Erieta Gajtani: “Arti u bë shoku im më i mirë” Nga dhimbjet e jetës te mozaikët me gurë të brigjeve shqiptare.

Arti mund të jetë më shumë se një profesion. Për disa njerëz, ai bëhet një mënyrë për të përballuar dhimbjen, për të gjetur dritën edhe në periudhat më të vështira dhe për t’i dhënë kuptim jetës.

Në rubrikën “Impak Shëndet” të emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti e ftuar ishte Erieta Gajtani, artiste e mozaikut dhe piktore, e cila prej më shumë se 35 vitesh i është përkushtuar artit pamor dhe prej rreth dy dekadash ka zgjedhur mozaikun si një nga format e saj kryesore të shprehjes artistike.

Erjeta punon me gurë të mbledhur nga natyra, kryesisht nga brigjet shqiptare, duke i shndërruar materiale të thjeshta në vepra arti me ngjyra, forma dhe histori. Por pas këtyre veprave fshihet edhe një rrugëtim personal i mbushur me sfida, humbje dhe momente që e kanë formësuar si artiste dhe si njeri.

Reklame
Reklamë

“Arti u bë një shok shumë i mirë, i heshtur, që nuk më la kurrë vetëm”, rrëfeu ajo gjatë intervistës.

Që në fëmijëri, Erjeta u përball me vështirësi të mëdha familjare. Babai i saj u arrestua kur ajo ishte vetëm tre vjeç, ndërsa nëna u përpoq të rrisë dhe edukojë fëmijët në kushte të vështira. Në këtë realitet, arti u bë një mënyrë për të qëndruar e lidhur me bukurinë dhe për të mos lejuar që errësira e rrethanave të përcaktonte mënyrën se si ajo e shihte jetën.

“E kam njohur errësirën shumë mirë, por kam zgjedhur të shoh dritën”, u shpreh Gajtani, duke shpjeguar edhe arsyen pse në veprat e saj dominojnë lulet, natyra, ngjyrat dhe feminiliteti.

Një tjetër humbje e rëndë do të ndryshonte rrjedhën e jetës së saj. Motra e saj më e vogël, gjithashtu artiste, piktore dhe poete, u nda nga jeta në moshën 47-vjeçare. Pak kohë më pas humbi edhe nënën, e cila nuk mundi ta përballonte dhimbjen e humbjes së vajzës.

Erieta rrëfeu se pas këtyre dy humbjeve e kishte të pamundur të vazhdonte të pikturonte apo të punonte. Ishte bashkëshorti i saj ai që e ndihmoi të dilte gradualisht nga ajo periudhë e errët. Duke udhëtuar së bashku nëpër male, fusha, pyje dhe bregdet, ajo filloi të shihte diçka që më parë mund të kalonte pa u vënë re: gurët.

Gurët me ngjyra të ndryshme u kthyen në materialin kryesor të krijimtarisë së saj.

“Jeta kërkon artin gjithandej”, tha artistja, duke treguar se fillimisht nisi të mblidhte gurë të kuq, të verdhë, jeshilë e të tjerë, të cilët më pas i përdori për të krijuar mozaikët e saj.

Ndryshe nga mozaikët tradicionalë, ku shpesh përdoren materiale të përgatitura dhe të ngjyrosura, Erieta zgjodhi të punojë me ngjyrat natyrale të gurëve që gjenden në brigjet shqiptare.

Ajo tregon se dëshironte të krijonte pemë, portrete, figura njerëzore dhe natyrë duke përdorur vetëm ngjyrat që natyra i kishte dhënë gurëve.

Një rol të veçantë në krijimtarinë e saj zënë lulet. Ato lidhen edhe me kujtimet e fëmijërisë dhe me shtëpinë e gjyshes së saj në Tiranë, e cila kishte oborre të mëdha të mbushura me lule dhe pemë. Shtëpia dhe gjelbërimi i saj u zhdukën me kalimin e viteve, por kujtimi mbeti dhe u rikthye në artin e Erietës.

Për të, arti nuk është vetëm estetikë. Është edhe kujtesë.

Në intervistë, artistja foli edhe për një tjetër dimension të rëndësishëm të jetës së saj: përballjen me sëmundjen dhe humbjen e bashkëshortit.

Ajo rrëfeu se bashkëshorti u përball me një sëmundje të rëndë, e cila u shfaq fillimisht me simptoma që ngjanin me një grip, kollë dhe dhimbje koke. Gjendja u përkeqësua dhe hetimet zbuluan kancer në mushkëri me metastaza në tru.

Në atë periudhë të vështirë, Erieta kujton veçanërisht mbështetjen e mjekëve që u gjendën pranë familjes së saj.

Ajo ndau në studio mirënjohjen e veçantë për mjekët Enrik Zotaj dhe Laert Bërdica, duke theksuar jo vetëm kujdesin profesional, por edhe humanizmin e tyre.

Sipas rrëfimit të saj, mjeku Enrik Zotaj ishte i pranishëm edhe përtej detyrimit profesional, duke e vizituar bashkëshortin në shtëpi, duke komunikuar me familjen dhe duke i ndihmuar edhe me trajtimin në një periudhë kur sëmundja kishte avancuar.

“Një mjek që ishte i pranishëm aty me ty deri në momentin e fundit”, tha Erieta, duke shprehur mirënjohjen e saj të thellë për mjekët që e shoqëruan familjen në atë periudhë.