Lifestyle Conference “Lifelong Health and Harm Reduction” – Edicioni i parë në Kosovë

Lifestyle Conference “Lifelong Health and Harm Reduction” u organizua për herë të parë në Kosovë, duke vendosur në qendër kujdesin shëndetësor gjatë gjithë jetës dhe qasjet bashkëkohore të reduktimit të dëmit. Aktiviteti shërbeu si një platformë gjithëpërfshirëse informimi, ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi midis profesionistëve të shëndetit publik, përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, akademikëve, mjekëve, psikiatërve, nutricionistëve, farmacistëve, trajnerëve dhe gazetarëve të fushës së shëndetësisë. Mesazhi kryesor i edicionit të parë ishte se shëndeti dhe reduktimi i dëmit janë përgjegjësi kolektive dhe jo vetëm e sistemit shëndetësor.

Hapja e konferencës dhe prioritetet institucionale

Në fjalën hapëse, Laura Shehu, udhëheqëse e Divizionit të Shëndetit Mendor në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, vlerësoi rëndësinë e organizimit dhe bëri të ditur se Ministria është në proces për hapjen e Qendrës së Varësisë, një nismë e rëndësishme për adresimin e problematikave të lidhura me alkoolin, duhanin dhe substancat. Ajo theksoi vëmendjen që institucioni po i kushton komuniteteve në risk dhe shëndetit publik.

Reklame
Reklamë

Në të njëjtën linjë, Dr. Roland Shuperka, ekspert i shëndetit publik, e konsideroi konferencën një hap domethënës drejt përmirësimit të shëndetit të qytetarëve. Ai kujtoi se politikat efektive të varësisë dhe reduktimit të dëmit duhet të jenë pjesë integrale e strategjive shëndetësore kombëtare.

Përfshirja akademike dhe roli i studentëve ishte një tjetër aspekt i rëndësishëm në këtë konferencë.

Prof. Dr. Miranda Stavileci Veliu, prodekane në Fakultetin e Mjekësisë, nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në aktivitete të tilla, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim të hershëm mbi çështjet e shëndetit publik dhe varësive.

Paneli “Varësitë dhe qasjet moderne të reduktimit të risqeve”, i moderuar nga gazetarja shëndetësisë Freskida Miloti, solli një panoramë të qartë të sfidave dhe alternativave bashkëkohore në reduktimin e dëmit.
Dr. Roland Shuperka paraqiti shembullin e Suedisë, një vend që po i afrohet nivelit 5% të prevalencës së konsumit të duhanit falë politikave të reduktimit të dëmit dhe përdorimit të produkteve me risk të reduktuar. Ai u shpreh: “Nëse e ke provuar disa herë të lësh duhanin dhe nuk ke patur rezultat, është koha të orientohesh drejt alternativave më pak të dëmshme. Ministria e Shëndetësisë duhet t’i informojë qytetarët për këto mundësi dhe jo t’i ndalojë ato.”

Kardiologu Dr. Luan Perçuku theksoi rrezikshmërinë e duhanit me djegie, veçanërisht te të rinjtë dhe grupet në risk. Ai nënvizoi se produktet me djegie përmbajnë mbi 7 000 kimikate, nga të cilat 70 janë kancerogjene. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë: “Lëreni plotësisht duhanin dhe, nëse nuk arrini, kaloni në forma më pak të dëmshme të nikotinës.”

Dr. Rita Parashumti rikujtoi se ndërprerja e menjëhershme e duhanit, alkoolit apo substancave shpesh nuk është e realizueshme dhe se mbështetja përmes ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe alternativave të sigurta është e domosdoshme.
Ndërkaq, Kadri Bytyqi, kryetar i Odës së Farmacistëve, nënvizoi rolin e farmacistëve në këshillimin profesional dhe kontributin e tyre të drejtpërdrejtë në reduktimin e dëmit.

Diskutimet mbi stilin e jetesës morën një vend të rëndësishëm, me theks të veçantë mbi shëndetin mendor.
Dr. Vera Ora, psikiatre me përvojë në NHS në Mbretërinë e Bashkuar, solli reflektime mbi rolin e mendjes dhe ndikimin e saj në mirëqenie.

Si keynote speaker, Lifestyle Coach Saranda Dervisholli ndau përvojën e saj të lidhur me burnout-in, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit personal dhe të pranimit të kufijve që trupi sinjalizon përpara se të arrijë në tejlodhje.

Në panelin vijues për mirëqenien gjatë gjithë jetës, i udhëhequr nga Saranda Bujupi Rama, Prof. Dr. Elton Bahtiri, endokrinolog, theksoi se stili i jetesës është proces gradual që duhet të fillojë përpara shfaqjes së sëmundjeve.

Elma Miftari, specialiste e neuropsikologjisë klinike, prezantoi gjetje mbi neurogjenezën dhe aftësinë e trurit për t’u riorganizuar përtej ndërhyrjeve farmakologjike.

Paneli “Shëndeti mendor pas traumës: nga ndërgjegjësimi te rimëkëmbja”, i moderuar nga Kaltrina Ajeti, solli rekomandime të specialistëve mbi procesin e rimëkëmbjes dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike.

Sesioni përfundimtar iu dedikua rëndësisë së kontrolleve periodike dhe analizave laboratorike si pjesë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve.

Konferenca u mbyll me mesazhe të rëndësishme për të përqafuar qasjet e reduktimit të dëmit dhe kujdesin proaktiv ndaj shëndetit, duke u mbështetur në evidencat shkencore dhe praktikat e suksesshme ndërkombëtare.