Më 29 shtator 2025, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë zhvilloi ceremoninë e diplomimit për studentët e dy viteve akademike, 2023–2024 dhe 2024–2025.

Në një mjedis festiv, të mbushur me emocione e krenari, u vlerësua puna dhe përkushtimi i studentëve, të cilët përmbyllën një etapë të rëndësishme studimore dhe tashmë nisin rrugën e tyre profesionale.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Prof. Bajram Begaj, i cili përshëndeti të rinjtë dhe theksoi rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shërbim të shëndetit dhe komunitetit.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Xheladin Draçini, në fjalën e tij vuri në dukje sukseset e studentëve dhe sfidat që i presin përpara, ndërsa zv. ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosacaj, përcolli mesazhe motivuese për të diplomuarit.

Fjalime përshëndetëse mbajtën gjithashtu dekanët e fakulteteve, ndërsa studentët ekselentë ndanë përvojat e tyre dhe vizionin për të ardhmen.

Një ditë e veçantë, e cila kurorëzoi arritjet e studentëve dhe u shoqërua me urime për suksese të mëtejshme në jetën profesionale dhe personale. Eventi u prezantua nga gazetarja dhe farmacistja Freskida Miloti.
