Suela Këlliçi¹, Irisa Gançi¹, Rovena Daja²
Institucionet:
¹Departamenti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë
²Instituti i Shëndetit Publik
Botuar në: Revista Shkencore Mjekësore “Diagnozë”
ISSN (Print): 3104-4476
ISSN (Online): 3104-4484
Viti: 2025
Numri: 2
Data e botimit: gusht 2025
Faqe: 75–104
Abstrakt
Hyrje: Përfshirja e farmacistëve në imunizimin e popullatës është një praktikë gjithnjë e më e pranishme në nivel global, me përfitime të shumta për pacientët dhe sistemet shëndetësore. Në Shqipëri, farmacistët nuk kanë ende të drejtën ligjore për të përshkruar ose administruar vaksina. Ky studim synoi të vlerësojë qëndrimet dhe barrierat e perceptuara nga farmacistët lidhur me përfshirjen e tyre në procesin e imunizimit.
Metodat: Studim përshkrues, “cross-sectional”, me pyetësor online të strukturuar, i drejtuar farmacistëve të rrjetit të hapur në Shqipëri. U përfshinë 206 pjesëmarrës. Të dhënat u analizuan përshkrueshëm dhe analiza statistikore është ende në proces.
Rezultatet: 91.2% e farmacistëve shprehën gatishmërinë për të administruar vaksina, me barrierat kryesore që lidhen me menaxhimin e efekteve anësore (88.9%), pasigurinë ligjore (86.4%) dhe mungesën e trajnimit (83.8%). Përfitimet e perceptuara përfshijnë rritjen e imunizimit (77.7%) dhe ofrimin e këshillimit të kualifikuar (68.5%).
Konkluzione: Farmacistët shqiptarë tregojnë potencial të konsiderueshëm për përfshirje aktive në imunizim, por kërkohet kuadër ligjor i qartë dhe programe trajnimi të strukturuara për të mundësuar këtë rol të zgjeruar.
Fjalë kyçe: imunizim, farmacist, shëndet publik, barriera, edukim mjekësor.
Artikulli i plotë
Vlerësimi i qëndrimeve dhe barrierave ndaj përfshirjes së farmacistëve në vaksinim në Shqipëri
Suela Këlliçi1, Irisa Gançi1, Rovena Daja2
1 Departamenti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë
2 Instituti i Shëndetit Publik
Abstrakt
Hyrje: Përfshirja e farmacistëve në imunizimin e popullatës është një realitet gjithnjë e më i pranishëm në nivel botëror. Kjo praktikë ka dëshmuar përfitime si për pacientët, ashtu edhe për sistemet shëndetësore. Në Shqipëri farmacistët ende nuk janë të pajisur me të drejtën ligjore për të përshkruar apo administruar vaksina. Ky studim kishte për qëllim të vlerësonte gatishmërinë dhe barrierat e perceptuara nga farmacistët në Shqipëri në lidhje me përfshirjen e tyre të mundshme në proceset e imunizimit.
Metodat: Studimi i ndërmarrë ishte përshkrues, i tipit “cross-sectional”, i realizuar përmes një pyetësori të strukturuar të shpërndarë online, drejtuar farmacistëve të farmacive të rrjetit të hapur në të gjithë vendin. Në analizë u përfshinë 206 pjesëmarrës. Të dhënat u analizuan duke përdorur analizën përshkruese, analizë e cila është ende në proces.
Rezultatet: Analiza e të dhënave tregoi se rolet kryesore aktuale të farmacistëve në Shqipëri lidhur me imunizimin konsistojnë në këshillimin (61.7%) dhe edukimin e pacientëve (36.3%), ndërsa përfshirja direkte në administrimin e vaksinave është minimale (6.2%). Një përqindje shumë e lartë (91.2%) e të anketuarve shprehën gatishmëri për të administruar vaksina, veçanërisht vaksinën e gripit (80.3%) dhe vaksinat e kalendarit kombëtar (50.5%). Barrierat kryesore të identifikuara ishin vështirësitë në menaxhimin e efekteve anësore (88.9%), pasiguria ligjore (86.4%) dhe mungesa e trajnimit dhe aftësive të nevojshme (83.8%). Përfitimet më të theksuara të perceptuara përfshinin rritjen e nivelit të imunizimit në popullatë (77.7%) dhe ofrimin e këshillimit profesional të kualifikuar (68.5%).
Konkluzione: Ky studim ofron disa të dhëna paraprake mbi potencialin e farmacistëve shqiptarë në marrjen përsipër të roleve të reja në shëndetin publik në Shqipëri dhe sfidat përkatëse. Gatishmëria për t’u përfshirë në imunizimin e popullatës, i bën farmacistët një komunitet premtues për të përmirësuar shërbimin shëndetësor. Përfshirja e tyre efektive në shërbimet e vaksinimit kërkon zhvillimin e një kuadri të qartë ligjor, programe të strukturuara trajnimi dhe infrastrukturë të përshtatshme që garanton administrimin e sigurt të vaksinave në farmacitë e rrjetit të hapur.
Fjalë kyçe: imunizim, farmacist, shëndet publik, barriera, edukim mjekësor.
HYRJE
Objekti i punës së farmacistëve ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, duke sjellë një ridimensionim të profesionit të farmacistit; profesion i fokusuar tashmë jo vetëm mbi njohuritë e thelluara mbi barnat: kimizmin, mënyrën e prodhimit, trajtimin me to, por edhe mbi pjesëmarrjen aktive në parandalim, diagnostikim dhe trajtim të sëmundjeve. Kësisoj, farmacisti gjithnjë e më shumë është një anëtar aktiv i ekipeve mjekësore që mbikëqyrin dhe kujdesen për shëndetin e komunitetit.
Në një kontekst global të karakterizuar nga rritja e jetëgjatësisë, incidenca në rritje e sëmundjeve kronike dhe nevoja për ndërhyrje më të hershme dhe të strukturuara në kujdesin parandalues, roli i farmacistëve në promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm (1). Një nga drejtimet ku ky rol është zgjeruar ndjeshëm është përfshirja në proceset e imunizimit. Që nga fundi i viteve 1990, vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Irlanda, Franca, Portugalia, Zvicra dhe shumë të tjera, kanë njohur dhe legjitimuar rolin e farmacistëve si administratorë dhe aplikues të vaksinave. Pandemia COVID-19 shërbeu si një katalizator i rëndësishëm për këtë ndryshim, duke demonstruar qartë kontributin thelbësor të farmacistëve në menaxhimin e situatave të emergjencës shëndetësore dhe në rritjen e qasjes së popullatës ndaj vaksinimit. Sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve (FIP), numri i vendeve që i kanë dhënë farmacistëve të drejtën për të administruar vaksina është rritur nga 13 në vitin 2016 në 44 vende në vitin 2024. (2,3,4)
Imunizimi konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme të mjekësisë duke shpëtuar miliona jetë çdo vit. Kontributi i farmacistëve në procesin e imunizimit mund të vlerësohet në tre dimensione kryesore. Së pari, si lehtësues (facilitatorë), ata mbështesin profesionistët e tjerë shëndetësorë në organizimin dhe realizimin e fushatave të vaksinimit. Së dyti, në rolin e avokatëve (advokues), farmacistët luajnë një rol kyç në edukimin dhe motivimin e pacientëve për t’u vaksinuar, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe luftimin e hezitimit ndaj vaksinave. Së fundi, në rolin e administratorëve (imunizues), farmacistët janë vetë ata që administrojnë vaksinën direkt tek pacienti. Përfshirja e farmacistëve në këto role është shoqëruar me përmirësim të rezultateve shëndetësore dhe reduktim të kostove për sistemet shëndetësore. Studime të shumta kanë treguar se përfshirja e tyre ka ndikuar pozitivisht në rritjen e mbulimit vaksinal, veçanërisht për vaksinën kundër gripit. Në varësi të legjislacionit të çdo vendi, roli i farmacistit mund të jetë i kufizuar vetëm në administrimin e vaksinave (si p.sh. gripi, COVID-19, HPV, hepatiti B), ose i zgjeruar edhe me të drejtën për përshkrim të vaksinës, duke e përshkruar dhe administruar atë vetë (si për gripin, COVID-19, RSV, PCV etj.). (4,5,6)
Në Shqipëri, aktualisht mungon një kuadër ligjor i posaçëm që të rregullojë përshkrimin dhe/ose administrimin e vaksinave nga farmacistët në farmacitë e rrjetit të hapur. Në këtë kontekst, ky studim synoi të analizojë gatishmërinë, qëndrimet dhe perceptimet e farmacistëve shqiptarë për të marrë rol aktiv në imunizimin e popullatës, si pjesë e zgjerimit të kompetencave të tyre në mbështetje të shëndetit publik.
METODOLOGJIA
Ky ishte një studim epidemiologjik përshkrues i tipit “cross-sectional”, i cili synoi të vlerësojë qëndrimet, gatishmërinë dhe perceptimet e farmacistëve që punojnë në farmacitë e rrjetit të hapur në Shqipëri lidhur me përfshirjen e tyre të mundshme në procesin e imunizimit të popullatës.
Popullata e studimit
Popullata e synuar për këtë studim ishin farmacistët që punojnë në farmacitë e rrjetit të hapur në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Metoda e përzgjedhjes dhe përfshirjes
Të dhënat u mblodhën përmes një pyetësori të strukturuar, i cili u shpërnda online (në platforma të komunikimit profesional dhe rrjete sociale të farmacistëve). Përzgjedhja e pjesëmarrësve ishte joprobabilitare, bazuar në vullnetin për të marrë pjesë (convenience sampling). Pyetësori ishte anonim dhe vetë-administrues.
Kriteret e përfshirjes:
- Të jenë farmacistë të licencuar;
- Të punojnë në një farmaci të rrjetit të hapur në Shqipëri;
Numri i pjesëmarrësve
Ne total 206 farmacistë që plotësuan pyetësorin, 193 kishin përgjigje të plota dhe të vlefshme dhe u përfshinë në analizën përfundimtare totale. Numri i farmacistëve pjesëmarrës (n=193) mund të konsiderohet sinjifikant për qëllimet e këtij studimi përshkrues, sidomos duke pasur parasysh:
- Vullnetarizmin e pjesëmarrjes,
- Shpërndarjen online të pyetësorit (sampling joprobabilistik),
- Qëllimin eksplorues të studimit.
Instrumenti i studimit
Pyetësori i përdorur përmbante pyetje të strukturuara që mbulonin:
- Karakteristikat demografike (mosha, gjinia);
- Përvojën profesionale;
- Rolin aktual të farmacistëve në imunizim (këshillim, edukim etj.);
- Gatishmërinë për të administruar vaksina;
- Barrierat e perceptuara ndaj përfshirjes në imunizim;
- Nevojat për edukim dhe trajnime;
- Përfitimet e perceptuara nga përfshirja në imunizim.
Analiza e të dhënave
Të dhënat u analizuan përmes analizës përshkruese statistikore, duke përdorur tregues si përqindje, shpërndarje sipas grupmoshës, gjinisë dhe pyetjeve tematike. Analiza statistikore është ende në proces.
REZULTATET
Në këtë vlerësim morën pjesë 206 farmacistë, por pas kontrollit të vlefshmërisë së të dhënave, në analizën përfundimtare u përfshinë 193 përgjigje të plota. Studimi përfshiu një kampion të balancuar sa i pëket grup-moshës së pjesëmarrësve, ku: 19.9% i përkisnin grupmoshës 23–30 vjeç, 43.7 % i përkisnin grupmoshës 30–40 vjeç, 24.8% i përkisnin grupmoshës 40–50 vjeç, dhe 11.6% ishin mbi 50 vjeç. Përsa i përket gjinisë: 92.2% ishin femra dhe 7.8% meshkuj. Ky mbizotërim i pjesëmarrëseve të gjinisë femërore korrelon me faktin se ky profesion në Shqipëri ushtrohet kryesisht nga femrat.
Të dhënat tregojnë se farmacistët në Shqipëri aktualisht kontribuojnë kryesisht në mënyrë informuese dhe këshilluese, ndërsa përfshirja e tyre direkte në administrimin apo monitorimin klinik të imunizimit mbetet e kufizuar. Kjo nxjerr në pah potencialin për zgjerimin e rolit të tyre, veçanërisht nëse ndërmerren hapa ligjorë dhe trajnues për t’i pajisur me të drejtën dhe kapacitetet për të administruar vaksina. (Figura 1)

Figura 1. Rolet aktuale të farmacistëve në Shqipëri lidhur me imunizimet.
Në total, 91.2% e farmacistëve të rrjetit të hapur të përfshirë në analizë, shprehën gatishmërinë për të administruar imunizimet. Llojet e vaksinave të cilat farmacistët janë të gatshëm t’i administrojnë paraqiten në figurën 2.

Figura 2. Vaksinat që farmacistët janë të gatshëm të administrojnë.
Vaksinat e gripit rezultojnë si më të pranueshmet për administrim nga farmacistët, me 80.3% të të anketuarve (151 nga 188). Kjo përputhet me praktikat ndërkombëtare, ku vaksina e gripit është zakonisht vaksina e parë që farmacistët autorizohen të administrojnë. Vaksinat e përgjithshme (standardet e kalendarit kombëtar) janë të përmendura nga 50.5% e farmacistëve (95 të anketuar), duke reflektuar një interes më të gjerë për përfshirje në imunizimin rutinë të popullatës. Vaksina ndaj COVID-19, një vaksinë që ka qenë pjesë e fushatave globale të imunizimit dhe ku shumë farmacistë jashtë vendit janë përfshirë, është e pranueshme për administrim nga 17.6% e pjesëmarrësve (33 persona). Vaksinat e udhëtareve, që kërkojnë njohuri të specializuara dhe aplikim në kontekste më të rralla, janë raportuar si të gatshme për administrim nga 11.2% (21 farmacistë). Të tjera vaksina, të pa specifikuara në grafik, janë përmendur nga 21.1% e farmacistëve, duke sugjeruar që ekziston një interes i larmishëm për përfshirje në një spektër më të gjerë vaksinash.
Farmacistët raportojnë vështirësitë në menaxhimin e efekteve anësore, ngarkesën me përgjegjësi ligjore dhe mungesën e njohurive/aftësive si barrierat kryesore në aplikimin e imunizimit prej tyre. (Figura 3).

Figura 3. Barrierat ndaj administrimit të vaksinave nga farmacistët.
Të dhënat janë klasifikuar në tre nivele: shumë të rëndësishme (e gjelbër), të rëndësishme (blu) dhe pak të rëndësishme (portokalli).
Barrierat më të theksuara – “shumë të rëndësishme”:
- Menaxhimi i efekteve anësore: 88.9% e perceptojnë si barrierë madhore.
- Përgjegjësia ligjore: 86.4% e konsiderojnë shumë të rëndësishme.
- Mungesa e edukimit/aftësive: 83.8% e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme.
Barrierat e rëndësishme, por më pak dominues:
- Pranimi nga pacientët/mjekët: 65.8% e farmacistëve e vlerësojnë si të rëndësishme ose shumë të rëndësishme.
- Konflikti me profesionistë të tjerë: 62.3% e shohin si barrierë e rëndësishme
Barrierat më të ulëta:
- Frika nga gjilpërat (51.8%) dhe ndjeshmëria ndaj gjakut (60.6%) janë më pak të theksuara.
- Kontaktet e ngushta me pacientin janë raportuar si barrierë e rëndësishme nga 58.3%.
Në përgjigje të pyetjes se në cilin nivel të edukimit farmacistët duhet të marrin njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të qenë pjesëmarrës aktiv në imunizim, 69% mendojnë se njohuritë duhet të merren që në ciklin 5 vjeçar universitar të studimit për farmaci, kurse 27 % mendojnë se duhen zhvilluar programe trajnimi pasuniversitar përveç njohurive të marra gjatë ciklit universitar.
Si përfitime kryesore nga imunizimi në farmaci, farmacistët konsiderojnë rritjen e shkallës së imunizimit dhe edukimin e këshillimin e pacientëve me njohuri cilësore. (Figura 4)

Figura 4. Përfitimet nga administrimi vaksinave nga farmacistët.
Grafiku më sipër paraqet perceptimet e farmacistëve mbi avantazhet e mundshme që do të sillte përfshirja e tyre direkte në procesin e imunizimit. Rezultatet tregojnë qartë se farmacistët e shohin këtë rol të zgjeruar si një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit publik.
Përfitimet më të theksuara:
- Rritja e nivelit të imunizimit të popullsisë (77.7%, 153 farmacistë): Ky është përfitimi më i rëndësishëm sipas pjesëmarrësve, duke reflektuar bindjen se përfshirja e farmacistëve do të përmirësonte mbulimin vaksinal dhe aksesin në shërbim.
- Rritja e marrjes së njohurive të specializuara dhe këshillimit të kualifikuar (68.5%, 135 farmacistë): Farmacistët e shohin këtë rol si një mundësi për zhvillim profesional dhe forcim të aftësive në edukimin e pacientëve.
Përfitime të rëndësishme, por më pak të përmendura:
- Lokacion më i favorshëm për kryerjen e imunizimeve (33.5%): Tregon që farmacitë konsiderohen ambiente të përshtatshme për administrimin e vaksinave, për shkak të shpërndarjes së tyre në komunitet dhe qasjes së lehtë për pacientët.
- Procesi i imunizimit bëhet më i lehtë dhe me akses më të lartë ndaj tij (31.5%): Një përfitim që lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit.
Përfitimet më pak të raportuara:
- Monitorimi i afërt dhe ndjekja pas vaksinimit (26.9%) dhe ulja e hezitimit ndaj vaksinimit (19.3%) janë vlerësuar më pak, megjithëse në praktikë përfshirja e farmacistëve në këshillim mund të ketë ndikim domethënës në këto dy fusha. Kjo sugjeron ndoshta mungesë përvoje të drejtpërdrejtë ose mungesë vetëbesimi për këto funksione më klinike.
DISKUTIME
Ky studim preliminar mbi potencialn e farmacistëve për t’u përfshirë në aktivitete imunizuese në kuadër të shëndetit publik, dëshmoi një nivel të lartë gatishmërie për tu përfshirë në këto aktivitete nga ana e farmacistëve shqiptar. Kjo tendencë është në koherencë me të dhënat ndërkombëtare sipas të cilave në vitet e fundit është rritur edhe pranueshmëria nga ana e pacientëve për të kryer imunizimet pranë farmacive, si dhe efektiviteti i këtyre të fundit për të rritur shkallën vaksinale (7,8).
Farmacistët në Shqipëri shfaqin një nivel të lartë gatishmërie për të administruar vaksinën e gripit dhe një interes domethënës për vaksinat e kalendarit të rregullt kombëtar, që tregon një potencial të qartë për zgjerimin e rolit të tyre në shërbimet e imunizimit. Gatishmëria më e ulët për vaksinën e COVID-19 dhe vaksinat e udhëtimit mund të lidhet me mungesën e trajnimit specifik ose pasiguritë ligjore dhe klinike. Këto të dhëna nënvizojnë rëndësinë e strukturimit të programeve të edukimit dhe trajnimit për të përgatitur farmacistët për këtë rol të zgjeruar në shërbimin shëndetësor.
Vështirësia në menaxhimin e efekteve anësore u raportua si një nga barrierat kryesore ndaj imunizimit në farmaci, shoqëruar edhe nga shqetësimet ligjore si dhe mungesën e njohurive/aftësive.
Barrierat më të theksuara – “shumë të rëndësishme”
- Menaxhimi i efekteve anësore: 88.9% e perceptojnë si barrierë madhore, që lidhet me pasigurinë klinike dhe mungesën e protokolleve të menaxhimit të rasteve të ndërlikuara.
- Përgjegjësia ligjore: 86.4% e konsiderojnë shumë të rëndësishme. Kjo reflekton pasiguri ligjore dhe mungesë rregullash të qarta, çka mund të frenojë përfshirjen aktive të farmacistëve në administrimin e vaksinave.
- Mungesa e edukimit/aftësive: 83.8% e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme. Kjo është barriera më e fortë, që tregon nevojën urgjente për trajnime të strukturuara dhe edukim të vazhdueshëm profesional në fushën e imunizimit.
Barrierat e rëndësishme, por më pak dominues
- Pranimi nga pacientët/mjekët: 65.8% e farmacistëve e vlerësojnë si të rëndësishme ose shumë të rëndësishme, gjë që tregon nevojën për bashkëpunim ndërprofesional dhe rritjen e besimit të publikut ndaj rolit të zgjeruar të farmacistëve.
- Konflikti me profesionistë të tjerë: 62.3% e shohin si barrierë e rëndësishme, kjo thekson nevojën për qartësi në ndarjen e roleve dhe bashkëpunim me mjekët dhe infermierët.
Barrierat më të ulëta
- Frika nga gjilpërat (51.8%) dhe ndjeshmëria ndaj gjakut (60.6%) janë më pak të theksuara, duke sugjeruar se aspektet psikologjike personale nuk janë pengesë madhore për shumicën e farmacistëve.
- Kontaktet e ngushta me pacientin janë raportuar si barrierë e rëndësishme nga 58.3%, një element që lidhet më shumë me sigurinë dhe etikën profesionale, sidomos pas pandemisë.
Tri barrierat kryesore që kërkojnë ndërhyrje strategjike janë:
- Edukimi dhe trajnimi profesional,
- Krijimi i një kuadri të qartë ligjor dhe rregullator,
- Sigurimi i protokolleve dhe trajnimeve për menaxhimin e efekteve anësore.
Zgjidhja e këtyre çështjeve do të krijonte bazën për një rol më aktiv dhe të sigurt të farmacistëve në proceset e vaksinimit dhe imunizimit në Shqipëri.
Marrja përsipër e administrimit/përshkrimit të vaksinave nga farmacistët nënkupton të drejta, por nënkupton edhe përgjegjësi. Në mënyrë tradicionale kurrikulat universitare të programeve të studimit të farmacisë nuk kanë patur të përfshirë njohuri të mjaftueshme lidhur me imunizimin/vaksinimin dhe nuk kanë parashikuar praktika të administrimit të injeksioneve. Në kushtet e reja kur farmacistët përballen me nevojat e kohës për përfshirjen e tyre në role të reja përshkruese dhe imunizuese, del e nevojshme gjithashtu të ofrohen trajnime dhe edukim lidhur me këto argumente (4).
Studime të ndryshme kanë evidentuar nevojën e farmacistëve për edukim përpara përfshirjes së tyre në proceset imunizuese. Shtete të ndryshme kanë adaptuar kurrikula dhe udhëzues mbi plotësimin e njohurive të farmacistëve lidhur me imunizimin dhe kanë vendosur kritere të caktuara për marrjen e të drejtës së përfshirjes në imunizim. Bëhet fjalë për procese të akreditimit të farmacistëve për të fituar të drejtat e përfshirjes në imunizim pas frekuentimit nga ana e tyre të programeve trajnuese me orë teorike bazë, orë teorike opsionale, orë praktike demonstrative dhe aplikative, si dhe pas përfundimit me sukses të testimit përkatës. Edukimi në fushën e imunizimit për farmacistët kryhet në nivele të ndryshme në vende të ndryshme: universitar (19 shtete) dhe/ose pasuniversitar në formën e trajnimit apo edhe të aktiviteteve të edukimit në vazhdim (41 shtete) (9).
Rregulla gjithashtu janë vendosur edhe për farmacitë ku mund të ofrohen shërbime të imunizmit, pasi edhe infrastruktura e farmacisë duhet të plotësojë kritere të caktuara.
Ka patur përpjekje në vijim për të vlerësuar nëse farmacistët shqiptar janë të gatshëm për të marrë përsipër rolin e përshkruesit/administruesit të vaksinave. Kështu në një studim të publikuar në vitin 2021 i cili vlerësonte mundësitë dhe barrierat ndaj rolit imunizues në disa shtete, ku përfshihej edhe Shqipëria; rezultoi se farmacistët shqiptarë ishin të gatshëm të përfshiheshin në imunizim, por shihnin si barrierë ndaj këtij roli mungesën e trajnimeve dhe mungesën e një hapësire të dedikuar vaksinimit në farmaci. (10)
Farmacistët shqiptarë vlerësojnë lart përfshirjen në imunizim, veçanërisht për ndikimin që ajo do të kishte në:rritjen e shkallës së vaksinimit,zhvillimin e tyre profesional, dheafërsinë me komunitetin.Të dhënat mbështesin fuqimisht argumentin për zgjerimin e rolit të farmacistit, përmes trajnimeve të dedikuara dhe ndryshimeve ligjore që do të mundësonin këtë përfshirje.Këto janë përfitime gjerësisht të evidentuara dhe të mirënjohura edhe nga studime të shumta të fushës (11,12).
Sigurisht ky studim paraqet kufizime për sa i përket numrit të vogël të pjesëmarrësve si dhe faktit të vetëadministrimit online të pyetësorit, por ai tenton të japë një ide fillestare mbi mundësitë e përfshirjes së farmacistëve në proceset imunizuese; kjo në kuadër edhe të një pilotimi të kësaj mundësie nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri.
Në përfundim mund të themi se:
- Farmacistët në Shqipëri janë të gatshëm të përfshihen në imunizim, veçanërisht në administrimin e vaksinës së gripit dhe vaksinave të zakonshme, por përballen me barriera të qarta ligjore dhe edukative.
- Roli aktual i farmacistëve është kryesisht informues dhe edukues, por ka një hapësirë të madhe për zgjerim drejt rolit praktik.
- Për të mundësuar këtë përfshirje, është e domosdoshme rishikimi i kuadrit ligjor dhe ofrimi i trajnimeve të certifikuara, përfshirë menaxhimin e efekteve anësore dhe sigurinë klinike.
- Përfitimet e përfshirjes së farmacistëve janë të shumta: rritje e mbulimit vaksinal, lehtësim i aksesit dhe forcim i rolit të tyre në sistemin shëndetësor.
KONKLUZIONE
Nga analiza rezulton se farmacistët shqiptarë paraqesin një potencial të konsiderueshëm për t’u përfshirë në role imunizuese, duke kontribuar kështu në përmirësimin e shëndetit publik. Del i nevojshëm thellimi i analizës për të kuptuar më mirë faktorët favorizues dhe pengesat që mund të shfaqen ndaj kësaj përfshirjeje, në mënyrë që autoritetet shëndetësore, por edhe ato arsimore të orientojnë strategjitë e tyre për të shfrytëzuar potencialin e farmacistëve në një sistem shëndetësor gjithnjë e më kompleks.
REFERENCA
- Natasha A.M et al. Embracing pharmacists’ roles in health-care delivery. The Lancet Regional Health – Europe 2024;46:2666-7762; doi: 10.1016/j.lanepe.2024.101088
- Ciliberti R, Bragazzi NL, Bonsignore A. The Implementation of the Professional Role of the Community Pharmacist in the Immunization Practices in Italy to Counteract Vaccine Hesitancy. Pharmacy (Basel) 2020;8(3):155. doi: 10.3390/pharmacy8030155. PMID: 32854420; PMCID: PMC7558843.
- Le LM, Veettil SK, Donaldson D, Kategeaw W, Hutubessy R, Lambach P, Chaiyakunapruk N. The impact of pharmacist involvement on immunization uptake and other outcomes: An updated systematic review and meta-analysis. J Am Pharm Assoc (2003). 2022 Sep-Oct;62(5):1499-1513.e16. doi: 10.1016/j.japh.2022.06.008. Epub 2022 Jun 24. PMID: 35961937; PMCID: PMC9448680.
- FIP. “Leveraging pharmacy to deliver life-course vaccination” An FIP Global Intelligence Report 2024; www.fip.org.
- Poudel A, Lau ETL, Deldot M, Campbell C, Ëaite NM, Nissen LM. Pharmacist role in vaccination: Evidence and challenges. Vaccine. 2019;37(40):5939-5945. doi: 10.1016/j.vaccine.2019.08.060. Epub 2019 Aug 29. PMID: 31474520.
- K. Dalton, S. Byrne. Role of the pharmacist in reducing healthcare costs: current insights
Integr Pharm Res Pract 2017;6:37-46.
- Richardson, W.M., and Ëertheimer, A.I. A Review of the Pharmacist as Vaccinator. Innov Pharm 2019;10, 4. 10.24926/iip.v10i3.940.
- Mastrovito B, Lardon A, Dubromel A, Nave V, Beny K, Dussart C. Understanding the gap between guidelines and influenza vaccination coverage in people with diabetes: a scoping review. Front Public Health. 2024;12:1360556. doi: 10.3389/fpubh.2024.1360556. PMID: 38706547; PMCID: PMC11066301.
- PGEU; The role of pharmacists in prevention and vaccination policies 2023.
- Turcu-Stiolica, A., Kamusheva, M., Bogdan, M., Tadic, I., Harasani, K., Subtirelu, M.-S., Meca, A.-D., Šesto, S., Odalović, M., Arsić, J., et al. Pharmacist’s Perspectives on Administering a COVID-19 Vaccine in Community Pharmacies in Four Balkan Countries. Front. Public Health 2021;9, 766146. 10.3389/fpubh.2021.766146.
- Le LM, Veettil SK, Donaldson D, Kategeaw W, Hutubessy R, Lambach P, Chaiyakunapruk N. The impact of pharmacist involvement on immunization uptake and other outcomes: An updated systematic review and meta-analysis. J Am Pharm Assoc (2003). 2022;62(5):1499-1513.e16. doi: 10.1016/j.japh.2022.06.008. Epub 2022 Jun 24. PMID: 35961937; PMCID: PMC9448680.
- Bragazzi NL. Pharmacists as Immunizers: The Role of pharmacies in promoting immunization campaigns and counteracting vaccine hesitancy. Pharmacy (Basel). 2019;7(4).2019. Available at:https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31817341.
Artikulli është i licencuar sipas Creative Commons Attribution-NonCommercial 4.0 International (CC BY-NC 4.0). Lejohet ripërdorimi jo-komercial, për sa kohë citohet burimi.