Do të vijë medikamenti kundër Coronas nga Kuba në Gjermani?

Në Kinë medikamenti kubanez INFrec u ka ndihmuar pacientëve të infektuar nga Corona. Sipërmarrësi Georg Scheffer do ta importojë atë edhe në Gjermani, por nuk lejohet. Fokusi i tij është ndërkohë Spanja.

Në sfondin e ashpërsimit të krizës së Corona-s në Gjermani shumë janë në kërkim të mënyrave për të ndihmuar. “Ne e kemi ndjekur që në fillim me shqetësim zhvillimin dhe përhapjen e virusit”, thotë Georg Scheffer, drejtor ekzekutiv dhe pronar i Profümed, një sipërmarrje e nivelit të mesëm me rreth 150 të punësuar dhe dy qendra prodhimi në Saksoni dhe në Austri. “Shpejt na u bë e qartë, që duhet bërë diçka, për të shpëtuar jetë.”

Meqënëse një vaksinë nuk mund të prodhohet tani, Scheffer, i cili prej vitesh ka kontakte të mira biznesi me Kubën, do që të importojë medikamentin kubanez Interferon alfa 2B (INFrec) për rreth 1000 pacientë në Gjermani. Ky medikament forcon sistemin e imunitetit dhe normalisht përdoret kundër etheve tropikale si dhe Hepatitit B dhe C. Në Kinë ndër të tjera është përdorur edhe ky medikament kubanez për trajtimin e pacientëve me Corona dhe ka pasur rezultate të mira.

“Çdo jetë, që mund të shpëtohet nga përdorimi i Interferon, ka vlerë, ndaj ne po përpiqemi të marrim licencën e importit. Nuk duam që në Gjermani të krijohet një Itali e dytë”, thotë Scheffer. Sipërmarrja e tij Profümed prodhon produkte mjekësore me bazë qelizore si tamponë, kompresa dhe shtresa krevatesh.