Flasin ekspertët: Rëndësia e reduktimit të dëmit dhe domosdoshmëria e rishikimit të strategjive kundër duhanit

Studiuesit dhe specialistët e shëndetit publik, të mbledhur në Forumin Global mbi Nikotinën në Varshavë, kanë vënë në dyshim qasjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ndaj produkteve alternative të nikotinës. Ata shprehen se OBSH ndjek një qëndrim që “injoron’’ provat shkencore dhe se kjo saboton strategjitë e reduktimit të dëmit, të cilat janë në dobi të konsumatorit dhe shëndetit publik.

I moderuar nga Clive Bates, sesioni mblodhi së bashku ekspertë të shëndetit, studiues dhe përfaqësues nga industria. Panelistët ranë dakord se pretendimet e OBSH-së, që refuzojnë produktet alternative, si në mediat sociale ashtu edhe në dokumentet zyrtare, përdorin gjuhë alarmiste, nuk marrin në konsideratë studimet kryesore dhe nuk hedhin poshtë mitet që qarkullojnë për produktet me risk të reduktuar.

“Nuk ka shumë prova afatgjata, por ka prova të mjaftueshme për të thënë me siguri se produktet alternative paraqesin një rrezik shumë më të ulët se cigaret tradicionale,” tha Clive Bates.

Reklame
Reklamë

Një nga vërejtjet kryesore ishte përdorimi i termit “krijon varësi të lartë” për të përshkruar nikotinën, pa asnjë kontekstualizim. Panelistët argumentuan se kjo shprehje, pa nuanca shkencore, krijon konfuzion midis varësisë fizike dhe varësisë psikologjike, duke mos marrë parasysh faktorë të tillë si mënyra e administrimit të nikotinës dhe karakteristikat individuale të konsumatorit.

Gjithashtu u vu në dyshim fakti që OBSH vazhdon të lidhë produktet si vape me sëmundje serioze si kanceri. “Ka shumë prova shkencore për këtë përbërës. Por ka ende nga ata që thonë se nikotina shkakton kancer dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për t’u hedhur poshtë nga komuniteti shkencor,” u shpreh Riccardo Polosa.

“Në Australi është parë se ndalimi i cigareve elektronike ka nxitur tregtinë e paligjshme, e cila po sjell probleme të mëdha,” shtoi një prej përfaqësuesve nga industria.

Në fjalimin e tij, Roberto Sussman, studiues, kritikoi qasjen ndaluese të OBSH-së: “Në Meksikë, cigaret elektronike janë të ndaluara, dhe megjithatë të gjithë i përdorin ato, sepse kartelet i shesin në mënyrë të paligjshme. Nëse vizitoni Meksikën, nuk do t’ju shkojë në mendje se këto produkte janë të ndaluara, sepse do t’i shihni kudo. Ky është shembull i qartë i një politike rregullatore të dështuar.”

Ata gjithashtu akuzuan OBSH-në për “ngatërrimin e rreziqeve të mundshme me rreziqet aktuale, duke injoruar faktorë kryesorë si doza apo ekspozimi”. U permend gjithashtu se disa studime të përdorura nga OBSH bazohen në ekspozime ekstreme te minjtë, kushte që nuk korrespondojnë me përdorimin njerëzor.

Ekspertët kritikuan gjithashtu IARC-n, agjencinë e specializuar për kancerin pranë OBSH-së, për klasifikimin e substancave si kancerogjene pa marrë parasysh kontekstin real të ekspozimit. “Ky lloj klasifikimi, pa sqarim, kontribuon në dezinformim dhe nxit frikën,” thanë ata.

Paneli ra dakord se modeli aktual i OBSH-së – i fokusuar ekskluzivisht te ndalimi  është i vjetëruar dhe nuk pasqyron zhvillimet shkencore në reduktimin e dëmit.

“Përdoruesit po adoptojnë produktet në çfarëdo mënyre, ligjërisht ose jo. Ju nuk mund t’i ndaloni njerëzit të kenë akses në atë që duan. Duhet të siguroheni që ata të kenë akses në produkte të sigurta. Kontrolli duhet të rikthehet dhe këtu duhet të ndërhyjë OBSH,” përfundoi Bates.