Fibromialgjia, ja çfarë janë dhimbjet që nuk pushojnë

Fibromialgjia, ja çfarë janë dhimbjet që nuk pushojnë

Dr. Laerta Kakariqi

Reumatologe

 

Çfarë është fibromialgjia?

Fibromialgjia është një ndër çrregullimet e karakterit neurologjik e cila prek në radhë të parë komponentët jo kockorë.

Preken muskujt, preken tendinat dhe shumë shpesh dhe vetë lëkura.

 

Kush është kryefjala e këtij çrregullimi?

Është dhimbja! Është një dhimbje me një karakter kronik, dhimbje e vazhdueshme.

Në fibromialgji dhimbja është një dhimbje e mefshtë, tipizohet në përshkrimet e literaturës, por është e vazhdueshme.

Është një dhimbje e cila nuk ndalon asnjëherë dhe i shoqëron pacientët gjatë gjithë 24 orëshit në mënyrë të vazhdueshme, ditë pas dite.

Dhimbja prek në përgjithësi gjithë muskujt e trupit, duke filluar që nga anset e sipërme, vazhdon me muskujt e kraharorit, muskujt e shpinës dhe në ekstremitetet.

Në përgjithësi, ky sindrom është përshkruar për herë të parë shumë herët, në fillimet e 1900-ës, ku është përdorur termi i parë fibrozitis.

Atëherë i është vënë termi fibrozitis duke menduar që është një inflamacion i muskujve ose indi fibrotik.

Ne sot e themi me plot gojën që nuk është sindrom inflamator, nuk është një sëmundje autoimune, siç është pjesa më e madhe e patologjive që mjekët reumatologë trajtojnë, por është një sëmundje e karakterit neurologjik, do të thotë epiqendra fillon pikërisht nga sistemi nervor qendror dhe pastaj simptomat shfaqen në periferinë e organizmit.

Veç dhimbjes që është komponenti kryesor element tjetër shumë i rëndësishëm dhe për të diagnostikuar sëmundjen është lodhja kronike, që shpeshherë shoqërohet dhe me paaftësi në kryerjen e detyrave të përditshme.

Komponenti i tretë shumë i rëndësishëm është ngurtësimi muskular, është një ngurtësim, një ulje e fleksibilitetit dhe lëvizshmërisë në përgjithësi të indeve të buta.

Më i vështirë është zgjimi mëngjesor dhe tipizohet si ngurtësimi mëngjesor, i cili shumë shpesh keqinterpretohet ose mund të ngatërrohet fare lehtësisht edhe nga specialistët që e trajtojnë këtë sëmundje me ngurtësimin mëngjesor që është tipik i artritit reumatoid.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm, simptomë e këtij çrregullimi është elementi depresiv.

Pjesa më e madhe e pacientëve kanë labilitet të theksuar emocional dhe kanë probleme me ndjeshmërinë.

Tjetër simptomë e kësaj sëmundje është ajo që në terminologjinë tonë mjekësore e quajmë fibrofog. Çfarë do të thotë fibrofog?

Është një mjegullim i aftësisë për t’u përqendruar, për t’u koncentruar dhe mbi të gjitha për të memorizuar informacionet e reja.

Tjetër element janë edhe çrregullimet intestinale, gastrointestinale.

Elementi i fundit janë çrregullimet e gjumit.

Njihen shkaqet e kësaj sëmundje?

Nga studimet e deritanishme rezulton se trashëgimia është shumë e rëndësishme.

Ky është i vetmi element i cili njihet si elementi mirëfilltë shkaktar.

 Më shumë preken femrat apo meshkujt?

 Thuhet që janë 7 herë më të prekura femrat në krahasim me meshkujt.

Si fashë moshe ku shfaqet më shumë është në moshat 30 deri në 50 vjeç.

Gjithmonë pacientët të cilët vuajnë nga artriti reumatoid dhe të tjera sëmundje autoimune, janë të predispozuar për të pasur edhe fibromialgjinë?

Po, kjo është e vërtetë.

Gjendet më shpesh si sindromë në pacientë që kanë një patologji bazike autoimune inflamatore sistemike, siç është artriti reumatoid, lupusi ritematoz apo patologji të tjera kryesisht që prekin sistemin osteoartikular.

Ama duhet thënë që mjekimi do bëhet në linja të ndryshme. Sepse e theksoj edhe njëherë, polimialgjia nuk është çrregullim me karakter inflamator autoimun.

Sot mund të themi që ka një disbalancë të neurotransmetuesve, pra ka një prishje të ekuilibrit midis neurotransmetuesve.

Bëhet fjalë kryesisht për mungesë të atyre neurotransmetuesve që ne i konsiderojmë neurotransmetuesit të humorit të mirë, pra të mirëqenies psiko-fizike.

Si e diagnostikoni?

Duhet thënë që teste të mirëfillta diagnostike të pjesës laboratorike që të përjashtojnë apo të konfirmojnë diagnozën, ky sindrom nuk ka.

Duke qenë se është kryesisht diagnozë përjashtimore, neve ndjekim kriteret në radhë të parë përjashtimore për t’u drejtuar drejt kësaj diagnoze.

Në radhë të parë meqenëse konfrontohet shpesh me patologji të tjera që prekin përsëri artikulacionet, por dhe muskujt dhe lëkurën, por që janë të karakterit inflamator, atëherë duhen përjashtuar këto patologji:artriti reumatoid, lupusi ritematoz, polimialgjia reumatika e cila është shumë e ngjashme në simptoma me fibromialgjinë.

Ndër më të rëndësishmet dhe që merret në konsideratë është eritrosedimenti.

Në të gjitha patologjitë e mirëfillta inflamatore, eritosedimenti është domosdoshmërisht mbi normë dhe mund të arrijë vlera vërtet shumë të larta.

Ndërsa në fibromialgji, eritosedimenti duhet të jetë brenda vlerave normale.

Në aspektin laboratorik, dalja e ekzaminimeve të indekseve të inflamacionit brenda vlerave normale, është një ndër kriteret e cila konfirmon ose shkon drejt diagnozës së fibromialgjisë.

Duhet të jenë të pranishme të paktën 18 pika të dhimbshme të shpërndara në të gjithë trupin, që të konfirmohet fibromialgjia reumatika.

Cilat janë komplikacionet që mund të vijnë nëse nuk ndiqet siç duhet?

Komplikacioni që është i rëndësishëm dhe duhet marrë në konsideratë është thellimi i simptomave, pra agravimi i tyre.

Pa ndërhyrë ne me terapinë përkatëse simptomat vijnë gjithmonë duke u përkeqësuar. Fillojnë thellohen elementët depresivë.

Cili është trajtimi efikas?

Lidhur me trajtimin ka dy linja bazë të cilat ne ndjekim. Bëhet fjalë për trajtimin farmakologjik dhe trajtimin jofarmakologjik.

Mund të përdoren barnat antiinflamatore analgjezikë, por duke theksuar që në fillim që zakonisht antiinflamatorët analgjezikët e klasës së antiinflamatorëve josteroidë, impakti, efikasiteti i tyre tek ky sindrom duke qenë se nuk është një sindrom inflamacioni, lë për të dëshiruar.

Mund të frenojnë dhimbjen, por nuk japin qetësim në shkallën maksimale të saj.

Çfarë tjetër mund të përdoret?

Paracetamoli, i cili është analgjezik i mirëfilltë, por jo antiinflamator.

Në gjithë Udhëzuesit Ndërkombëtarë Farmakologjikë lidhur me trajtimin e këtij sindromi, linja e parë e trajtimit janë barnat antidepresivë.

Sepse barnat antidepresivë tentojnë të rrisin noradrenalinën, serotoninën dhe dopaminën.

Që përshkruhet në pjesën më të madhe të skemave është duloksetina dhe është bari mirëfilltë antidepresiv. Tjetër opsion është milnaciprani.

Tjetër çfarë mund të përdorim?

Antiepileptikët e rinj, të cilët përsëri si mekanizëm veprimi ndërfuten duke ekuilibruar këto neurotransmetues dhe janë shumë të adaptueshëm për fibromialgjinë.

Ndër më të kuotuarit është gabapentina ose pregabalina.

Ose njëri ose tjetri, sigurisht nuk do bëhet kombinimi i tyre, pra do zgjidhet një linjë bazë.

Sa zgjat kjo terapi dhe a ka shërim pacienti?

Kjo terapi nuk ka përcaktim kohor. Sindromi nuk mund të konsiderohet 100% i shërueshëm. Reagimi është shumë individual.

Një komponent shumë të rëndësishëm ka dhe trajtimi jofarmakologjik.

Në trajtimet jo farmakologjike përfshihen kryesisht:rehabilitimi fizik, teknika të relaksimit psikofizik, elementë të jogës, aerobia, ushtrimet fizike.

 

Intervistoi: Freskida Miloti