Më 30 prill 2025, në ambientet e Piramidës, Tiranë, do të zhvillohet Lifestyle Conference, Konferenca Shkencore Mjekësore me temë “Stili i jetesës dhe reduktimi i risqeve”, e organizuar nga gazetarja, farmacistja Freskida Miloti, njëherësh drejtuese e Revistës Shkencore “Diagnozë”.
Konferenca do të mbledhë profesionistë nga fusha të ndryshme të shëndetit, mjekë, farmacistë, nutricionistë, psikologë, dentistë, gazetarë dhe ekspertë të teknologjisë për të diskutuar mbi ndikimin e stilit të jetesës në shëndetin fizik, mendor dhe emocional.
Në këtë ngjarje do të zhvillohen prezantime, panele dhe diskutime interaktive mbi temat më aktuale si: ushqyerja e shëndetshme, parandalimi i sëmundjeve kronike, kujdesi për mirëqenien mendore, siguria në vendin e punës dhe roli i teknologjisë në përditshmëri.
Të ftuara nderi do të jenë Dr. Mira Rakacolli, Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Prof. Suela Këlliçi, Zv/Rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë si dhe një sërë personalitetesh nga fusha e mjekësisë dhe medias.
Konferenca do të zhvillohet nga ora 09:30 deri në 14:30, dhe përveç diskutimeve shkencore, pjesëmarrësit do të përfitojnë certifikatë pjesëmarrjeje, materiale profesionale si dhe mundësi për publikim artikujsh shkencorë me ISSN në revistën “Diagnozë”.
Ky aktivitet zhvillohet me mbështetjen e kompanisë farmaceutike Abdi İbrahim İlaç.









