Gjëndra tiroide

Çfarë e shkakton zmadhimin e gjëndrës tiroide?

 Dr. Dashamir Gjergji

 Endokrinolog

  

Do të flasim për gjëndrat tiroide. Sa e rëndësishme është kjo gjëndër?

Gjëndra tiroide është një gjëndër endokrine dhe kur themi endokrine, nënkuptojmë një gjëndër që prodhon hormone dhe i hedh ato në gjak.

Teorikisht gjëndra tiroide është e vogël në përmasa, por është gjëndra më e madhe e sistemit endokrin sepse për hir të së vërtetës shumica e gjëndrave në organizmin tonë janë të vogla, por punën e bëjnë shumë të madhe, ndaj dhe rëndësia e tiroides është shumë e madhe.

Gjëndra tiroide kontrollon thuajse çdo lloj funksioni të organizmit dhe çdo lloj qelize e organizmit teorikisht është e ndërvarur në funksionin e saj me gjëndrën tiroide.

Ajo ka formën e fluturës. Është e vendosur në pjesën e përparme të qafës, fiks te molla e Adamit që quhet ndryshe, pak poshtë saj. Është e përbërë nga dy lobe dhe këtu mos të ngatërrohen teleshikuesit/lexuesit sepse na ndodh rëndom që na pyesin “gjëndrat tiroide” në numrin shumës, por në të vërtetë është numri njëjës.

Pra kemi vetëm një gjëndër tiroide. Funksioni bazë i gjëndrës tiroide është kontrolli i metabolizmit, kontrolli i energjisë tonë ushqimore, që marrim nga ushqimet.

Pra pa një gjëndër të mirë tiroide ne nuk kemi tretje të ushqimeve dhe nuk kemi përfitim të energjisë, për pasojë dhe shpenzim të saj pastaj më vonë. Është një termorregullator, një rregullator i energjisë,i organizmit tonë.

Shpeshherë pacientët kur kryejnë analizat e tyre shikojnë T3 T4. Jua shpjegoni se çfarë janë këto? Dhe hulumtojnë për të kuptuar se çfarë janë, ndaj jua bëra këtë pyetje…

T3 dhe T4 janë bërë vërtet kaq shumë popullore në kuptimin e komunikimit, në kuptimin e përmendjes së këtyre numrave, por në të vërtetë ato s’do të thonë asgjë tjetër nga pikëpamja shkencore vetëm se janë dy hormonet kryesore që prodhon gjëndra tiroide.

Gjëndra tiroide është tepër e rëndësishme edhe në pjesën e maturimit në pubertet.

Është ekstremisht e rëndësishme edhe në funksionimin e muskujve, ekstremisht e rëndësishme edhe në fortësinë kockore, është e rëndësishme për rrahjet e zemrës.

Por si i jep këto efekte? Këto efekte i jep nëpërmjet hormoneve, këtyre T3 dhe T4, të cilët duke i hedhur në gjak shkojnë nëpër qeliza shenjë të tyre sepse sistemi endokrin është si wireless,është komunikim pa tela, është komunikim në distancë, por me sinjale.

Gjithë organizmi ynë nuk do të funksiononte në qoftë se nuk do të kishim këtë sistemin e sinjalistikës ose sistemin e komunikimit të tillë.

I gjithë sistemi endokrin është ekstremisht i vështirë për t’u kuptuar. Duket i thjeshtë në pamje të parë, por është tmerrësisht i vështirë për t’u kuptuar.

Për këtë pjesë dua të bëj një parantezë që njerëzit mos të ngatërrohen sepse ndodh rëndom në praktikën e përditshme që shumica e njerëzve shkojnë vetë bëjnë disa hormone të tilla T3, T4 apo tentojnë të komentojnë vetë gjëra të tilla.

Është i lirë secili të marrë një informacion, por ju garantoj që nuk është kaq e thjeshtë për t’i interpretuar ato.

 

Sigurisht, të kenë kulturë mjekësore, por që në rastet konkrete të problemeve duhet t’ju drejtohen.

Dashamir Gjergji: Mos orientimi drejt në marrjen e këtyre terminologjive sepse varet se ku futen, në cilin website futen, çfarë marrin, më tepër na e ka dëmtuar punën se sa na ka bërë mirë.

Freskida Miloti: Shpeshherë nuk dihen referencat se sa janë të sakta dhe keqinformohen, prandaj dhe ne bëjmë emisione të tilla.

Dashamir Gjergji: Vazhdojmë më tej ndoshta pakme humor do ta them për të kuptuar rëndësinë e gjëndrës tiroide.

Nga pikëpamja ekonomike, SHBA kuptohet që është motori i botës, apo jo? Po vetë SHBA kanë New York-un që gjeneron si ai motori që përshpejton apo që stimulon rritjen ekonomike të Amerikës. E jo më kot New York-un e kanë konsideruar “tiroidja e Amerikës”.

Është tiroidja ajo që kontrollon gjithçka në organizmin tonë, në kuptimin e energjisë.

Çfarë e shkakton keqfunksionimin e gjëndrës tiroide?

Pavarësisht shkakut kush e ngacmon këtë tiroide që mos të bëjë normalisht detyrën dhe punën e saj, e rëndësishme është si gjëndra tiroide e prish atë funksionin e saj.

Shpeshherë e krahasojmë me makinën,për ta bërë pak më divulgative, pak më të thjeshtë për njerëzit.

Në qoftë se një makinë në kushte normale duhet të ketë një minimum xhirosh, atëherë këtë e rregullon tiroidja në organizëm, këtë minimumin e xhirove tona.

Në momentin që ngacmohet kjo “makina” e organizmit tonë, e rëndësishme është,i ka ulur xhirot? Na e ka bërë organizmin më dembel apo i ka përshpejtuar xhirot dhe e ka bërë organizmin më të shpejtë?

Freskida Miloti: Pra kemi dy situata.

Dashamir Gjergji: Sigurisht! Pavarësisht shkaqeve,kuptohet që shkaqet më të shpeshta janë shkaqet infektive, janë shkaqe autoimune.

Gjëndra tiroide meqenëse jemi dhe në sezonin e dimrit tani preket shumë nga viruset.

Unë e di që do më pyesësh ndoshta dhe për pjesën përse është më e shprehur te gratë kjo sëmundje.

Freskida Miloti: Po, kjo është shumë e rëndësishme.

Dashamir Gjergji: Gratë kalojnë shpesh problematika të caktuara që u modifikohet imuniteti i tyre dhe duke u modifikuar mbrojtja e tyre imunitare do të thotë që nuk e kanë më memoristikën, atë memorien imunitare të saktë edhe shpeshherë ekspozohen organe të caktuara të organizmit apo pjesë të caktuara ndaj këtij imuniteti që nuk funksionon mirë.

E njëjta gjë ndodh me tiroiditin kronik hashimoto, është sëmundja bazë që afekton, që prek gjëndrën tiroide.

Fatmirësisht është graduale, pra nuk vjen direkt, por sigurisht është një sëmundje që në përfundim të saj e shkatërron gjëndrën tiroide. Çfarë janë të tjera shkaqe?

Rrezatimet e ndryshme kanë impakt të madh. Është e ndjeshme gjëndra tiroide ndaj rrezeve. Është i famshëm fakti që pas çernobilit apo fukushimës, këto shpërthimet bërthamore kanë patur ndikim të madh në sensin e sëmundshmërisë. Është shtuar shumë sëmundshmëria e gjëndrës tiroide në këto zona që janë prekur.

Sigurisht që edhe tumoret e gjëndrës tiroide janë të shprehura, pra ato ‘nodo’, lythat që thuhet ndonjëherë në praktikë, kokrrat e mëdha.

Kanceri i tiroides është shtuar shumë, është shtuar shumë në botë, është shtuar shumë edhe në vendin tonë, ndoshta nuk është momenti për ta alarmuar teleshikuesin, por është momenti për t’i thënë që në qoftë se ka një problematikë të caktuar duhet ta ndjekë shpejt në mënyrë që kjo problematikë mos të rëndohet më vonë, mos të agravohet dhe të vijë ndoshta në ato fazat e sëmundjeve malinje të gjëndrës tiroide.

Traumat e ndryshme mund ta prekin gjëndrën tiroide, siç mund të jenë traumat në pjesën e fytit pra anomali të lindura.

Tjetër sëmundshmëri mund të përfshijmë ndoshta edhe sëmundje të tjera gjenerale të organizmit, sëmundjet kronike të cilat e afektojnë gjëndrën tiroide në kuptimin që nuk ja bëjnë të mundur komunikimin e saj me periferinë, etj.

Freskida Miloti: Cilat janë ato sëmundje që të paktën njerëzit t’i dinë dhe që mund të preken?

Dashamir Gjergji: Më të shpeshtat janë sëmundjet autoimune, të cilat fatkeqësisht nuk arrijmë dot që t’i parandalojmë. Janë sëmundje të brendshme të organizmit tonë. Janë infeksionet tiroide dhe këto nodujt, këto lythat dhe këto masat tumorale të gjëndrës tiroide.

Freskida Miloti: Çfarë e shkakton zmadhimin e gjëndrës tiroide?

Dashamir Gjergji: Nëse flasim për një zmadhim të thjeshtë, është ajo që quhet gushë në praktikën e përditshme ose strumi i themi ne në pjesën profesionale mjekësore.

Zmadhimi i gjëndrës tiroide, kalon në disa shkallë. Mund të fillojë si një zmadhim i thjeshtë dhe mund të përfundojë në zmadhim të gradës së dytë, së tretë dhe pastaj krijon ato nodujt, lythat që thamë pak më sipër.

Ajo që e shkakton këtë situatë, gjendje, është deficienca jodike. Jodi është elementi bazë që e thith vetëm gjëndra tiroide dhe atë e ka brumin bazë për të“gatuar”hormonet e saj dhe në mungesë të jodit,organizmi, detyrohet qëtë zmadhojë përmasat në mënyrë që të kompensojë atë çka mungon.

Edhe seleniumi është një element shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e tiroides.

Freskida Miloti: Si paraqitet kjo sëmundje? Cilat janë simptomat? Si vijnë pacientët tuaj, si ankohen ato?

Dashamir Gjergji: Kur kemi ulje të punës së tiroides, njerëzit bëhen më dembelë, janë më të lodhur, kanë shumë ftohtë, zakonisht kanë depresion, kanë mërzi, qajnë, janë të tërhequr, janë apatikë, letargji le të themi në njëfarë mase.

Krejt e kundërta ndodh kur tiroidja na i përshpejton ne ato xhirot e organizmit tonë.

Dhe në të tilla raste këto njerëz janë zakonisht shumë të shpejtë, janë frenetikë, nuk dinë të ndalojnë, flenë shumë pak gjumë, njëkohësisht prapë kanë energji, vishen hollë. Janë anksiozë këto tipa, janë me pak agjitim psikik.

E vërteta është që ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çrregullimeve psikike, stresit, ankthit, depresionit dhe sëmundjeve të tiroides. Gjej momentin të them që shumica e njerëzve që ndoshta i neglizhojnë këto simptoma,është e mira që të bëjnë një kontroll.

Freskida Miloti: Si e diagnostikojmë?

Dashamir Gjergji: Diagnostika përgjithësisht është ajo që thamë në fillim, këto: T3, T4 dhe TSH.

TSH, hormoni stimulues i gjëndrës tiroide që ndodhet në kokën e hipofizës, mban balancat, ai kontrollon punën e kësaj gjëndre për të thënë qëështë në rregull, apo s’është në rregull.

Ai ose stimulohet ose frenohet në varësi të problematikave që ka. Dhe gjëja më e thjeshtë është ta masim këtë TSH.

Ky është orientuesi i parë, pastaj nëse dyshojmë mund të bëjmë edhe këto: T3, T4 dhe hormone të tjera. Pjesa tjetër është një eko e thjeshtë.

Tiroidet duke qenë një gjëndër shumë sipërfaqësore, edhe me sy të lirë, një profesionist po ndoshta dhe mjekët e familjes mund ta diagnostikojnë.

Por me ekografi është akoma dhe më e thjeshtë. Në raste më të agravuara, më të rënduara, kur kërkohet një diagnozë diferenciale e mirë, ne zakonisht bëjmë ekzaminime më të thelluara.

Freskida Miloti: Do doja të ndaleshim tek trajtimi i këtij problemi shëndetësor.

Dashamir Gjergji: Ideale do kishte qenë që ne të kishim mundësi dhe ta parandalonim. Ajo çka sot vlerëson mjekësia botërore është fakti që është më mirë të parandalosh se sa të trajtosh.

Parandalimi tek këto sëmundje është tentuar në botë duke u trajtuar me selenium, por të jem i sinqertë janë akoma kontradiktore.

Studimet e fundit akoma nuk e kanë të përcaktuar saktë,nëse ja vlen që të jepet një element, për të parandaluar sëmundshmërinë autoimune.

Kripën çdo njeri e ka të nevojshme. Duke e marrë të jodizuar do të thotë që ti ke luftuar deficiencën jodike.

Fatkeqësisht ne jemi vend me probleme të defiçencës jodike. Duhet ta pranojmë që kemi akoma problematika të caktuara sidomos në vendet malore, kodrinoro-malore, aty ku jodi gjendet më pak në natyrë.

Trajtimi i sëmundjeve është arebus më vete, konglomerat dhe është një vlerësim integral trajtues i gjëndrës tiroide.

Nuk është i thjeshtë mjekimi i gjëndrës tiroide. Te hormonet e tiroides lëvizet me milimol, me nanogram, janë gjëra shumë mikroskopike, të imëta dhe ndërhyrjet aty mund të kalojnë shpesh nga në tepricë në pakicë dhe e kundërta.