Kur flasim për sfidat dhe çështjet që prekin të rinjtë në Shqipëri, vëmendja zakonisht përqendrohet në kryeqytet. Aty janë institucionet, organizatat, mediat, bizneset kryesore dhe programet pilot. Por nëse fokusi mbetet i kufizuar te Tirana, humbet gjysma e realitetit. Të rinjtë në zonat rurale dhe në qytetet e vogla përballen me sfida të tjera, me më pak mbështetje dhe me norma shoqërore që shpesh e bëjnë alkoolin, duhanin, abuzimin digjital apo përdorimin e substancave të duken të zakonshme. Për këtë arsye, çfarë ndodh jashtë qendrës urbane ka të njëjtën rëndësi për shëndetin publik dhe mirëqenien e komunitetit.

Të dhënat kombëtare tregojnë se përdorimi i alkoolit dhe duhanit është i pranishëm mes adoleshentëve. Një studim kombëtar me nxënës 11–15 vjeç raportoi se 23% kanë provuar alkool, 14% e kanë konsumuar së fundmi dhe rreth 13% janë dehur të paktën një herë. Sipas GYTS, 4.4% e të rinjve 13–15 vjeç pinë cigare, ndërsa përdorimi i cigareve elektronike arrin në 9.3%. Të dhënat tregojnë gjithashtu se rreth 12% e të rinjve kanë provuar duhanin. Megjithëse këto mesatare duken “në kufijtë e normales” krahasuar me vendet e tjera europiane, ato fshehin dallime të theksuara midis zonave urbane dhe atyre rurale. Shumë anketa nuk sjellin të dhëna të ndara për zonat rurale, duke krijuar një boshllëk informacioni dhe, rrjedhimisht, kufizim në ndërhyrje. Aty ku mungon informacioni, shpesh mungon edhe reagimi.
Përveç alkoolit dhe duhanit, gjithnjë e më shumë flitet për sjelljet e rrezikshme në hapësirën digjitale. Një analizë e vitit 2024 mbi pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në demokracinë digjitale (projekti EYDR) tregoi se mbi 80% e të rinjve e konsiderojnë të rëndësishme mbrojtjen e të drejtave digjitale po aq sa të drejtave fizike, por vetëm 46.5% kuptojnë realisht se çfarë përfshijnë këto të drejta. Raporti evidenton gjithashtu se të rinjtë në zonat rurale përballen me pabarazi në aksesin në internet dhe në mjetet digjitale, duke pasur më pak mundësi për edukim digjital, përdorim të sigurt dhe ndërgjegjësim.
Edhe pse përdorimi i lëndëve narkotike është raportuar më i lartë në qytete, kjo nuk do të thotë se të rinjtë në zonat rurale janë më pak të rrezikuar. Në shumë bashki të vogla, alkooli dhe duhani janë të normalizuara dhe të pranishme në sjelljen e përditshme. Kur sjellja e të rriturve është modeli kryesor, kufijtë mes të lejueshmes dhe të dëmshmes bëhen të paqartë. Ndërkohë, mjedisi digjital, nga ekspozimi ndaj bullizmit online te përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale, shfaqet si një tjetër burim rreziku që nuk trajtohet mjaftueshëm.
Zonat rurale përballen edhe me mungesë të shërbimeve mbështetëse. Ka pak qendra rinore, pak aktivitete informuese dhe pak mundësi për të adresuar stresin, ankthin apo presionet sociale. Në këto komunitete, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin, kërkimi i ndihmës shpesh shihet si tabu. Informacioni i besueshëm qarkullon më pak, ndërsa vendin e tij e zë biseda me shokë, përmbajtja e rrjeteve sociale apo modele të gabuara.
Të rinjtë në këto zona rriten mes pasigurive të migrimit, mungesës së mundësive dhe ndjesisë se e ardhmja ndodhet diku tjetër. Kjo i bën më të prekshëm ndaj sjelljeve të rrezikshme, si në jetën reale ashtu edhe online. Prandaj, parandalimi i kufizuar vetëm në Tiranë nuk është i mjaftueshëm. Çdo i ri në Kukës, Dibër, Kolonjë, Tepelenë apo Lezhë ka të drejtën e të njëjtit nivel informacioni, mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi.
Rritja e ndërgjegjësimit mbetet thelbësore. Informacioni duhet të jetë i qartë dhe i lidhur me realitetin e tyre. Komunikimi nuk duhet të jetë moralizues; duhet të shpjegojë rreziqet, arsyet pse të rinjtë nisin përdorimin e substancave apo sjelljeve të rrezikshme online dhe të ofrojë alternativa reale. Mesazhi është më i besueshëm kur vjen nga figura lokale: mësues, mjekë familjeje, trajnerë sportivë apo edhe vetë të rinjtë.
Parandalimi dhe ofrimi i mundësive jashtë Tiranës nuk është një detyrë shtesë. Është thelbësor. Ai kërkon programe në çdo qark, trajnime për mësuesit, komunikim të vazhdueshëm me prindërit, diskutime në mediat lokale dhe përfshirje aktive të të rinjve. Dhe, mbi të gjitha, kërkon më shumë të dhëna dhe më shumë vëmendje.
Nëse duam një brez më të shëndetshëm dhe më të informuar, fokusi duhet të shtrihet në çdo zonë të vendit. Shëndeti, siguria dhe mirëqenia e të rinjve nuk duhet të varen nga vendbanimi.






