Streptokoku “lëpin kockën dhe kafshon zemrën”: Pediatrja Teuta Neli paralajmëron prindërit.

Stafi i emisionit “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, ishte këtë herë në klinikën “Vera Virhov”, ku pediatrja Teuta Neli foli për virozat sezonale dhe për streptokokun, një mikrob i zakonshëm te fëmijët, që në raste të pamjekuara mund të bëhet shumë i rrezikshëm.

Gazetarja: Le të japim një përkufizim të shkurtër: çfarë janë virozat dhe si transmetohen?
Dr. Teuta Neli: Infeksionet virale janë infeksione ciklike, që vijnë një herë në vit, zakonisht në periudhën e dimrit shkurt – mars, kur fluksi është më i madh. Shkaktohen kryesisht nga virusi respirator sincicial, pa përjashtuar edhe viruse të tjera. Transmetohen nëpërmjet rrugës aerogjene, spërkatjeve dhe objekteve të kontaminuara.

Gazetarja: Prindërit shpesh ngatërrojnë virozat e thjeshta me ato të komplikuara. Si bëhet dallimi?
Dr. Teuta Neli: Të gjitha patologjitë në përgjithësi fillojnë me temperaturë të lartë, prandaj bëjmë diagnozë diferenciale për të kuptuar nëse kemi një infeksion thjesht viral apo një mbivendosje me infeksion bakterial. Në këto raste rekomandojmë analiza shtesë, si një test i shpejtë i fytit (rapid test), i cili jep përgjigje të menjëhershme dhe na orienton për vazhdimin e terapisë.
Infeksionet virale në përgjithësi fillojnë papritur, me temperatura që mund të shkojnë deri në 39°C, ndonjëherë të shoqëruara me dridhje, një sinjal alarmi si për mjekun ashtu edhe për prindin. Më shpesh preket trakti respirator, duke dhënë kollë; në raste të rralla mund të kemi edhe pneumoni, kur fëmija ka vështirësi në frymëmarrje dhe gjendje e përgjithshme e rënduar, situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Reklame
Reklamë

Gazetarja: Çfarë duhet të bëjë një prind kur fëmija ka temperaturë të lartë, veçanërisht natën?

Dr. Teuta Neli: Gjëja e parë është t’i japë një antipiretik, më i shpeshti paracetamol, dhe më pas patjetër të shkojë në qendrën më të afërt për një vizitë të specializuar, te pediatri ose mjeku i familjes. Nuk duhet neglizhuar dhe as të fillohen mjekime nëpërmjet internetit apo këshillave të shoqërisë, kemi pasur raste fëmijësh të trajtuar gabimisht në këtë mënyrë.
Kur temperatura arrin 39°C, mund të rekomandojmë edhe një dush me ujë rreth 37°C, për të ulur pak vlerat – por kurrë kur fëmija ka dridhje (frisone).
Gazetarja: Sa herë mund të infektohet një fëmijë me viroza gjatë një viti?
Dr. Teuta Neli: Varet nga forcat imune të fëmijës. Një fëmijë i shëndetshëm mund të kalojë gjithë vitin pa u infektuar, por fëmijët që frekuentojnë çerdhet janë më të predispozuar, ashtu si edhe ata me sëmundje kronike, probleme kardiake apo astmë. Nëse një fëmijë kalon infeksione një apo dy herë në muaj, kjo nuk është diçka shqetësuese.
Gazetarja: Çfarë është streptokoku dhe pse quhet i rrezikshëm?
Dr. Teuta Neli: Streptokoku është një mikrob banor i orofaringut, që në momente të veçanta bëhet shumë agresiv, sidomos te fëmijët në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Shkakton sëmundje të ndryshme: nga bajamet, duke dhënë tonsilite apo angina, te faringu, duke dhënë faringite, te kordat zanore, duke dhënë laringite, si dhe shpesh prek lëkurën, duke dhënë skarlatinë ose erizipel. Nuk përjashtohen as infeksione në mushkëri, kur nuk mjekohet siç duhet.
Nëse nuk trajtohet me kohëzgjatjen e duhur, ky mikrob mund të japë probleme edhe artikulare, duke shkaktuar ethe reumatizmale, që shoqërohen me dhimbje, enjtje e skuqje, ka raste kur fëmija ngrihet në mëngjes dhe nuk mbështet dot këmbën për të ecur. Në këto raste bëjmë analiza shtesë, sepse një streptokok i pamjekuar, përveç artritit, mund të prekë edhe klapat e zemrës. Prandaj themi shpesh: streptoku lëpin kockën dhe kafshon zemrën.
Gazetarja: Cilat analiza duhen bërë në këto raste?
Dr. Teuta Neli: Përveç vlerësimit klinik, bëjmë një test të shpejtë të fytit (rapid test) në momentin që vjen pacienti. Nëse del pozitiv, fillojmë menjëherë mjekimin me antibiotikë. Nëse del negativ, rekomandojmë një kulturë të fytit, të bërë në mëngjes, esëll, me rezultat brenda 24–48 orësh. Bëjmë edhe analiza gjaku – hemogramë, proteinë reaktive dhe antistreptolizinë, e cila rritet nga java e parë deri në të tretën dhe qëndron e rritur deri në gjashtë muaj.
Gazetarja: Si paraqiten fëmijët me streptokok? A janë simptomat të dukshme menjëherë?
Dr. Teuta Neli: Fëmija ka temperaturë, mund të ketë skuqje të lehtë të fytit, vështirësi në ushqyerje e gëlltitje, ndonjëherë edhe kollë të thatë, pasi fyti është i thatë nga infeksioni. Fëmijët më të rritur arrijnë ta lokalizojnë vetë dhimbjen; të tjerë thjesht kërkojnë të fërkohen aty ku ndjejnë dhimbje.
Gazetarja: Si trajtohet streptokoku dhe sa zgjat mjekimi?
Dr. Teuta Neli: Pasi kultura dhe antibiograma konfirmojnë llojin e mikrobit dhe antibiotikun e duhur, fillojmë mjekimin, i cili duhet të zgjasë 7 deri në 10 ditë, në varësi të gjendjes së fëmijës dhe rezultateve të gjakut. Pas mjekimit bëjmë vizita kontrolli për të parë ecurinë. Përsëritja nuk është e thënë të ndodhë nëse mjekimi bëhet i rregullt, nëse fëmija mban higjienë të mirë orale sepse një dhëmb i prishur është burim infeksioni dhe nëse traktit nazal i kushtohet kujdes.
Gazetarja: Si mund t’i menaxhojnë prindërit temperaturat në shtëpi dhe si e forcojnë imunitetin e fëmijës?
Dr. Teuta Neli: Nëse temperatura shkon deri në 38°C, normalisht menaxhohet në shtëpi. Por nëse temperatura është shumë e lartë dhe fëmija është i përgjumur e nuk reagon, kjo tregon një prekje të mundshme të sistemit nervor sepse streptokoku nuk prek vetëm grykën, mund të prekë kockat, zemrën, sistemin nervor apo veshkat, duke dhënë glomerulonefrit dhe ulje të funksionit renal. Prandaj duhet të jemi vigjilentë dhe të vlerësojmë çdo shenjë të re që fëmija nuk e kishte më parë këto janë shenjat e alarmit që duhen vlerësuar patjetër nga mjeku.
Për imunitetin, rekomandojmë që fëmijët të jenë sa më shumë socialë, të frekuentojnë çerdhet e kopshtet, të dalin e të lozin jashtë. Kontakti me viruset apo mikrobet krijon një sensibilizim natyral të organizmit, prandaj mbrojtja e tepërt e fëmijës, duke e mbajtur të izoluar, nuk e ndihmon të zhvillojë një imunitet më të fortë.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)