Një regjim ushqimor i bazuar në modelin tradicional mesdhetar mund të lidhet me një ulje të konsiderueshme të rrezikut të goditjes në tru. Kështu sugjeron një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore Neurology Open Access.
Studimi është zhvilluar në Kaliforni, SHBA, dhe ka përfshirë 105,614 gra pa histori të mëparshme të goditjes në tru. Pjesëmarrëset janë ndjekur për një periudhë mesatare prej 21 vitesh.
Gjatë kësaj kohe, mënyra e tyre e ushqyerjes është vlerësuar përmes një sistemi pikëzimi nga 0 në 9. Një pikëzim më i lartë tregonte për përputhje më të madhe me parimet e dietës mesdhetare.
Çfarë treguan rezultatet?
Pas analizimit të të dhënave dhe kontrollit të faktorëve të tjerë ndikues si duhanpirja, aktiviteti fizik dhe hipertensioni arterial, u vu re se gratë me pikëzimin më të lartë kishin:
• 18% rrezik më të ulët për goditje në tru në përgjithësi.
• 16% ulje të rrezikut për goditje ishemike, e shkaktuar nga bllokimi i qarkullimit të gjakut në tru.
• 25% ulje të rrezikut për goditje hemorragjike, që ndodh si pasojë e çarjes apo dëmtimit të enëve të gjakut në tru.

Këto të dhëna sugjerojnë një lidhje të fortë mes modelit ushqimor dhe shëndetit cerebrovaskular.
Çfarë përfshin dieta mesdhetare?
Dieta mesdhetare bazohet kryesisht në konsum të lartë të:
• Perimeve dhe frutave të stinës
• Legume dhe drithëra të plota
• Arra dhe fara
• Peshk dhe produkte deti
• Yndyrna të shëndetshme si vaji i ullirit.
Ndërkohë rekomandohet kufizimi i mishit të kuq, ushqimeve të përpunuara dhe yndyrnave të ngopura. Në disa variante tradicionale përfshihet edhe konsum i moderuar i verës së kuqe gjatë vakteve.
Interpretimi klinik dhe kufizimet
Është e rëndësishme të theksohet se ky është një studim vëzhgues. Kjo do të thotë se ai tregon një lidhje mes dietës dhe rrezikut më të ulët për goditje në tru, por nuk provon drejtpërdrejt shkak-pasojën.
Megjithatë, rezultatet përforcojnë evidencat ekzistuese se ushqyerja e shëndetshme luan rol kyç në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare.
Goditja në tru mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në nivel global. Identifikimi i faktorëve të modifikueshëm si dieta dhe stili i jetesës është thelbësor për strategjitë parandaluese në popullatë.
Në raportimin e publikuar nga The Guardian mbi këtë studim të botuar në Neurology Open Access, theksohet se përfitimet e dietës mesdhetare mund të lidhen me efektin e saj anti-inflamator, përmirësimin e profilit lipidik dhe mbrojtjen e enëve të gjakut.
Një reduktim i rrezikut me 18–25% konsiderohet klinikisht i rëndësishëm, veçanërisht tek gratë, ku rreziku rritet me moshën dhe praninë e faktorëve të tjerë shëndetësorë. Adoptimi i një modeli ushqimor të balancuar dhe të qëndrueshëm mbetet një ndër ndërhyrjet më të thjeshta, por me ndikim të madh në shëndetin afatgjatë.

Përktheu dhe përgatiti: Dajana Zenelak







