Alkooli a dëmton vetëm mëlçinë, apo edhe veshkat? Paralajmërimi i nefrologes.

Nga emisioni “Diagnozë” me Freskida Milotin, në A2 CNN.

Kur flitet për pasojat e alkoolit në shëndet, vëmendja zakonisht përqendrohet te mëlçia. Megjithatë, sipas nefrologes Prof. Asoc. Dr. Marsida Duli, alkooli mund të shkaktojë dëmtime të rëndësishme edhe në veshka, sidomos kur konsumohet në sasi të mëdha ose në mënyrë të vazhdueshme.

E ftuar në emisionin “Diagnozë” në A2 CNN, Dr. Duli shpjegoi se një nga mitet më të përhapura është besimi se birra ndihmon në pastrimin e veshkave apo në eliminimin e gurëve.

Reklame
Reklamë

“Në realitet ndodh e kundërta. Alkooli rrit prodhimin e urinës, por kjo nuk do të thotë se organizmi hidratohet. Përkundrazi, ai favorizon dehidratimin, çrregullimin e ekuilibrit të elektroliteve dhe mbingarkon funksionin e veshkave,” u shpreh ajo.

Sipas nefrologes, gjatë muajve të verës rreziku bëhet edhe më i madh, pasi humbja e lëngjeve nga djersitja kombinohet me efektin diuretik të alkoolit, duke rritur mundësinë e dehidratimit dhe të komplikacioneve renale.

Dr. Duli theksoi se përdorimi i tepërt i alkoolit mund të ndikojë negativisht edhe te personat që trajtohen për hipertension arterial, veçanërisht ata që marrin barna diuretike. Kombinimi i temperaturave të larta, humbjes së lëngjeve dhe alkoolit mund të favorizojë uljen e tensionit arterial dhe të komprometojë furnizimin me gjak të organeve, përfshirë veshkat.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutuar ishte ndikimi afatgjatë i alkoolit. Sipas saj, konsumimi kronik rrit stresin oksidativ, favorizon hipertensionin arterial dhe mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjes kronike të veshkave. Në rastet e dëmtimit të rëndë të mëlçisë nga alkooli, mund të shfaqet edhe sindroma hepatorenale, një gjendje serioze që prek funksionin e veshkave.

Nefrologia sqaroi gjithashtu se alkooli mund të favorizojë formimin e gurëve në veshka përmes dehidratimit dhe ndryshimeve metabolike që nxisin kristalizimin e mineraleve në traktin urinar. Përveç kësaj, ai mund të rrisë predispozicionin për infeksione urinare, pasi dehidratimi dhe dobësimi i sistemit imunitar krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e tyre.

Në lidhje me pyetjen nëse ekziston një sasi “e sigurt” alkooli, Dr. Duli u shpreh se përdorimi duhet të jetë sa më i kufizuar dhe se duhen shmangur sasitë e mëdha të konsumuara në një periudhë të shkurtër kohe.

Ajo theksoi se ka kategori personash që nuk duhet të konsumojnë alkool, si pacientët me sëmundje të veshkave, hipertension arterial, diabet, sëmundje të mëlçisë, si edhe ata që vuajnë nga gastriti apo ulçera.

Në fund të intervistës, specialistja rekomandoi që personat me histori të konsumit të lartë të alkoolit të kryejnë kontrolle periodike, duke përfshirë analizat e gjakut dhe urinës, vlerësimin e funksionit të veshkave, ekografinë e aparatit urinar, si edhe kontrollin e funksionit të mëlçisë.

Mesazhi i saj ishte i qartë: alkooli nuk dëmton vetëm mëlçinë. Edhe veshkat mund të pësojnë pasoja serioze, sidomos kur konsumimi është i tepërt ose i vazhdueshëm. Informimi, moderimi dhe kontrollet mjekësore janë mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)