doktore e shkencave në ekonomi, lektore universitare, drejtuese e Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit, sipërmarrëse dhe autore e katër librave shkencorë si edhe e dhjetëra artikujve të botuar në revista prestigjioze ndërkombëtare.
E përzgjedhur nga Albanian Excellence mes 121 grave shqiptare të suksesshme, Dr. Romina ndau në studio rrugëtimin e saj profesional, rëndësinë e kërkimit shkencor dhe ndikimin që ai duhet të ketë në zhvillimin e politikave publike.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua studimit të saj të publikuar në Revistën Shkencore Mjekësore “Diagnozë”, i cili analizon sfidat me të cilat përballen pensionistët shqiptarë në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor dhe medikamenteve.
Sipas saj, plakja e popullsisë po rrit kërkesën për shërbime shëndetësore, ndërsa shumë pensionistë përballen me pensione të pamjaftueshme, sëmundje kronike dhe vështirësi për të përballuar kostot e trajtimit.

Dr. Radonshiqi theksoi se rezultatet e studimit tregojnë se rreth 80% e pensionistëve kërkojnë zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, pasi një pjesë e konsiderueshme e pensionit shkon për blerjen e medikamenteve. Po ashtu, shumë prej tyre mbështeten financiarisht nga fëmijët për të përballuar shpenzimet shëndetësore.
Studimi evidenton gjithashtu dallime të rëndësishme mes zonave urbane dhe rurale. Pensionistët që jetojnë në fshat hasin më shumë vështirësi për shkak të distancës nga qendrat shëndetësore, infrastrukturës së kufizuar dhe kostove shtesë të transportit për të marrë shërbimet mjekësore.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte se mbi 90% e pensionistëve do ta mirëprisnin krijimin e një linje telefonike 24-orëshe, ku një mjek të ofronte këshillim dhe orientim falas për problemet shëndetësore.
Gjatë bisedës u diskutua edhe roli i kërkimit shkencor në përmirësimin e cilësisë së arsimit universitar. Dr. Romina Radonshiqi theksoi se kërkimi shkencor nuk duhet të mbetet vetëm në auditore, por duhet të shndërrohet në botime dhe studime që ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe në hartimin e politikave efektive.
Në fund të intervistës, ajo apeloi për më shumë investime në kujdesin shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale, zgjerimin e paketës së barnave të rimbursueshme, forcimin e edukimit shëndetësor dhe nxitjen e kontrolleve parandaluese.
Moderatorja Freskida Miloti theksoi se shëndeti i të moshuarve është përgjegjësi jo vetëm e institucioneve, por edhe e familjes dhe e gjithë shoqërisë, ndërsa emisioni “Diagnozë” do të vijojë të sjellë në vëmendje tema që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)









