Nga Freskida Miloti
Vetëvrasja nuk është vetëm një çështje individuale apo familjare. Ajo është edhe një problem i shëndetit publik, që kërkon ndërhyrje të koordinuar nga profesionistët e shëndetit, familja, shkolla, komuniteti dhe media.
Shenjat paralajmëruese, rëndësia e komunikimit të drejtpërdrejtë, roli i psikologut dhe mësuesit, ndikimi i bullizmit dhe stigmatizimit, si dhe përgjegjësia e medias në mënyrën e raportimit ishin në fokus të emisionit “Diagnozë”, me profesoreshë Gentiana Qirjako, drejtuese e Departamentit të Shëndetit Publik në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, dhe Andia Meksi, psikologe klinike.
“Vetëvrasja është problem i shëndetit publik”
Sipas prof. Gentiana Qirjakos, sjelljet vetëvrasëse janë rezultat i një ndërthurjeje faktorësh dhe për këtë arsye nuk mund të shihen vetëm nga këndvështrimi individual.
“Situata të tilla janë multifaktoriale. Nuk varen vetëm nga individi, nuk varen vetëm nga institucionet, por janë një miks faktorësh.”
Pikërisht për shkak të kësaj natyre, shëndeti publik mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalim, përmes një qasjeje multidisiplinare.
Jo çdo person i rrezikuar i shfaq shenjat
Psikologia klinike Andia Meksi shpjegoi se jo çdo person që përjeton mendime vetëvrasëse i shpreh ato hapur. Për këtë arsye, ndryshimet në sjellje dhe komunikim mund të jenë të rëndësishme për t’u vënë re.
Tërheqja nga të tjerët, ndryshimet e humorit, mbyllja në vetvete apo shprehje të pashpresës dhe të mungesës së kuptimit të jetës janë disa nga sinjalet që, sipas saj, duhet të merren seriozisht.
Por Meksi theksoi se këto shenja nuk duhet të interpretohen të izoluara dhe se vlerësimi profesional është i rëndësishëm.
“Ta pyesësh drejtpërdrejt nuk e nxit vetëvrasjen”
Një nga mesazhet më të rëndësishme të bisedës ishte nevoja për të mos i shmangur pyetjes.
Sipas psikologes, ekziston një keqkuptim se nëse e pyet dikë drejtpërdrejt nëse ka mendime për t’i dhënë fund jetës, mund t’i “vendosësh” një ide të tillë në mendje.
“Nuk ka asnjë lloj studimi që të thotë që ka ndikim. Është e kundërta: të pyesësh është një masë shumë e mirë parandaluese.”
Nëse një person duket i shqetësuar, i tërhequr ose shpreh pashpresë, një pyetje e drejtpërdrejtë dhe një bisedë e qetë mund të krijojnë hapësirë që ai të flasë dhe të kërkojë ndihmë.

Kur dyshimi kthehet në emergjencë?
Meksi theksoi se kur ekzistojnë mendime vetëvrasëse të shoqëruara me një rrezik real dhe të afërt për vetëdëmtim, situata duhet trajtuar si emergjencë e shëndetit mendor.
Në këto raste, familjarët, miqtë apo personat që ndodhen pranë individit nuk duhet të përpiqen të zëvendësojnë profesionistët, por duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë profesionale dhe të mos e lënë personin vetëm nëse ekziston rrezik i menjëhershëm.
“Nuk ka më vend për ta hamendësuar. Individët, familja dhe shoqëria duhet të kërkojnë kontakt me shërbimet shëndetësore.”
Humbja, trauma dhe konfliktet mund të rrisin vulnerabilitetin
Sipas psikologes, faktorët e rrezikut janë të shumtë dhe ndryshojnë nga një individ te tjetri.
Një humbje e rëndësishme, një traumë, një konflikt i madh, problemet e shëndetit mendor apo situata të tjera të vështira mund ta vendosin një person në një gjendje më të cenueshme.
Kjo nuk do të thotë se një faktor i vetëm çon domosdoshmërisht në sjellje vetëvrasëse, por mund të jetë një arsye për të treguar më shumë vëmendje dhe për të ofruar mbështetje.
Komuniteti ka rol në parandalim
Parandalimi nuk i përket vetëm psikologut, psikiatrit apo familjes.
Në këtë proces mund të kenë rol edhe profesionistë të tjerë dhe persona që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetin, përfshirë mësuesit, farmacistët, punonjësit e policisë dhe figura të komunitetit.
Sipas Meksit, roli i tyre nuk është të vendosin diagnoza, por të njohin shenjat, të hapin një bisedë, të ofrojnë mbështetje dhe ta orientojnë personin drejt ndihmës profesionale.
Fëmijët dhe adoleshentët: edukimi emocional fillon herët
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua fëmijëve dhe të rinjve.
Në këtë grupmoshë, investimi në edukimin emocional dhe në zhvillimin e mekanizmave të shëndetshëm për përballimin e vështirësive mund të jetë pjesë e rëndësishme e parandalimit.
Shkolla, mësuesit, psikologët, prindërit dhe institucionet e tjera duhet të bashkëpunojnë për të identifikuar vështirësitë dhe për të ndërhyrë në kohë.
Bullizmi, një faktor që nuk duhet neglizhuar
Bullizmi ishte një nga problematikat e veçanta të ngritura gjatë diskutimit.
Sipas eksperteve, ai mund të bëhet veçanërisht problematik kur mbivendoset me vështirësi të tjera që fëmija ose adoleshenti mund të jetë duke përjetuar në familje, në marrëdhëniet sociale apo në jetën personale.
Për këtë arsye, problemi nuk duhet parë vetëm si një çështje e fëmijës, por në kontekstin e plotë ku ai jeton dhe zhvillohet.
“Problemi nuk është vetëm fëmija, është gjithë konteksti”
Prof. Qirjako theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes shkollës, familjes dhe shërbimeve të tjera.
Sipas saj, psikologët dhe stafet psikosociale në shkolla mund të identifikojnë problematika, por shpesh përballen me rezistencë nga familjet për shkak të stigmës që ende shoqëron shëndetin mendor.
“Problemi nuk është vetëm fëmija, është gjithë konteksti që duhet adresuar.”
Nëse një problem identifikohet në shkollë, por nuk ndiqet më tej nga familja dhe shërbimet përkatëse, mundësia për një ndërhyrje efektive kufizohet.
Mësuesi, një hallkë e rëndësishme në parandalim
Prof. Qirjako tregoi gjithashtu për ndërhyrjet e zhvilluara në Shqipëri në kuadër të MendBest, ku një nga grupet e synuara kanë qenë mësuesit.
Qëllimi ka qenë informimi i tyre për njohjen e shenjave fillestare të problematikave të shëndetit mendor dhe mënyrën se si mund ta orientojnë një fëmijë drejt psikologut të shkollës apo shërbimeve të tjera.
“Gazetaria mbron jetën”
Një tjetër pjesë e diskutimit iu kushtua rolit të medias në raportimin e vetëvrasjeve dhe problematikave të shëndetit mendor.
Prof. Qirjako prezantoi në emision konkursin “Gazetaria mbron jetën”, i cili synon të nxisë raportim më të saktë dhe profesional nga gazetarët për çështjet e shëndetit mendor dhe sjelljeve vetëvrasëse.
Sipas saj, media ka një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e publikut, në mënyrën se si përcillet informacioni dhe në uljen e stigmës.
“Sa më profesionalisht të jepet ky lloj mesazhi, aq më shumë ndikon në atë që ne themi parandalim dhe në uljen e stigmës.”
Konkursi, i cili do të vijojë deri në dhjetor, fton gazetarët që raportojnë mbi këto tema të kontribuojnë me materiale që respektojnë parimet e informimit të saktë dhe profesional.
Parandalimi fillon me vëmendjen dhe komunikimin
Diskutimi në “Diagnozë” solli në qendër një mesazh të përbashkët: parandalimi nuk është përgjegjësi e një individi të vetëm.
Familja, shkolla, profesionistët e shëndetit, komuniteti dhe media mund të kenë role të ndryshme, por të rëndësishme në identifikimin e shqetësimeve, hapjen e bisedës dhe orientimin drejt ndihmës profesionale.
Dhe ndonjëherë, hapi i parë mund të jetë edhe më i thjeshtë: të pyesim, të dëgjojmë dhe të mos e neglizhojmë një shenjë që na shqetëson.








