Ka mjekë që lënë pas pacientë të shëruar dhe ka mjekë që lënë pas një mënyrë të re të të menduarit. Dr. Eduard (Edi) Tushe i përkiste kësaj kategorie të dytë. Përkushtimi ndaj të porsalindurve, vizioni për të sjellë praktika moderne në Shqipëri dhe filozofia e tij e kujdesit njerëzor e kthyen atë në një nga figurat më të rëndësishme të neonatologjisë shqiptare.

Në emisionin special “Diagnozë” nga Freskida Miloti, kushtuar kujtimit të Dr. Edi Tushes, të ndarë nga jeta pak javë më parë, Prof. Rubena Moisiu ndau kujtime nga mbi katër dekada bashkëpunim profesional dhe miqësi, duke e përshkruar Dr. Tushen si njeriun që hodhi themelet e neonatologjisë moderne në vend.

Sipas saj, Dr. Tushe ishte mjeku që solli për herë të parë në praktikën shqiptare metoda që sot konsiderohen standarde ndërkombëtare, si kontakti “lëkurë me lëkurë” menjëherë pas lindjes dhe metoda “Kangaroo Mother Care”, për kujdesin ndaj të porsalindurve me peshë të ulët. Ai ishte gjithashtu ndër zërat kryesorë që këmbënguli që neonatologjia të njihej si specialitet më vete në Shqipëri, duke e shkëputur nga pediatria e përgjithshme dhe duke ndërtuar një shërbim modern të bazuar në evidencë shkencore dhe punë në ekip.

“Ne në fillim mendonim se ishin ide të guximshme, por ai shihte më larg se ne. Sot janë metoda që përdoren kudo dhe kanë ndryshuar mënyrën e kujdesit për foshnjat”, u shpreh Prof. Rubena Moisiu.
Por ajo që e bënte të pazëvendësueshëm, sipas saj, nuk ishte vetëm profesionalizmi.
“Edi nuk trajtonte vetëm fëmijën. Ai trajtonte edhe prindërit. Rrinte gjatë duke biseduar me ta, i qetësonte dhe krijonte besim. Shpesh kalonte më shumë kohë duke folur sesa duke shkruar receta.”

Një nga filozofitë që e karakterizonte ishte përdorimi racional i medikamenteve.
“Për të, trajtimi nuk nënkuptonte të përshkruaje menjëherë antibiotikë. Ai besonte se organizmi duhej ndihmuar të shërohej, kur kjo ishte e mundur, ndërsa mjeku duhej të ishte pranë pacientit me dije, qetësi dhe kujdes.”
Prof. Rubena Moisiu vlerësoi edhe frymën e bashkëpunimit që ai krijoi mes kolegëve.
“Na mësoi të lexonim, të studionim, të diskutonim në grup dhe të merrnim përgjegjësi. Ai formoi breza të tërë neonatologësh.”
Ajo kujtoi gjithashtu se gjatë periudhës kur Dr. Tushe drejtonte shërbimin e neonatologjisë, u arritën ndër nivelet më të ulëta të vdekshmërisë neonatale për kohën, falë përkushtimit, këmbënguljes dhe standardeve që ai vendosi.

Në fund të intervistës, Prof. Rubena Moisiu bëri të ditur se një grup mjekësh ka propozuar që shërbimi i neonatologjisë të mbajë emrin e Dr. Eduard Tushës, si një homazh për njeriun që ndërtoi dhe zhvilloi këtë specialitet në Shqipëri.
“Nuk kam njohur një njeri që të fliste keq për askënd. Ishte i urtë, i mençur dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. Mjekësia shqiptare humbi një profesionist të madh, por mbi të gjitha humbi një njeri të jashtëzakonshëm”, përfundoi Prof. Rubena Moisiu.








