Në Tiranë është çelur “Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit”, një organizim i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë që për herë të parë në vend mbledh së bashku mbi 600 studiues dhe profesionistë të fushës së shëndetësisë nga Shqipëria dhe vende të tjera.

Të pranishëm në hapjen e këtij kongresi ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, drejtues të Universitetit të Mjekësisë, akademikë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve shkencore nga brenda dhe jashtë vendit.
Për tre ditë me radhë, pjesëmarrësit do të prezantojnë studime dhe do të ndajnë përvoja mbi temat më aktuale në fushën e shëndetësisë, nga kërkimi në shëndetin publik, te inovacionet në diagnostikë dhe terapi, përdorimi i teknologjive të reja në mjekësi dhe menaxhimi i sëmundjeve kronike.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini theksoi rëndësinë që ka ky kongres në rrugën e ndërkombëtarizimit të kërkimit mjekësor shqiptar dhe një mundësi për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe akademik në nivel global.
Organizatorët e konsiderojnë këtë kongres si një moment kyç në fushën e shëndetit, por edhe afirmon vendosmërinë e institucioneve tona për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërkombëtar dhe për të çuar përpara vizionin e një mjekësie moderne, të bazuar në dije dhe inovacion.
