Më 25 shtator u shënua Dita Botërore e Farmacistëve, një ditë që nënvizon rolin thelbësor të farmacistit në sistemin shëndetësor. Këtë vit, nën moton “Mendo Shëndet, Mendo Farmacist”, Federata Ndërkombëtare e Farmacisë (FIP) rikujton rëndësinë e investimit tek farmacistët, veçanërisht në një periudhë sfidash të mëdha shëndetësore dhe ekonomike në mbarë botën.

Në këtë kuadër, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH) organizoi një sërë aktivitetesh sensibilizuese dhe komunitare në Tiranë, me qëllim promovimin e kujdesit farmaceutik dhe afrimin e profesionistëve të shëndetit me qytetarët.
Në aktivitet morën pjesë Defrim Goma, President i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Prof. Ledjan Malaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të UFSH dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, farmacistë nga e gjithë Shqipëria, si dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë. Pjesë e nismës ishte edhe gazetarja dhe farmacistja Freskida Miloti.

Këtë vit, aktivitetet iu dedikuan moshës së tretë, duke theksuar rëndësinë e kujdesit shëndetësor për këtë grupmoshë.
U zhvilluan dy aktivitete kryesore:
1. Vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku organizatorët dhuruan pajisje mjekësore, materiale mjekimi dhe barna OTC, si dhe ofruan matje të tensionit dhe glicemisë falas.
2. Aktivitet sensibilizues në Sheshin “Skënderbej”, ku u ngritën stenda informuese dhe u ofruan matje falas të tensionit e glicemisë, si dhe shpërndarje të fletëpalosjeve me këshilla shëndetësore për qytetarët.
Farmacistët janë pika më e aksesueshme e kujdesit shëndetësor: ata sigurojnë furnizimin e qëndrueshëm me barna, promovojnë përdorimin e drejtë të antibiotikëve dhe kontribuojnë në edukimin shëndetësor të popullatës.

Pa farmacistët, vihet në rrezik përdorimi i sigurt i barnave, optimizimi i trajtimeve dhe besimi i publikut tek sistemi shëndetësor.
Federata Ndërkombëtare e Farmacisë (FIP) nënvizon se investimi tek farmacistët është investim në një të ardhme më të shëndetshme, më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Kjo ditë shërben për të vlerësuar kontributin e tyre dhe për t’i kujtuar vendimmarrësve se:
“Të mendosh shëndet, do të thotë të mendosh farmacist.”