Farmacia sot dhe nesër: mes shërbimit shëndetësor dhe presionit të tregut, çfarë duhet të ndryshojë?

Nga Freskida Miloti

Farmacia është një nga hallkat më të afërta të qytetarit me sistemin shëndetësor. Por sa i përgjigjet sot shërbimi farmaceutik standardeve profesionale dhe nevojave të pacientit?

Hapja dhe licencimi i farmacive, roli i drejtuesit teknik, dhënia e barnave me recetë, ruajtja dhe siguria e barnave, farmakovigjilenca, etika profesionale dhe ndikimi i konkurrencës ekonomike ishin disa nga çështjet e diskutuara në emisionin “Diagnozë”, në një bisedë me presidentin e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Dëfrim Goma, dhe zëvendësdekanin e Fakultetit të Mjekësisë, profesor Ledjan Malaj.

Reklame
Reklamë

“Farmacia është një shërbim shëndetësor, por është edhe biznes”

Profesor Ledjan Malaj e konsideroi farmacinë një institucion shëndetësor, duke theksuar se shërbimi farmaceutik lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit, cilësinë dhe ruajtjen e barnave, si dhe me etikën profesionale.

“Patjetër që farmacia është një institucion shëndetësor. Kjo duhet parë vetëm si e tillë.”

Sipas tij, farmacia garanton jo vetëm aksesin e qytetarëve te barnat, por edhe kushtet e duhura për ruajtjen e tyre, shërbimin profesional dhe respektimin e konfidencialitetit.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se farmacitë në Shqipëri funksionojnë kryesisht si subjekte private dhe se zhvillimi i sektorit farmaceutik ka qenë i lidhur edhe me iniciativën private.

Hapja e farmacive dhe kriteret: a nevojitet një rishikim?

Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Dëfrim Goma, ngriti çështjen e kritereve për hapjen e një farmacie.

Sipas tij, kuadri aktual lejon që pronësia e një farmacie të jetë edhe në duart e një personi që nuk është farmacist, ndërsa drejtuesi teknik mban përgjegjësinë për aspektin tekniko-profesional të veprimtarisë.

Goma solli në vëmendje edhe modele të vendeve të tjera evropiane, ku, sipas tij, zbatohen kritere të ndryshme për pronësinë, numrin e farmacive dhe shpërndarjen e tyre në raport me popullsinë.

“Sot këto kritere nuk ekzistojnë. Ne nuk kemi as kriterin që farmacinë ta hapë vetëm farmacisti, as kriterin e dendësisë së banorëve apo të distancës.”

Sipas tij, shpërndarja e farmacive është gjithashtu një çështje që duhet diskutuar, pasi ndërsa në zona të caktuara ka përqendrim të lartë farmacish, zona të tjera, veçanërisht ato rurale, mund të kenë akses më të kufizuar në shërbimin farmaceutik.

“Shqipëria nuk ka më nevojë për farmaci të reja, por për farmaci me standarde”

Goma argumentoi se konkurrenca e lartë dhe numri i madh i farmacive mund të krijojnë presion ekonomik mbi subjektet dhe, sipas tij, mund të ndikojnë në mënyrën se si organizohet shërbimi.

“Shqipëria ka nevojë për farmaci me standarde.”

Ai nënvizoi nevojën për investime në organizimin e farmacive, kualifikimin e vazhdueshëm të farmacistëve dhe zgjerimin e shërbimeve që mund të ofrohen në farmaci.

Drejtuesi teknik, figura kyçe e farmacisë

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit të drejtuesit teknik.

Profesor Ledjan Malaj e konsideroi drejtuesin teknik një figurë kyçe për funksionimin profesional të farmacisë. Sipas tij, kjo përgjegjësi kërkon jo vetëm formim akademik, por edhe integritet profesional, etikë dhe ndërgjegjshmëri.

Një problem i veçantë, sipas tij, lind kur drejtuesi teknik është i punësuar nga një pronar që nuk është farmacist.

“Drejtuesi teknik shpeshherë është i punësuar nga ai që zotëron pronësinë e farmacisë dhe, si rrjedhojë, do të jetë gjithnjë në dyshimin që të ruajë integritetin e tij profesional apo të ruajë vendin e punës.”

Malaj theksoi se në këtë raport mund të krijohet një përplasje mes interesit ekonomik të biznesit dhe detyrimit profesional ndaj pacientit.

Farmacia nuk është butik: siguria e barnave mbi pamjen

Një tjetër çështje e ngritur në studio ishte standardi fizik dhe funksional i farmacisë.

Sipas Malajt, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te pamja apo estetika e ambientit, por mbi të gjitha te kushtet që garantojnë ruajtjen e duhur dhe cilësinë e barnave.

“Farmacia nuk është një butik. Farmacia nuk duhet të duket bukur. Patjetër që është mirë që të duket bukur, por farmacia duhet të garantojë kushtet e sigurisë së barnave.”

Ai nënvizoi se pacienti nuk merr në farmaci një mall të zakonshëm, por një produkt shëndetësor, për të cilin duhet të garantohen kushtet e duhura të ruajtjes dhe të ofrohet informacion profesional për përdorimin e tij.

Drejtuesi teknik duhet të jetë edhe edukator

Përveç rolit administrativ dhe profesional, Malaj e cilësoi drejtuesin teknik edhe si një figurë të rëndësishme në formimin e farmacistëve të rinj.

“Drejtuesi teknik duhet të jetë një edukator shumë i mirë për farmacistin e ri që vjen në punë.”

Sipas tij, mënyra se si farmacisti i ri udhëzohet dhe formohet në vendin e punës mund të ndikojë edhe në raportin që ai krijon me profesionin dhe në standardet që do të ndjekë gjatë ushtrimit të tij.

Barnat me recetë: “Farmacisti nuk mund të bëjë detyrën e mjekut”

Dhënia e barnave që kërkojnë përshkrim mjekësor pa recetë ishte një tjetër temë e diskutimit.

Dëfrim Goma tha se fenomeni vazhdon të ekzistojë dhe se Urdhri i Farmacistëve ka kërkuar vazhdimisht respektimin e rregullave për tregtimin dhe dhënien e barnave.

“Farmacisti nuk mund të bëhet mjek dhe s’ka pse të bëhet mjek. Ashtu sikurse edhe mjeku nuk ka pse të bëhet farmacist.”

Sipas tij, respektimi i kufijve të kompetencave profesionale është i rëndësishëm për sigurinë e pacientit, pasi një bar i dhënë pa vlerësimin e duhur mjekësor mund të çojë në trajtim të papërshtatshëm ose në komplikacione.

Shërbimi nga persona jofarmacistë: përgjegjësi dhe masa disiplinore

Në emision u diskutua edhe një problem tjetër: ofrimi i shërbimit farmaceutik nga persona që nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Goma tha se, kur këto raste evidentohen, njoftohen institucionet përkatëse dhe mund të merren masa disiplinore ndaj drejtuesve teknikë përgjegjës, në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi.

Ai iu drejtua drejtuesve teknikë dhe pronarëve të farmacive që të mos ndërhyjnë në ushtrimin profesional të farmacistëve.

“Farmacia nuk është një tregti e lirë, nuk është një tregti e thjeshtë. Në farmaci tregtohen barna dhe barnat nuk janë mall i zakonshëm.”

Farmakovigjilenca: nevojiten më shumë raportime

Farmakovigjilenca ishte një tjetër pikë e rëndësishme e intervistës.

Profesor Ledjan Malaj shpjegoi se funksionimi i saj lidhet drejtpërdrejt me raportimin e reaksioneve apo efekteve të padëshiruara të barnave, problematikave të përdorimit dhe çështjeve të tjera që mund të evidentohen gjatë praktikës.

“Farmakovigjilenca lind nga raportimet që duhet të bëjnë farmacistët apo që duhet të bëjë popullata.”

Ai theksoi se farmacisti, për shkak të kontaktit të përditshëm me pacientët, ka një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe raportimin e problematikave që lidhen me përdorimin e barnave.

Reklamimi i barnave: ku ndalet roli i farmacistit?

Rrjetet sociale dhe mënyra se si farmacistët komunikojnë për barnat dhe shërbimet shëndetësore ishte një tjetër temë e diskutuar.

Profesor Malaj theksoi rëndësinë e respektimit të kuadrit ligjor për reklamimin e barnave dhe bëri dallimin mes informimit të pacientit dhe promovimit tregtar.

“Farmacisti duhet të edukojë pacientin për përdorimin e barnave. Kjo është shumë e rëndësishme.”

Sipas tij, komunikimi profesional duhet të jetë i bazuar në evidencë dhe farmacisti duhet të tregojë kujdes që përdorimi i rrjeteve sociale të mos e kthejë komunikimin shëndetësor në një formë të thjeshtë promovimi tregtar.

Furnizimi me barna dhe projektligji i ri

Në pjesën e fundit të intervistës u diskutua edhe projektligji që lidhet me krijimin e një shoqërie shtetërore për ofrimin e shërbimeve të përbashkëta të furnizimit me barna, pajisje mjekësore dhe shërbime të tjera.

Goma tha se, sipas dijenisë së tij, grupet profesionale nuk ishin konsultuar për këtë nismë dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve në hartimin e politikave që prekin drejtpërdrejt sektorin.

“Kur merren vendime të kësaj natyre, me një impakt të madh në furnizimin me barna apo në shëndetin e popullatës, të pyeten profesionistët.”

Sipas tij, konsultimi me aktorët që punojnë çdo ditë në sektor do të ndihmonte që modelet e reja të ishin të zbatueshme në realitetin shqiptar dhe të minimizoheshin rreziqet për furnizimin me barna.

Farmacia e së ardhmes: më shumë shërbim, standarde dhe profesionalizëm

Nga kriteret për hapjen e një farmacie, te roli i drejtuesit teknik, respektimi i recetës, siguria e barnave, farmakovigjilenca dhe komunikimi në rrjetet sociale, diskutimi në “Diagnozë” solli në vëmendje nevojën për ta parë farmacinë përtej dimensionit tregtar.

Siguria e pacientit, përgjegjësia profesionale dhe cilësia e shërbimit mbeten në qendër të diskutimit për të ardhmen e farmaceutikës në Shqipëri.