Dita Botërore e Farmacistëve: Urdhri i Farmacistëve vë në fokus shëndetin e fëmijëve.

Tiranë, 25 shtator 2026 – Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë shënoi Ditën Botërore të Farmacistëve me një sërë aktivitetesh informuese dhe sensibilizuese, të cilat këtë vit iu kushtuan fëmijëve, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për kujdesin ndaj shëndetit të tyre dhe përdorimin e sigurt të barnave.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur në qendër të nismave kanë qenë të moshuarit dhe gjimnazistët, këtë herë vëmendja u përqendrua te më të vegjlit.

Studentët e farmacisë në terren pranë QSUT-së

Reklame
Reklamë

Gjatë paradites, pranë ambienteve të QSUT-së, studentë të farmacisë u angazhuan në informimin e qytetarëve, duke shpërndarë fletëpalosje dhe materiale me këshilla praktike mbi kujdesin për shëndetin e fëmijëve dhe përdorimin e sigurt të barnave.

Sipas Urdhrit të Farmacistëve, aktiviteti synoi të theksojë rolin e farmacistit jo vetëm në dhënien e barnave, por edhe në këshillimin dhe edukimin shëndetësor të qytetarëve. Përmes nismave në terren, Urdhri synon ta afrojë profesionin më shumë me komunitetin dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e marrjes së informacionit të duhur përpara përdorimit të çdo bari.

Dhurata për Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”

Pjesë e rëndësishme e nismës ishte vizita në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Pasi u njoh paraprakisht me nevojat e institucionit, të përcjella nga personeli mjekësor, Urdhri i Farmacistëve dhuroi barna, vitamina, suplemente, si dhe materiale e pajisje të tjera të nevojshme.

Studentët njihen me punën e Agjencisë Kombëtare të Barnave

Aktivitetet u përmbyllën me takimin e Presidentit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërise Defrim Goma dhe studentëve të farmacisë me Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Studentët u njohën nga afër me veprimtarinë e Agjencisë, përfshirë Sektorin e Farmakovigjilencës, Sektorin e Inspektimit dhe Laboratorin e Analizave.

Kjo vizitë u dha atyre mundësinë të kuptojnë më mirë rolin e institucioneve rregullatore në garantimin e sigurisë, cilësisë dhe përdorimit të sigurt të barnave.

Përgatiti: Freskida Miloti