Nga Freskida Miloti
Kur flitet për tensionin e gjakut, mendja shkon menjëherë te zemra. Por organi që në heshtje vendos sa kripë dhe sa ujë mban trupi ynë, dhe për pasojë edhe shifrat e presionit arterial, është veshka. Gjatë verës, temperaturat e larta, djersitja dhe dehidrimi e vendosin këtë organ përballë një sfide të vërtetë.
Në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, Prof. Asoc. Marsida Duli, shpjegon lidhjen mes veshkave dhe hipertensionit, tregon pse i nxehti favorizon formimin e gurëve, si duhet përshtatur terapia gjatë muajve të verës dhe cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjnë qytetarët.
Veshka dhe presionit arterial.
Zemra pompon gjakun dhe rrahjet e saj dëgjohen, ndërsa veshka punon në heshtje, duke komanduar sasinë e kripës dhe të ujit që mban organizmi.
Përmes mekanizmave të saj, ku përfshihen edhe hormonet që prodhon vetë, si renina, ajo rregullon në mënyrë inteligjente sasinë e lëngjeve në qarkullim dhe të elektroliteve. Këto të fundit përkthehen drejtpërdrejt në shifrat e tensionit.
Pse vera është një sfidë për veshkat
Temperaturat e larta sjellin zgjerimin e enëve të gjakut, djersitje të shtuar dhe humbje lëngjesh. E gjithë kjo përkthehet në rënie të presionit arterial.
Në këtë situatë, veshka merr përsipër ruajtjen e ekuilibrit. Ajo mban më shumë kripëra dhe më shumë ujë, ndaj edhe sasia e urinës pakësohet. Ky është mekanizmi që na kursen lëngjet, në mënyrë që organet të mos vuajnë.
Por, siç thekson specialistja, kur në veshkë nuk shkon gjak në sasinë dhe me presionin e duhur, vuan edhe vetë ajo. E njëjta logjikë vlen edhe në rastin e kundërt. Kur presioni është i lartë, veshka vë në lëvizje mekanizmat për ta ulur, duke larguar kripërat dhe ujin përmes urinimit.
“Dehidrimi i zgjatur mund të jetë fatal”
Kur trupi dehidrohet, tensioni bie dhe nëpër organe shkon më pak gjak. Organet vuajnë oksigjenimin dhe mund të shfaqet hipoksia.
Nëse kjo gjendje zgjat në kohë, sipas Dr. Dulit, mund të shkohet deri në dështim të organeve dhe, në mënyrë reciproke, deri në dështim të funksionit të veshkës.
Qëndrimi për kohë të gjata në gjendje dehidrimi, me presione të ulëta të gjakut dhe pa konsumuar ujë e elektrolite, mund të jetë fatal për shëndetin e individit. Kjo nuk vlen vetëm për të sëmurët. Edhe një person i shëndetshëm, kur vihet përballë këtyre situatave, e rrezikon funksionin e veshkës. Rreziku është sigurisht më i lartë te personat që kanë sëmundje renale, kardiovaskulare ose vuajnë nga hipertensioni.
Pjesa më e madhe e rasteve i përket hipertensionit primar, por kur flitet për hipertensionin sekondar, veshka është shkaktari numër një.
Nuk duhen neglizhuar as shkaktarët e tjerë, si gjëndra mbiveshkore, gjëndra tiroide, ndryshimet hormonale, problematikat vaskulare të tipit të stenozës së arteries renale, apo edhe problemet kardiake.
Specialistja thekson se një protokoll kontrolli duhet ndjekur veçanërisht nga personat që e shfaqin hipertensionin për herë të parë, sidomos në moshë të re, si dhe nga ata që përdorin tre ose katër antihipertensivë, por vazhdojnë të kenë shifra të larta. Në këto raste, krahas kontrollit të funksionit të veshkës, nevojitet edhe një panel analizash hormonale dhe një sërë ekzaminimesh sipas një protokolli të përcaktuar, të cilat vijnë pas konsultës me kardiologun dhe mjekun nefrolog.
Barnat e tensionit gjatë verës, doza duhet rishikuar.
Shumica e linjave kryesore të medikamenteve antihipertensive veprojnë pikërisht në veshkë. Kështu ndodh me diuretikët, por edhe me preparatet që veprojnë në sistemin renina-aldosteron.
Pikërisht për këtë arsye, ato ndikojnë edhe në balancën e lëngjeve. Kur përdoren në sasi të mëdha, ose kur doza nuk përshtatet me stinën, rrisin rrezikun e dehidrimit.
Sipas Dr. Dulit, gjatë verës presioni arterial ka tendencë të ulet, ndaj në konsultë me mjekun nefrolog doza e këtyre medikamenteve reduktohet. Në këtë mënyrë pacienti nuk përballet me hipotension dhe dehidrim. Ky vendim merret vetëm nga mjeku dhe kurrë nga vetë pacienti.

Sa ujë duhet të pimë? Sasia është e individualizuar.
Uji ka vlera të pakrahasueshme, por sasia nuk është e njëjtë për të gjithë. Një individ i shëndetshëm konsumon zakonisht nga 2 deri në 2.5 litra, maksimumi 3 litra gjatë verës. Kjo varet nga temperaturat, nga koha e qëndrimit në të nxehtë, nga niveli i djersitjes dhe nga sipërfaqja trupore e secilit.
Ka edhe pacientë për të cilët sasitë e mëdha nuk rekomandohen. Bëhet fjalë për personat me insuficiencë kardiake, për ata me sëmundje renale te të cilët veshka nuk i eliminon dot lëngjet e tepërta, për ata me nivele të ulëta të albuminës apo të proteinave në gjak, si dhe për personat me prirje për edema. Për këta pacientë, sasia e lëngjeve është e limituar.
Gurët në veshka, pse i nxehti i favorizon.
Dehidrimi është kushti themelor që çon në formimin e gurëve. Bashkë me çrregullimet elektrolitike, ai favorizon krijimin e kristaleve, të cilat më pas bashkohen me njëra-tjetrën dhe formojnë gurët.
Për ta ilustruar këtë, Dr. Duli përdor një shembull të thjeshtë. Mjafton që një person të kalojë një javë në një klimë shumë të nxehtë dhe të ulë sasinë e lëngjeve që konsumon, për të zhvilluar gurë.
Pas gurëve, studimi metabolik është themelor.
Specialistja thekson se pacientët me gurë në veshka nuk trajtohen njëherë e përgjithmonë. Ata kanë një predispozicion të caktuar, ndaj duhet t’i nënshtrohen një studimi metabolik të gurëve, i cili përcakton shkakun e formimit të tyre.
Vetëm kur shkaku është i qartë, mund të hartohet një plan individual, me preparate që ulin predispozicionin dhe me një dietë të personalizuar sipas llojit të gurëve.
Meqenëse në një pjesë të rasteve shkaqet janë gjenetike dhe nuk ndryshojnë me vitet, këta pacientë duhet të jenë të kujdesshëm gjatë gjithë kohës. Kujdes kërkon dehidrimi, kujdes kërkojnë infeksionet urinare dhe kujdes kërkon dieta e përditshme, gjithnjë në konsultë të vazhdueshme me mjekun nefrolog.
Përpara pushimeve, një konsultë me nefrologun.
Për pacientët kronikë, me hipertension ose me sëmundje kardiovaskulare, Dr. Duli rekomandon një konsultë në fillim të sezonit veror.
Kjo konsultë shërben për të marrë orientime të qarta mbi përdorimin e preparateve antihipertensive dhe mbi rreziqet e ambienteve që do të frekuentojnë.
Mjafton një dehidrim, një gastroenterit apo një intoksikacion alimentar, që shoqërohet me humbje të madhe lëngjesh e elektrolitesh, për ta përkeqësuar situatën. Prandaj pacientët duhet të dinë si t’i menaxhojnë këto raste dhe kur duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Çfarë duhet shmangur dhe çfarë i bën mirë veshkës.
Në listën e gjërave që duhen evituar, specialistja rendit kripën e shtuar në tavolinë, sasitë e larta të proteinave shtazore dhe nivelin e lartë të kalciumit. Alkooli dhe duhani, thekson ajo, janë armiq të veshkës.
Ndërkohë, një dietë e pasur dhe e ekuilibruar me fruta e perime, së bashku me një nivel të mirë e të qëndrueshëm hidrimi, sjell ekuilibër dhe shëndet.
Vëmendje kërkojnë edhe produktet me përmbajtje të lartë kaliumi, si kumbullat, bananet apo domatet, sidomos te pacientët me sëmundje renale kronike.
Për Dr. Dulin, edukimi i pacientit është çelësi i suksesit të terapisë dhe i ngadalësimit të progresionit të sëmundjes renale kronike. Seancat e dedikuara me pacientin, për stilin e jetesës dhe për dietën, janë pjesë e domosdoshme e trajtimit.
Gabimet më të shpeshta gjatë verës
Gabimi i parë është moskonsumimi i sasisë së duhur të lëngjeve. Shpesh harrohet se nevoja ndryshon sipas temperaturave, sipas ambientit, sipas aktivitetit dhe sipas nivelit të djersitjes.
Gabimi i dytë është konsumimi vetëm i ujit pas djersitjes së shtuar. Bashkë me ujin humbasim edhe elektrolite, ndaj edhe ato duhen zëvendësuar.
Kujdes i shtuar duhet treguar në plazhe dhe në pishina, për të minimizuar infeksionet urinare. Nuk duhet qëndruar gjatë me veshje të lagura, duhet urinuar pas daljes nga pishina dhe nuk duhet mbajtur urina.
Në fund vjen të ushqyerit. Intoksikacionet alimentare janë të shpeshta gjatë verës dhe edhe një akullore e lënë në temperatura të larta favorizon rritjen e baktereve. Po ashtu, edhe një pickim nga një mushkonjë e infektuar mund të sjellë pasoja dhe të precipitojë funksionin e veshkës.
Mit apo e vërtetë?
Nëse nuk kam etje, do të thotë që jam i hidratuar.
Nuk është e vërtetë. Etja nuk është gjithmonë tregues i nivelit të hidrimit.
Sa më shumë ujë të pi, aq më mirë.
As kjo nuk qëndron. Sasitë e tepruara rrisin filtrimin glomerular dhe e vendosin veshkën në një stres të panevojshëm.
Urina e errët është gjithmonë shenjë dehidratimi.
Jo gjithmonë. Mund të jetë hematuri, hemorragji, ndryshim i pH-së apo infeksion urinar. Në momentin e parë që vërehet një ndryshim i ngjyrës, duhet realizuar një ekzaminim i urinës.
Vetëm të moshuarit rrezikohen nga i nxehti.
Nuk është e vërtetë. Ata janë grupi më i prekshëm, por rrezikohen edhe fëmijët, të porsalindurit, të rinjtë që abuzojnë, si dhe personat me sëmundje kronike.
Personat me tension të lartë nuk duhet të pinë shumë ujë.
Jo gjithmonë. Varet nga niveli dhe nga shkaku i hipertensionit arterial.
Gurët në veshka janë më të shpeshtë gjatë verës.
Është e vërtetë dhe njëkohësisht jo e vërtetë. Varet nga stili i jetesës, nga niveli i hidrimit, nga mënyra e të ushqyerit dhe nga shkaku që i ka formuar.







