Pediatria

Historiku i kirurgjisë së Pediatrisë

Flet profesor i asociuar Sokol Buba, kirurg infantil në Spitalin e Pediatrisë në QSUT

 

 Freskida Miloti: Kur është krijuar kirurgjia e këtij spitali?

Sokol Buba:Kirurgjia pediatrike është krijuar me një histori pothuaj 45-46-vjeçare.

Kryesisht janë ndërmarrë aty të gjitha kirurgjitë e traktit,anomalitë kongenitale të traktit digjestiv dhe më vonë rreth viteve ‘91-‘92 kjo kirurgji u shkëput nga kirurgjia e përgjithshme që quhej atëherë spitali numër 2 dhe u vu nën kuadrin e spitalit të Pediatrisë.

Kjo ishte një nismë që u mor për të qenë sa më afër fëmijëve si në godina, si në shërbime dhe ata të merrnin shërbime sa më shpejt dhe sa më mirë.

Kuadrot e parë të kësaj kirurgjie janë specializuar në Kinë dhe brezi i dytë në Francë.

Më vonë, mbas viteve ‘90 pothuaj të gjithë janë specializuar në Itali, në Francë, në Gjermani, në Egjipt, në Amerikë për të marrë dhe për të bërë të mundur aplikimin e të gjithë metodave kirurgjikale që janë më bashkëkohoret sot në botë.

Freskida Miloti: Cilat ishin specialitetet e para?

Sokol Buba:Fillimisht u fillua me anomalitë kongenitale, të cilat ishin atrezitë e ezofagut, atrezitë e duodenit, të zorrëve.

Këto fillimisht bëheshin në dy klinikat e përgjithshme të kirurgjisë, në klinikën e parë dhe në klinikën e tretë, ndërsa të gjitha anomalitë që kishin të bënin me traktin urinar siç ishin anomalitë e veshkave, anomalitë kongenitale të penisit, gurët e veshkave, këto trajtoheshin në klinikën e urologjisë.

Mbas vitit ‘92 me një zhvillim më të madh që mori dhe ky duke dalë si shërbim më vete dhe duke pasur hapësirat e tij, pavijon të veçantë, një bllok operator të veçantë, 4 salla të pajisura me të gjitha aparaturat e nevojshme dhe të fjalës së fundit të teknikës.

Dhe gama e operacioneve në këtë shërbim u bë akoma më e madhe.

Sot për sot bëhen ndërhyrje të të gjithë moshave.

Freskida Miloti: Si është zhvilluar vit pas viti kjo kirurgji? Në të gjitha aspektet, përtej specialiteteve që ju evidentuat, pra që janë kryer specialitete të ndryshme nga mjekë në shtete siç i thatë dhe ju më parë, por duam njëkohësisht të dimë se si është zhvilluar teknologjia dhe mundësia e operacioneve në Shqipëri…

Sokol Buba:Më përpara dhe mënyra e diagnostikimit ka qenë e veçantë.

Sot me zhvillimin e diagnostikës, të imazherisë, të skanerave, të gjithë aparaturave të cilat na vijnë në ndihmë ne, na sjellin diagnozën sa më të qartë dhe sa më të saktë për të vepruar dhe për të ndërhyrë tek këta fëmijë.

Mund të jenë fëmijë të cilët diagnostikohen që në jetën intrauterine, të cilët kanë probleme me aparatin urinar, kanë një ngushtim të kanalit të urinës, të ureterit që merr urinën nga veshka për ta nxjerrë në fshikëzën e urinës, të cilët kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme dhe kur arrin me një ekografist të mirë ta evidentosh këtë patologji që në jetën intrauterine, atëherë është i përgatitur si prindi, si familjarët e tij, ashtu edhe mjeku që ta bëjnë sa më mirë dhe sa më efiçente këtë ndërhyrje.

Po ta marrësh në të dhëna statistikore për numër operacionesh, rezultatet tona mund të jenë të krahasueshme me klinikat jo vetëm të Ballkanit, por dhe të atyre të Evropës.

Freskida Miloti: Pra të gjitha këto janë evidentuar në një sukses të këtyre ndërhyrjeve kirurgjikale vit pas viti. Cilat janë ato llojet e kirurgjive të cilat mungojnë aktualisht?

Sokol Buba: Pjesa më e madhe, gama më e madhe e të gjitha patologjive që prekin këto mosha pothuajse janë të realizueshme në kushtet e shërbimit dhe klinikës tonë.

Janë dy shërbime të cilat për momentin vazhdojnë t’i bëjnë ndërhyrjet tek fëmijët në shërbimet e tyre, përmend këtu kardiokirurgjinë.

Për periudhën postoperatore transferohen pranë spitalit tonë në shërbimin e terapisë intensive, i cili është një ekip i përbashkët me kirurgët e kirurgjisë infantile.

Freskida Miloti:Cilat janë patologjitë më të shpeshta që vijnë në Tiranë, ndoshta dhe nga rrethet?

Sokol Buba: Tirana sot është pothuajse një mega qytet, nuk është ajo Tirana e viteve ‘90, domethënë ka arritur mbi një milion banorë, pavarësisht se ne nuk e pranojmë me statistika.

Fluksi më i madh i patologjive është këtu në Tiranë, por ky është një shërbim unikal, është shërbim në rang kombëtar, për të gjithë Republikën.

Anomalitë kryesore paraqiten tek ne sidomos neunati, nga i porsalinduri, deri tek 2-vjeçari do operohet patjetër pranë shërbimit tonë.

Janë të gjitha anomalitë kongenitale, të traktit digjestiv, po ashtu janë të gjitha anomalitë e paretit abdominal, këtu do të fusja defektet e lindura laproskiza dhe onfalocela të cilët janë defekte që janë afër kërthizës ose umbilikusit.

Janë defekte të paretit abdominal ku janë herniet, herniet ubinikale, herniet inguinale, herniet epigasterike të cilat dhe këto janë mjaft të shpeshta.

Ju tërheq vëmendjen të gjithë pediatreve, të gjithë rretheve dhe të shërbimit parësor sepse ka shumë herë që këta u thonë prindërve “prit të presim sa të rritet fëmija.”

Hernie inguinale do u thosha që është një patologji urgjente, në momentin qëe diagnostikon, përnjëherë do ta çosh, do ta referosh për një ndërhyrje kirurgjikale për arsye sepse nuk mund të korrigjohet vetë.

Është një prishje e paretit abdominal, e cila vetëm zmadhohet, nuk mbyllet.

Patologji të tjera janë pastaj të gjitha patologjitë e traktit urinar. Duke filluar që me veshkën, disa lindin me 2 veshka të vendosura njëra mbi tjetrën, mund të jetë një veshkë e përbashkët që i përfshin të dyja dhe është një veshkë që ne e quajmë në formë patkoi.

Ka sëmundje të tjera që bëjnë kthimin e urinës nga fshikëza e urinës në drejtim të veshkës, të gjitha këto janë patologji që trajtohen pranë shërbimit tonë.

Freskida Miloti:A mund të nxjerrim në pah ndonjë problematikë dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Sokol Buba:Problematikat janë si kudo, ne nuk jemi të përkryer.

Ne jemi një ekip i vogël, jemi 5 kirurgë dhe ne 5 kirurgë duhet të mbajmë gjithë fluksin e gjithë rasteve që janë evidentuar në gjithë Republikën. Nevojitet një diagnostikim shumë i mirë që në hapat e para! Këtë e kam me sistemin parësor.

Në qoftë se sistemi parësor në të gjitha rrethet, qytetet, spitalet do veprojnë në mënyrë më efiçente në diagnostikimin e rasteve dhe sa më shpejt të kapen ata dhe sa më shpejt të vijnë tek ne,aq më i mirë do jetë dhe rezultati dhe përmirësimi i çdo gjëje.

Freskida Miloti: Pritshmëritë në zhvillimin e kirurgjisë pediatrike cilat janë doktor?

Sokol Buba:Të jemi sa më afër cilësisë së ofrimit të shërbimeve që ofrohen sot kudo, në çdo vend të Evropës ose të botës.

Të jenë protokollet dhe standardet më të mira.

Kemi futur një kirurgji të re që quhet kirurgjia laparaskopike, që është pak a shumë si kirurgjia e hapur,po duke futur një telekamer dhe me dy burime të tjera që fut instrumentat, që vazhdon punon.

Ka 5-6 vite që kemi hyrë në këtë lloj kirurgjie. Rezultatet i kemi të mira dhe kjo është ajo që na inkurajon.

Freskida Miloti: Ju jeni një mjek i mirënjohur dhe sigurisht të shpreh falenderimet e mia në emër të të gjithë pacientëve tuaj. Do doja të më evidentonit një nga sukseset gjatë gjithë karrierës suaj dedikuar kirurgjisë

Sokol Buba:Çdo ditë puna jonë është një sfidë. Hyn me një fëmijë që ështëi sëmurë, pas tij janë dy prindër, familjarë të tjerë që të shohin të gjithë në sy…

Freskida Miloti: Ju besojnë gjënë më të shtrenjtë!

Sokol Buba:Gjënë më të shtrenjtë që është fëmija!Çdo ditë që kalohet caku nga porta e bllokut operator që hyhet në sallë të operacionit,sado që mund të jetë punë prej 20vitesh, prapë emocionohem si ditën e parë, me të njëjtën ngarkesë emocionale, përkushtim, të cilën do e kem deri ditën e fundit.

Freskida Miloti:Kemi një mesazh të fundit për të përcjellë?

Sokol Buba:Kënaqësia ime është që të ketë sa më pak fëmijë që të kenë nevojë që të trokasin në derën e spitalit. Dua të shoh vetëm fëmijë të lumtur, asnjë fëmijë të sëmurë!