Pushimet pa “farmaci” me vete? Farmacistja Laurela Zani tregon çfarë duhet të keni në çantë dhe cilat gabime duhen shmangur.

Nga Freskida Miloti

Vera sjell pushimet, udhëtimet dhe temperaturat e larta, por bashkë me to edhe një sërë shqetësimesh shëndetësore. Pickimet e insekteve, diarreja e udhëtarit, helmimet ushqimore, djegiet nga dielli, infeksionet e veshit dhe irritimet e lëkurës janë ndër problemet më të shpeshta për të cilat qytetarët kërkojnë këshillën e farmacistit.

Në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, farmacistja Laurela Zani shpjegon cilat janë shqetësimet më të zakonshme gjatë verës, çfarë duhet të përmbajë çanta e pushimeve dhe mbi të gjitha, kur një problem i thjeshtë nuk duhet të trajtohet më në shtëpi, por kërkon mjekun.

Reklame
Reklamë

Pickimet e insekteve, kur duhet të shqetësohemi?

Pickimet nga bletët, grerëzat dhe insektet e tjera janë të zakonshme gjatë verës, veçanërisht në zonat bregdetare dhe malore.

Në rastet e lehta, zona duhet të pastrohet dhe të trajtohet në mënyrën e duhur, ndërsa për pickimin nga bleta duhet treguar kujdes gjatë heqjes së thumbit.

Por situata bëhet serioze kur pas pickimit shfaqen vështirësi në frymëmarrje, ënjtje e gjuhës apo ndjesi mbytjeje.

Këto mund të jenë shenja të një reaksioni të rëndë alergjik dhe kërkojnë ndihmë mjekësore të menjëhershme.

“Diarreja e udhëtarit, një nga shqetësimet e shpeshta gjatë pushimeve.”

Ndryshimi i ushqimit, ujit dhe rutinës gjatë udhëtimeve mund të sjellë probleme gastrointestinale.

Në këto raste, një nga gjërat më të rëndësishme është rehidratimi dhe zëvendësimi i elektroliteve.

Farmacistja këshillon që udhëtarët të kenë me vete produkte për rehidratim, ndërsa për personat që kanë probleme të përsëritura gjatë udhëtimeve, këshilla profesionale është e rëndësishme përpara përdorimit të barnave.

Çfarë duhet të ketë çdo çantë pushimesh?

Garza, antiseptik, pincetë, fasha elastike, termometër, produkte për rehidratim dhe disa produkte bazë të ndihmës së parë janë ndër elementët që mund të jenë të dobishëm gjatë udhëtimeve.

Por çanta duhet të përshtatet edhe me destinacionin.

Një udhëtim në mal mund të kërkojë produkte të ndryshme nga një pushim në bregdet.

Personat me sëmundje kronike duhet të tregojnë kujdes të veçantë, duke marrë me vete sasinë e mjaftueshme të barnave që përdorin rregullisht.

“Helmimet ushqimore, kujdes me ushqimin në verë.”

Temperaturat e larta dhe ruajtja jo e duhur e ushqimeve favorizojnë shfaqjen e problemeve gastrointestinale.

Të vjellat dhe diarreja mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme të lëngjeve dhe elektroliteve.

Në këto raste, hidratimi është thelbësor, ndërsa ushqimi duhet të jetë i lehtë dhe në sasi të vogla.

Por nëse simptomat zgjasin më shumë se 24–48 orë, shoqërohen me temperaturë, lodhje të madhe, përgjumje ose shenja dehidratimi, nuk duhet të qëndrohet vetëm me trajtim në shtëpi.

“Lëkura e bebeve, më e ndjeshme gjatë temperaturave të larta.”

Djersitja dhe lagështira mund të shkaktojnë skuqje dhe irritime në lëkurën e bebeve, veçanërisht në zonat e sqetullave dhe pelenës.

Larja me ujë të vakët, mbajtja e lëkurës së thatë dhe përdorimi i veshjeve të lehta janë disa nga masat bazë.

Produktet që përdoren te foshnjat duhet të zgjidhen me kujdes dhe të jenë të përshtatshme për lëkurën e tyre delikate.

Djegia nga dielli, mos përdorni “recetat e shtëpisë”.

Një nga gabimet që bëjnë shpesh pushuesit është përdorimi i produkteve të ndryshme mbi lëkurën e djegur nga dielli.

Akulli, kosi apo produkte të tjera të improvizuara nuk janë zgjidhja.

Hapi i parë është largimi nga dielli dhe kujdesi i duhur për lëkurën. Në rastet më të rënda, veçanërisht kur shfaqen flluska të mëdha ose shenja infeksioni, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, mbrojtja nga dielli nuk duhet të ndërpritet vetëm sepse lëkura është nxirë.

“Fëmijët në pishina, kujdes me infeksionet e veshit.”

Zhytjet e shpeshta dhe lagështira mund të favorizojnë problemet e veshit te fëmijët.

Sipas farmacistes, përdorimi i tapave të përshtatshme mund të ndihmojë në mbrojtjen gjatë notit, ndërsa futja e sendeve të forta në vesh mund ta përkeqësojë situatën.

Barnat në makinë? Gabim që mund t’u ulë efektivitetin.

Një nga këshillat më të rëndësishme të farmacistes lidhet me ruajtjen e barnave gjatë udhëtimit.

Jo çdo medikament duhet të ruhet në frigorifer. Në të njëjtën kohë, barnat që kërkojnë temperaturë të kontrolluar, si insulina dhe produkte të tjera termolabile, duhet të transportohen në kushtet e përshtatshme.

Një gabim që duhet shmangur është lënia e barnave në makinë ose në bagazh, ku temperaturat mund të rriten ndjeshëm.

“Mos merrni gjithë farmacinë me vete”

Mesazhi i farmacistes Laurela Zani është i qartë: çanta e pushimeve duhet të jetë e zgjuar, jo e mbushur me barna pa kriter.

Produktet bazë të ndihmës së parë dhe medikamentet që përdoren rregullisht duhet të jenë të pranishme, por përdorimi i çdo bari duhet të bëhet me kujdes dhe sipas këshillës së profesionistit.

Nëse një shqetësim nuk përmirësohet, përkeqësohet ose shoqërohet me simptoma alarmi, farmacisti mund të jetë pika e parë e këshillimit, por mjeku është ai që duhet të vendosë diagnozën dhe trajtimin.

Intervista me farmacisten Laurela Zani u zhvillua në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, në A2 CNN.