Infrastruktura kërkimore e laboratorëve farmaceutikë

Në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, u zhvillua sot aktiviteti i prezantimit të projektit “Ngritja e infrastrukturës kërkimore laboratorike farmaceutike në Departamentin e Farmacisë, UMT”, i përzgjedhur për financim në kuadër të thirrjes PIKSH 2025 (Programi i Infrastrukturës Kombëtare për Shkencën dhe Kërkimin).

Ky projekt synon krijimin dhe akreditimin e një laboratori modern sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025, të pajisur me teknologji bashkëkohore, që do të mbështesë si kërkimin shkencor, ashtu edhe procesin mësimor e bashkëpunimin me sektorët farmaceutik, kozmetik dhe atë të bimëve me përdorim mjekësor dhe industrial.

Në fjalën hapëse, drejtuesja e projektit, Prof. Asc. Entela Haloçi, prezantoi objektivat dhe përmbajtjen e projektit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një infrastrukture të specializuar në shërbim të shkencës dhe industrisë.

Reklame
Reklamë

Veprimtaria vijoi me fjalë përshëndetëse nga përfaqësues të institucioneve partnere dhe aktorë të rëndësishëm në fushën e arsimit, kërkimit dhe inovacionit:
• Znj. Mirela Muça, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), theksoi mbështetjen institucionale për laboratorët kërkimorë dhe rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare në shkencë.
• Znj. Linda Pustina, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), vlerësoi bashkëpunimin me UMT në funksion të analizave laboratorike me përdorim mjekësor dhe industrial, si dhe rëndësinë e akreditimit.
• Prof. Dr. Xheladin Draçini, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, nënvizoi vizionin institucional për fuqizimin e kapaciteteve kërkimore dhe përkrahjen e plotë ndaj projekteve të tilla strategjike.
• Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit, ndau prioritetet strategjike të Ministrisë për forcimin e kërkimit në arsimin e lartë dhe vlerësoi projektin si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit cilësor dhe të qëndrueshëm të arsimit universitar në Shqipëri.

Në përmbyllje të aktivitetit, u shprehën falënderime për të gjithë pjesëmarrësit, stafin akademik dhe institucionet mbështetëse. Ky projekt përfaqëson një shembull të qartë të bashkëpunimit ndërinstitucional për inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm, si dhe një dëshmi konkrete e angazhimit të UMT për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, të besueshme dhe në shërbim të dijes dhe progresit shkencor në vend.

Përgatiti: Freskida Miloti