Zemra

Si ndryshojnë simptomat e sëmundjeve kardiake nga të rinjtë te të moshuarit?

Dr. Anila Shahinaj Rexha

Kardiologe

 

Freskida Miloti: Cilat janë ato sëmundje që prekin më shumë të moshuarit?

Anila Shahinaj Rexha: Në qoftë se deri para 3 dekadash konsideroheshin të moshuar individët mbi 65 vjeç, literatura e re mjekësore ka ndryshuar esencialisht këtë gjë, duke konsideruar të moshuar një individ mbi 80 dhe këtë gjë unë e them shpesh edhe me pacientët e mi sepse sigurisht empatia apo sjellja e mirë është gjëja më kryesore për këta individë.

Ta quash të moshuar dikë është impakti i parë pozitiv apo negativ që jep tek ky individ. Sigurisht duke qenë faktor më vete risku për sëmundjet kardiovaskulare sa më i moshuar një individ, aq më i lartë risku për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, që do të thotë në këta individë ne jemi shumë më të kujdesshëm për ta rivlerësuar riskun kardiovaskular i cili rritet ndjeshëm me moshën.

Freskida Miloti: Cilat janë këta sëmundje në këtë grupmoshë?

Anila Shahinaj Rexha: Filluar nga sëmundja koronare, riskun e së cilës ne fillojmë ta vlerësojmë që në moshën 40 vjeç.

Për popullatën mbi 65 vjeç pothuajse 1 e katërta e këtyre individëve gjenden në risk të lartë kardiovaskular.

Në qoftë se ne shohim probabilitetin për të bërë sëmundje kardiovaskulare të një individi në 10-vjeçarin që ka përpara do të thotë që një e katërta e të sëmurëve mbi 65 kanë risk të lartë kardiovaskular ose mbi 20% llogaritet risku kardiovaskular për dhjetëvjeçarin e ardhshëm që do të thotë sa më të moshuar, aq më i lartë ky risk.

Në popullatën mbi 80 ky risk rritet edhe më shumë.

E parë kjo në raport me sëmundjen koronare apo në raport me ngushtimin e enëve të gjakut  që furnizojnë muskulin e zemrës me gjak, por jo vetëm për këto, për sëmundjen valvulare, sëmundja valvulare sidomos ajo e valvulës së aortës dhe valvulës mitrale me rritjen e moshës proabilon të jetë shumë më e lartë.

Çrregullimet e ritmit. Është gjithashtu një problem i cili rritet ndjeshëm, çrregullimet e ritmit ose aritmia rritet ndjeshëm me rritjen e moshës.

Freskida Miloti: Cilët janë faktorët e riskut?

Anila Shahinaj Rexha: Faktorët e riskut janë disa. Mosha hyn në faktorët e riskut të pamodifikueshëm.

Një pjesë e mirë e faktorëve të riskut për sëmundjen e enëve të gjakut, të zemrës dhe për sëmundjet kardiovaskulare në përgjithësi janë faktorë të modifikueshëm, filluar nga stili i jetesës, duhanpirja, jeta pa aktivitet fizik, mbipesha apo obeziteti, prezenca e diabetit, prezenca e lipideve të rritura në gjak.

Ndër faktorët favorizues për sëmundjen e enëve të gjakut të arterieve koronare, por edhe për sëmundjet kardiovaskulare, presioni i lartë i gjakut arterial është një ndër faktorët më kontribues për zhvillim të sëmundjes së enëve të gjakut, të zemrës dhe të sëmundjeve kardiovaskulare.

Freskida Miloti: Cilat janë ato sëmundje të cilat në mënyrë direkte apo indirekte ndikojnë në shfaqjen e këtyre problemeve tek individë të ndryshëm?

Anila Shahinaj Rexha: Janë një sërë sëmundjesh që kontribuojnë apo rëndojnë sëmundjet e enëve të gjakut, të zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Ndër kryesoret është prezenca e diabetit, dëmtimet e funksionit renal, dëmtimet e funksionit hepatik sidomos në të moshuarit kanë probabilitet më të lartë për të qenë prezentë.

Freskida Miloti: Pse në këto raste, tek këto grupmosha, tek këta individë që kanë shfaqur problemet e sëmundjeve kardiake ka një komplikacion në kombinimin e medikamenteve për terapinë e tyre?

Anila Shahinaj Rexha: Është mjaft e rëndësishme që në të moshuarit ne të individualizojmë mjekimin sepse siç është një pacient nuk është një tjetër.

Më të kujdesshëm jemi me të moshuarit që kanë një kompleks sëmundjesh. Që përveç sëmundjes së zemrës kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese si diabeti, problemet e veshkave, problemet e sistemit nervor. Në këto raste kur fillojmë mjekimin jemi mjaft të vëmendshëm.

Freskida Miloti: Çfarë ndryshimi pëson zemra me kalimin e moshës?

Anila Shahinaj Rexha: Si çdo organ zemra me kalimin e viteve padiskutim që pëson ndryshime fiziologjike në raport me moshën.

Duke vlerësuar herët riskun kardiovaskular që zemra si organ të sëmuret sa më vonë dhe sa më pak të jetë e mundur.

Freskida Miloti: Ku ndryshojnë shenjat klinike mes pacientëve në moshë të re dhe atyre në grupmoshën e tretë?

Anila Shahinaj Rexha: Shpeshherë të moshuarit nuk shfaqin të njëjtat simptoma si të rinjtë.

Ne gjithnjë tek pacienti vlerësojmë dhimbjen, dhimbjen e kraharorit, dhimbjen përreth zemrës, por në të moshuarit jo gjithmonë infarkti mund të shfaqet në të njëjtën mënyrë. Sepse edhe ndjeshmëria dhe simptomat modifikohen me vitet.

Prezenca e sëmundjeve shoqëruese si diabeti apo sëmundjet e sistemit nervor bëjnë që percepsioni rreth ndjesisë të mos shfaqet në të njëjtën mënyrë si tek një i ri.

Qoftë për shkak të problemeve të sistemit nervor apo për shkak të prezencës së diabetit i cili shuan dhimbjen.

Në këto raste një pjesë e mirë e simptomave të lidhur me sëmundjen e enëve të gjakut të zemrës mund të shfaqen jo me dhimbje kraharori tashmë, por me simptoma jotipike si për shembull vështirësi në frymëmarrje, një lloj gjendje turbullimi apo vështirësie për të kryer aktivitetet e përditshme.

Freskida Miloti: Sa është i rëndësishëm zhvillimi i qarkullimit kolateral tek të moshuarit dhe ku ndryshon tek të rinjtë?

Anila Shahinaj Rexha: Qarkullimi kolateral është një qarkullim ndihmës. Është një qarkullim që lidh zonat të zemrës që ushqehen nga një arterie me zonat që ushqehen nga një arterie tjetër.

Në të rinjtë për fat jo të mirë nuk është shumë i zhvilluar qarkullimi kolateral dhe është një ndër arsyet që ne themi që ngjarjet në të rinjtë sidomos infarktet ndodhin në mënyrë më dramatike, pikërisht në mungesë të këtij qarkullimi.

Freskida Miloti: Sa është i rrezikshëm fibrilacioni atrial?

Anila Shahinaj Rexha: Duke qenë se të moshuarit janë mjaft më të riskuar edhe për çrregullime ritmi siç e thashë në fillim, fibrilacioni atrial është një nga çrregullimet më të zakonshme të ritmit. Është aq prezent sa shkon deri në 17, deri në 20%, është prevalenca e tij, në grupmoshën mbi 80 vjeç.

Është mjaft i rëndësishëm si çrregullim ritmi sepse pothuajse pesëfishon riskun për të bërë goditje cerebrale.

Mënyra e trajtimit që në rastin konkret është mjekimi me antikoagulantë apo e thënë thjesht holluesit e gjakut, është njëlloj i rëndësishëm si tek më të rinjtë vetëm se meriton një monitorim më të kujdesshëm të parametrave renalë dhe hepatikë.

Freskida Miloti: Cilat janë ato grup medikamentesh për trajtimin e këtyre sëmundjeve?

Anila Shahinaj Rexha: Meqenëse hipertensioni është patologjia më prezente në këto grupmosha dhe patologjia e cila është më e trajtueshme korrekt, duke qenë një lloj tjetër hipertensioni krahasuar me grupmoshat e reja, në këto mosha shohim shpeshherë hipertension të izoluar sisolik që do të thotë presioni i lartë i gjakut ose presioni sisolik shpeshherë është ai vetëm i lartë dhe presioni i ulët është normal.

Cili është mekanizmi? Në këto raste është një hipertension ndryshe nga grupmoshat e reja, quhet hipertensioni me reninë të ulur. Dhe duke qenë kështu ne zgjedhim tjetër grup medikamentesh nga mosha më e re. Për ta thënë thjesht ne zgjedhim kalçibllokuesit apo diuretikët.

Shumica e pacientëve që bëjnë insulte cerebralë kanë hipertension dhe gjithnjë ne jemi më sensibël ndaj trajtimit të hipertensionit sepse për fat të mirë përveçse kërkon një bashkëpunim me të sëmurin, përsa i përket rregullshmërisë së mjekimit është një ndër patologjitë më të trajtueshme.

Freskida Miloti: A mund të parandalohen këto sëmundje?

Anila Shahinaj Rexha: Një pjesë e mirë e sëmundjeve kardiovaskulare janë mjaft të parandalueshme. Prandaj ne i marrim masat herët që në këtë moshë këto të jenë sa më pak prezentë apo të jenë të trajtuara mirë. Mund të mos e shmangim hipertensionin apo rritjen e lipideve në gjak, por për fat të mirë ato sot janë mëse të trajtueshme dhe duke qenë të tilla, pavarësisht grupmoshës përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e jetës.

Freskida Miloti: Çfarë është e ndaluar në dietën e të moshuarve dhe çfarë është e rekomanduar?

Anila Shahinaj Rexha: Gjithë udhërrëfyesit në të cilët ne bazohemi nuk e diferencojnë këtë grupmoshë nga popullata më e re sa i përket këshillave apo mjekimit.

Të bëjnë aktivitet fizik, aq sa ua lejon mundësia totale, mundësia e lëvizjes, sigurisht duan një lloj kujdesi, duan një lloj përkujdesje në marrjen e medikamenteve.

Fenomenet si demenca i bëjnë ato më pak të kujdesshëm në marrjen e preparateve.

Të rregullohet ushqyerja e përditshme. Të reduktohet sasia e proteinave me origjinë shtazore si mishi apo nënproduktet e tij, është e rëndësishme të ulet sasia e kripës.

Reduktimi i kripës dhe i yndyrnave në gjak është mjaft i rëndësishëm. Dhe padyshim marrja korrekte e preparateve.

Gjithë shoqëria ka në dorë që të moshuarin ta trajtojë sa më ndjeshmërisht.