Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi pasditen e së mërkurës se në vendin tonë janë 15 raste me koronavirus.
“Deri tani janë testuar 238 persona, 15 prej tyre kanë rezultuar pozitivë”, tha ministrja në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Ndërkohë, Manastirliu theksoi se nga testimet që u janë bërë mjekëve dhe infermierëve në Durrës, të gjithë kanë dalë negative.
“Në kampionin e parë të testimeve që kemi realizuar në Durrës te mjekët dhe infermierët, të gjithë testimet janë negative. Mjekët dhe infermierët kanë punuar me të gjitha protokollet e mbrojtjes personale. Po bëhet punë e madhe për hetimin epidemiologjik për të vlerësuar rastet në kohë”, tha Manastirliu.