Shoqëria shqiptare po jeton me ankth dhe pasiguri. Mirëqenia e fëmijëve nis nga familja, shkolla dhe komuniteti.

Nga Freskida Miloti

Si ndërtohet mirëqenia psikologjike dhe sociale? Pse shumë njerëz ndihen vazhdimisht të pamjaftueshëm? Si mund të edukojmë fëmijë emocionalisht të shëndetshëm në një kohë kur teknologjia, rrjetet sociale dhe ritmi i jetës po ndryshojnë mënyrën se si jetojmë dhe komunikojmë?

Pikërisht këto ishin disa nga temat që u trajtuan në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë” nga Freskida Miloti, ku e ftuar ishte sociologia, trajnerja dhe aktivistja Marsi Simo.

Reklame
Reklamë

Me një eksperiencë të gjatë në fushën e edukimit dhe zhvillimit social, Simo ndau reflektime mbi prindërimin, edukimin emocional, marrëdhëniet familjare dhe sfidat që po përjeton shoqëria shqiptare.

“Jetojmë me mendime ndërhyrëse”

Sipas saj, një nga karakteristikat më të dukshme të shoqërisë shqiptare sot është ankthi i vazhdueshëm dhe pasiguria për të ardhmen.

“Shoqërinë shqiptare do ta përshkruaja me mendime ndërhyrëse. Janë mendime që burojnë nga pasiguria ekonomike, sociale dhe psikologjike, të cilat nuk na lejojnë të jetojmë të tashmen dhe të shijojmë momentin,” u shpreh ajo.

Nuk ka receta perfekte për prindërimin

Gjatë intervistës, Marsi Simo theksoi se nuk ekzistojnë formula universale për të qenë prind i mirë.

Sipas saj, prindërimi është një proces që kërkon reflektim të vazhdueshëm, vetëdijësim dhe gatishmëri për të bërë pyetje, duke kuptuar se çdo familje ka historinë, kulturën dhe sfidat e saj.

Ajo nënvizoi se ndërgjegjësimi dhe pranimi i realitetit janë hapat e parë drejt ndryshimit, ndërsa fajësimi i vazhdueshëm i brezave të mëparshëm nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve më të shëndetshme.

Perfeksionizmi dhe krahasimi – burim ankthi

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua ndikimit të rrjeteve sociale dhe kulturës së krahasimit.

Simo argumentoi se shumë njerëz jetojnë nën presionin për të qenë gjithmonë perfektë, ndërsa gratë dhe vajzat përballen me standarde gjithnjë e më të larta për pamjen dhe rolin e tyre në shoqëri.

Megjithatë, ajo theksoi se edhe burrat po përjetojnë presione të reja sociale, duke u përballur me pritshmëri të larta për suksesin ekonomik dhe profesional.

Kufijtë personalë mësohen që në fëmijëri

Një tjetër temë e rëndësishme ishte edukimi për kufijtë personalë.

Sipas sociologes, respektimi i kufijve nuk lidhet vetëm me kontaktin fizik, por edhe me privatësinë, kohën personale, emocionet dhe të drejtën për të vendosur për veten.

Ajo theksoi se fëmijët duhet të mësojnë që herët të njohin kufijtë e tyre dhe të respektojnë kufijtë e të tjerëve, pasi kjo është një mbrojtje e rëndësishme edhe ndaj formave të ndryshme të abuzimit.

Dhuna mes të rinjve nuk është një problem i lindur sot

Duke komentuar rastet e fundit të dhunës mes nxënësve dhe ngjarjet tragjike në moshë shkollore, Marsi Simo u shpreh se këto fenomene janë rezultat i një procesi të gjatë dhe nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara.

Sipas saj, mungesa e koordinimit mes familjes, shkollës, institucioneve dhe komunitetit ka krijuar një terren ku fëmijët shpesh rriten pa kufij të qartë dhe pa modele të shëndetshme sjelljeje.

Peticioni për sigurinë në shkolla

Në intervistë u diskutua edhe peticioni kombëtar që Marsi Simo ka iniciuar për rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve në shkolla.

Ajo kërkon masa konkrete për forcimin e disiplinës, zbatimin e rregullave, rehabilitimin e nxënësve me probleme të sjelljes, uljen e numrit të nxënësve në klasa dhe një bashkëpunim më të fortë mes shkollës, prindërve dhe institucioneve.

Sipas saj, investimi në arsim nuk duhet të kufizohet vetëm te infrastruktura, por duhet të përfshijë edhe edukimin emocional, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.

“Ndryshimi fillon nga secili prej nesh”

Në përfundim të intervistës, Marsi Simo theksoi se ndryshimi nuk vjen vetëm nga institucionet, por edhe nga përgjegjësia individuale.

“Duhet të pyesim veten çdo ditë: Çfarë mund të bëj unë më mirë për veten time dhe për njerëzit që kam pranë? Vetëm kështu ndërtojmë familje më të forta, fëmijë më të sigurt dhe një shoqëri më të shëndetshme,” përfundoi ajo.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë.