Suela Këlliçi¹, Irisa Gançi¹, Rovena Daja²
Institucionet:
¹Departamenti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë
²Instituti i Shëndetit Publik
Botuar në: Revista Shkencore Mjekësore “Diagnozë”
ISSN (Print): 3104-4476
ISSN (Online): 3104-4484
Viti: 2025
Numri: 2
Data e botimit: gusht 2025
Faqe: 75–104
Abstrakt
Hyrje: Përfshirja e farmacistëve në imunizimin e popullatës është një praktikë gjithnjë e më e pranishme në nivel global, me përfitime të shumta për pacientët dhe sistemet shëndetësore. Në Shqipëri, farmacistët nuk kanë ende të drejtën ligjore për të përshkruar ose administruar vaksina. Ky studim synoi të vlerësojë qëndrimet dhe barrierat e perceptuara nga farmacistët lidhur me përfshirjen e tyre në procesin e imunizimit.
Metodat: Studim përshkrues, “cross-sectional”, me pyetësor online të strukturuar, i drejtuar farmacistëve të rrjetit të hapur në Shqipëri. U përfshinë 206 pjesëmarrës. Të dhënat u analizuan përshkrueshëm dhe analiza statistikore është ende në proces.
Rezultatet: 91.2% e farmacistëve shprehën gatishmërinë për të administruar vaksina, me barrierat kryesore që lidhen me menaxhimin e efekteve anësore (88.9%), pasigurinë ligjore (86.4%) dhe mungesën e trajnimit (83.8%). Përfitimet e perceptuara përfshijnë rritjen e imunizimit (77.7%) dhe ofrimin e këshillimit të kualifikuar (68.5%).
Konkluzione: Farmacistët shqiptarë tregojnë potencial të konsiderueshëm për përfshirje aktive në imunizim, por kërkohet kuadër ligjor i qartë dhe programe trajnimi të strukturuara për të mundësuar këtë rol të zgjeruar.
Fjalë kyçe: imunizim, farmacist, shëndet publik, barriera, edukim mjekësor.
Artikulli është i licencuar sipas Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International (CC BY-NC 4.0). Lejohet ripërdorimi jo-komercial, për sa kohë citohet burimi.