Magnezi për trajtimin e kapsllëkut: Si përdoret në mënyrë të sigurt dhe efektive.

Kapsllëku është një ndër shqetësimet më të zakonshme të aparatit tretës. Shumica e njerëzve e përjetojnë të paktën një herë në jetë. Përveç parehatisë fizike, kapsllëku mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë dhe stilin e jetës.
Një nga alternativat që përdoret shpesh për lehtësimin e tij është magnezi.

Por si funksionon dhe kur duhet përdorur?

Magnezi është një mineral thelbësor që merr pjesë në shumë procese jetike: rregullimin e funksionit të muskujve dhe nervave, nivelit të sheqerit në gjak dhe tensionit arterial. Kur përdoret për kapsllëkun, magnezi vepron si laksativ osmotik. Ai ndihmon zorrën e hollë të përthithë më shumë ujë, duke zbutur feçet dhe duke nxitur lëvizjet peristaltike të zorrëve në mënyrë të tillë që kontraksionet natyrale që mundësojnë jashtëqitjen.

Reklame
Reklamë

Pse shfaqet kapsllëku?

Shkaqet e kapsllëkut janë të shumta dhe përfshijnë:

  • Marrje të pamjaftueshme të fibrave dhe hidratimit;
  • Mungesë e theksuar aktiviteti fizik;
  • Çrregullime si sindroma e zorrës së irrituar (IBS);
  • Çrregullime hormonale;
  • Përdorimin e disa medikamenteve.

Ndër medikamentet që shpesh shoqërohen me kapsllëk janë opioidët dhe medikamentet e reja për dobësim dhe diabet të grupit GLP-1. Medikamente të tilla përdoren gjerësisht për trajtimin e diabetit tip 2 dhe obezitetit. Ato ndikojnë në hormonin që stimulon prodhimin e insulinës, por njëkohësisht ngadalësojnë zbrazjen e stomakut dhe lëvizjen e ushqimit në traktin tretës. Kjo do të thotë se ushqimi qëndron më gjatë në zorrë duke humbur më shumë ujë dhe duke u bërë më i fortë, çka çon në kapsllëk si efekt anësor.
Në këto raste, magnezi mund të jetë një alternativë relativisht e sigurt për lehtësimin e simptomave, pasi është një mineral që organizmi e përdor natyrshëm në proçese të ndryshme biologjike.

Por si të përdoret magnezi në mënyrë të sigurt?

Edhe pse magnezi konsiderohet përgjithësisht i sigurt, përdorimi i tij duhet të jetë i kujdesshëm dhe i këshilluar nga mjeku, veçanërisht nëse përdorni medikamente të tjera, keni probleme me veshkat apo jeni në trajtim afatgjatë për sëmundje kronike.

Mjeku mund të rekomandojë fillimisht masa më natyrale, si:

  • Rritje të konsumit të ushqimeve të pasura me fibra dhe hidratim optimal;
  • Aktivitet fizik të rregullt;
  • Ndryshime në dietë.

Nëse këto nuk mjaftojnë, mund të sugjerohet përdorimi i magnezit ose laksativëve të tjerë.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?

Nëse kapsllëku zgjat për më shumë se disa javë, shoqërohet me dhimbje të forta barku, gjak në feçe apo humbje peshe të pashpjegueshme, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun. Këto mund të jenë shenja të një problemi shqetësues.
Magnezi mund të jetë një zgjidhje efektive dhe relativisht e sigurt për kapsllëkun, veçanërisht kur ai lidhet me stilin e jetesës apo si efekt anësor i disa medikamenteve. Megjithatë, ai nuk zëvendëson vlerësimin mjekësor. Identifikimi i shkakut është hapi i parë drejt trajtimit të duhur. Kujdesi ndaj ushqyerjes, hidratimit dhe aktivitetit fizik mbetet themeli i një sistemi tretës të shëndetshëm.

Përktheu dhe përgatiti: Dajana Zenelak