Në datat 17–19 prill 2026, u zhvillua Konferenca Mbarëkombëtare Farmaceutike VIII, një nga aktivitetet më të rëndësishme në fushën e farmaceutikës në nivel kombëtar dhe rajonal. Eventi u organizua nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës, duke mbledhur profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve nga të dy vendet.

Ky edicion i konferencës përkoi me një moment të veçantë për komunitetin farmaceutik, pasi shënoi 20-vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë së Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, një arritje e rëndësishme në konsolidimin dhe zhvillimin e profesionit në vend.
Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Dëfrim Goma në fjalën e tij hapëse vuri në dukje problematikat e tepërta në fushën farmaceutike.

E pranishme në këtë aktivitet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Znj. Evis Sala, theksoi ndryshimin e ligjit farmaceutik dhe puna që është bërë në këte drejtim.

“ÇFARË PRITET TË NDRYSHOJË NË FARMACEUTIKËN SHQIPTARE?”
Konferenca Mbarëkombëtare Farmaceutike VIII solli në vëmendje sfidat dhe transformimet e një prej sektorëve më të rëndësishëm të kujdesit shëndetësor.

Nën moton “Së bashku për Farmaceutikën”, profesionistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndanë perspektiva mbi të ardhmen e sistemit farmaceutik
Diskutimi u fokusua në çështje kyçe si:
- rishikimi i kuadrit rregullator;
- vendimmarrja e bazuar në evidencë (HTA);
- siguria e barnave;
- roli i farmacistit në sistem;
- sfidat e tregut dhe aksesueshmëria.
Një dialog i hapur mes institucioneve, akademikëve dhe biznesit, me një qëllim të përbashkët: përmirësimin e sistemit në shërbim të pacientit.

Pjesë e panelit me temë: “E ardhmja e sistemit farmaceutik: nga vendimmarrja e bazuar në evidencë te aksesi, siguria dhe cilësia e shërbimit”, ishin:
- Znj. Eugena Tomini, Zv/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Prof. Dr. Suela Këlliçi, Zv/ Rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Drejtuese e Departamentit të Farmacisë
- Prof. Ledjan Malaj, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë dhe Profesor në UMT
- Znj. Gentiana Peposhi, Zv/Presidente i Unionit të Biznesit Farmaceutik
- Znj. Jerina Zika, Farmaciste

Gjatë tre ditëve të konferencës u prezantuan zhvillimet më të fundit në fushën farmaceutike, duke përfshirë përdorimin racional të barnave, rolin e farmacistit në sistemin e kujdesit shëndetësor, sigurinë e pacientit, si dhe sfidat që lidhen me tregun farmaceutik dhe politikat e rimbursimit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe digjitalizimit dhe transformimit të shërbimeve farmaceutike, në një kohë kur teknologjia po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për pacientin.

Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal, duke synuar avancimin e standardeve profesionale dhe rritjen e rolit të farmacistit në shoqëri.











