Partneritet institucional midis Revistës “Diagnozë” dhe Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH)

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe promovimit të edukimit në vazhdim Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH) dhe Revista “Diagnozë” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi institucional.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë dhe u firmos nga Presidenti i UFSH, z. Defrim Goma, dhe Drejtuesja e Revistës “Diagnozë”, znj. Freskida Miloti.

Ky partneritet synon të krijojë ura bashkëpunimi midis institucioneve profesionale dhe botimeve shkencore, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së edukimit, publikimeve dhe shkëmbimit të njohurive në fushën farmaceutike.

Reklame
Reklamë

Në bazë të marrëveshjes:
• Anëtarët e UFSH do të kenë mundësinë të publikojnë artikuj shkencorë dhe profesionalë në revistën “Diagnozë”;
• Artikujt e botuar do të njihen si kontribute të vlefshme për zhvillimin profesional, për vlerësim në proceset e fitimit të titujve akademikë dhe si kredite për edukimin e vazhdueshëm profesional, në përputhje me rregulloret e UFSH dhe ASCK;
• Revista “Diagnozë” do të ketë një hapësirë të dedikuar për njoftime, publikime dhe prezantime të aktiviteteve që lidhen me farmacistët dhe fushën e shëndetësisë;
• Botimi i revistës do të shpërndahet falas edhe gjatë konferencave dhe aktiviteteve të organizuara nga UFSH;
• Palët do të bashkëpunojnë në promovimin e edukimit në vazhdim dhe të praktikave shkencore që nxisin cilësinë e shërbimeve farmaceutike në vend.

Në përmbyllje të ceremonisë, të dy drejtuesit theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për forcimin e komunitetit profesional dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme për publikime me standarde të larta shkencore.

“Ky partneritet reflekton bindjen tonë se edukimi dhe shkëmbimi i dijes janë themelet e zhvillimit profesional në shërbim të pacientit dhe shëndetit publik”, – u shpreh znj. Freskida Miloti, Drejtuesja e Revistës “Diagnozë”.

“UFSH mbështet çdo nismë që fuqizon farmacistët në aspektin shkencor dhe profesional. Revista ‘Diagnozë’ është një hapësirë e rëndësishme për promovimin e vlerave akademike të profesionit tonë,” – deklaroi z. Defrim Goma, President i UFSH.

Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të njohjes së rolit të farmacistit si pjesë e pandashme e ekipit shëndetësor dhe e zhvillimit të kërkimit profesional në Shqipëri.