UDHËTIMI I QELIZAVE HeLa NË KËRKIMIN SHKENCOR DHE DISKURSIN ETIK

Një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi ndikimin shkencor dhe dilemat bioetike të linjës qelizore më të famshme në histori

Autorë:
Atika Karaj¹, Lejla Karaj¹, Marina Xhelollari¹, Migena Kaceli¹, Paola Visari¹, Paula Ndou¹, Teona Bushati²,³,⁴

Institucionet:
¹ Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Ballkanit Perëndimor, Tiranë
² Departamenti i Anatomisë Patologjike dhe Mjekësisë Ligjore, Fakulteti i Mjekësisë, UMT
³ Departamenti i Patologjisë, Spitali Amerikan, Tiranë
⁴ BS dhe ADI, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Ballkanit Perëndimor, Tiranë

Botuar në: Revista Shkencore Mjekësore “Diagnozë”
ISSN (Print): 3104-4476
ISSN (Online): 3104-4484
Data e botimit: 8 Korrik 2025
Viti: 2025   |   Numri: 2   |   Faqe: 46–68

Abstrakt

Qelizat HeLa, të izoluara për herë të parë në vitin 1951 nga indi i kancerit të qafës së mitrës i pacientes Henrietta Lacks, përbëjnë një nga linjat qelizore më të përdorura dhe më me ndikim në kërkimin biomjekësor. Aftësia e tyre për proliferim të pafund e ka bërë të mundur zhvillimin e qindra vaksinave, barnave dhe teknologjive biologjike. Ky artikull shqyrton ndikimin e HeLa në kërkimin shkencor, duke përfshirë zhvillimin e vaksinave si ajo kundër poliomielitit dhe HPV-së, si dhe përmirësimet në kulturat qelizore dhe mikroskopinë moderne. Pavarësisht vlerës së tyre të jashtëzakonshme, përdorimi i qelizave HeLa është shoqëruar me shqetësime serioze etike, përfshirë mungesën e pëlqimit të informuar nga pacientja dhe familja e saj, si dhe kontaminimin e linjave të tjera qelizore. Artikulli vë në dukje rëndësinë e balancimit mes progresit shkencor dhe respektimit të të drejtave të njeriut në kërkimin biomjekësor.

Fjalë kyçe: HeLa, qelizat e pavdekshme, vaksinat, kontaminimi i linjave qelizore, pëlqimi i informuar, etika mjekësore