Ashtu si çdo verë, Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor ka rihapur rrjetin e qendrave shëndetësore verore në gjithë territorin, për t’u ardhur në ndihmë si pushuesve shqiptarë ashtu edhe të huajve. Për risitë e këtij sezoni, numrin e kërkesave për punë dhe zonat me fluksin më të lartë, ka folur në emisionin “Diagnozë” nga Freskids Miloti, drejtoresha e OSHKSH, Jeta Deda.
36 qendra, prej 1 qershorit deri në fund të shtatorit.
Sipas Dedës, numri i qendrave shëndetësore verore mbetet i njëjti si çdo vit, 36, të lidhura me 33 qendra shëndetësore 24-orëshe në të gjithë vendin, të cilat komunikojnë me shërbimin e ambulancës dhe urgjencën kombëtare në numrin 127, si dhe me spitalet bashkiake e rajonale për raste referimi.
Risi e këtij sezoni janë dy qendra shëndetësore të përkohshme, hapur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë: një pranë kishës së Shën Ndout në Laç, aktive çdo të martë gjatë periudhës së pelegrinazhit, dhe një tjetër pranë Llixhave të Elbasanit, e hapur gjatë fundjavave, për shkak të kërkesës nga vizitorët terapeutikë e turistikë të zonës.
Furnizim i plotë me pajisje mjekësore.
Qendrat janë të pajisura këtë vit me barna, materiale mjekësore, aparatura EKG, monitorë vitaliteti dhe defibrilatorë, ndërsa në disa prej tyre qëndrojnë edhe ambulanca me staf të dedikuar për shoqërime pacientësh. Përveç urgjencave, qendrat ofrojnë edhe kontrolle rutinë, ndërhyrje të vogla kirurgjikale dhe injeksione të përshkruara nga mjekët.
Tarifim vetëm për të huajt, jo për shtetasit shqiptarë.
Prej këtij viti, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka ndërtuar bazën ligjore për tarifimin e shtetasve të huaj që marrin shërbim pranë qendrave shëndetësore e spitaleve, me përjashtim të vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të veçanta. Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të mos paguajnë asnjë shërbim.
Sipas Dedës, të ardhurat nga ky tarifim shkojnë si burim dytësor financimi për vetë qendrat, duke u dhënë mundësi investimesh dhe përmirësimi të shërbimeve, gjithnjë nën monitorimin e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
700 kërkesa nga mjekë e infermierë për të punuar në verë.
Kërkesa për t’u angazhuar në qendrat shëndetësore verore është rritur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit: nga 220–250 kërkesa për 200 vende pune në vitin e parë të thirrjes publike, në mbi 350 vitin e dytë, deri në 700 kërkesa këtë vit. Operatori ka krijuar një listëpritje, bazuar në një metodologji vlerësimi që favorizon kandidatët me specialitet dhe eksperiencë në urgjenca e emergjenca civile.
Pogradeci, Golemi, Shëngjini dhe Velipoja, zonat me fluksin më të lartë.
Deri më tani, Qendra Shëndetësore Verore e Pogradecit renditet e para për numër vizitash, e ndjekur nga Golemi, Shëngjini dhe Velipoja. Vetëm në dy javët e para të sezonit janë regjistruar rreth 8 mijë vizita, shifër që tashmë ka kaluar 10 mijë.
Sfidë e veçantë mbetet zona e Himarës, për shkak të terrenit bregdetar dhe rasteve të shpeshta të pickimeve e alergjive, si dhe zonat e thella malore, ku personeli mjekësor shpesh arrin te turistët në këmbë, për shkak të mungesës së aksesueshmërisë me automjet.
Hipertensioni, diagnoza më e shpeshtë te të rriturit.
Sipas të dhënave të para të sezonit, hipertensioni arterial mbetet diagnoza më e shpeshtë tek të rriturit, ndërsa te fëmijët mbizotërojnë gastroenteritet, pickimet dhe alergjitë, me raste më të pakta dermatiti apo otiti. Numri i referimeve drejt spitaleve bashkiake e rajonale ka qenë i ulët, shenjë, sipas Dedës, e një menaxhimi efektiv në terren.
Freskida Miloti – Diagnozë – A2CNN








