Më 25 mars 2026, u zhvillua Konferenca Kombëtare “Siguria dhe Shëndeti në Punë nën lupën e BE-së”, një aktivitet që mblodhi rreth 160 pjesëmarrës nga institucionet publike, komuniteti i biznesit dhe fusha e mjekësisë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e zbatimit të standardeve në vendin e punës.

E moderuar nga gazetarja Freskida Miloti, konferenca solli një qasje të integruar mes ligjit, praktikës dhe realitetit të përditshëm të bizneseve shqiptare.
Nga detyrim ligjor në vlerë reale për biznesin.
Në fjalën e hapjes nga organizatorja dhe drejtuesja e Wellnes Albania Clinic, njëherësh Drejtoresha mjekesore Dr. Arjana Sina foli për rëndësinë që ka mjeku i punës jo vetëm si një detyrim që duhet përmbushur por edhe si një investim që duhet kuptuar.

Diskutimet theksuan se siguria dhe shëndeti në punë nuk janë më thjesht një kërkesë ligjore, por një element strategjik për:
- rritjen e produktivitetit
- uljen e mungesave në punë
- minimizimin e rreziqeve operacionaleKonferenca vijoi me panelin e parë me temën: Ligji, politikat publike dhe sfidat e zbatimit.
Ky panel u fokusua në kuadrin ligjor dhe institucional dhe njëkohësisht në aspektin akademik, duke analizuar hendekun mes legjislacionit dhe zbatimit në praktikë.

Në panel ishin:
- Eugena Tomini, Zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila foli për strategjinë dhe standardet europiane në mjekësinë e punës.
- Irida Qosja, nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, që theksoi detyrimet ligjore dhe pasojat e moszbatimit.
- Ilir Alimehmeti, i cili trajtoi sfidat akademike dhe profesionale në këtë fushë.

Diskutimi evidentoi se, pavarësisht ekzistencës së një kuadri të plotë ligjor, sfida kryesore mbetet zbatimi real dhe jo formal, apo edhe rishikime të mëtejshme nga rekomandimet e ekspertëve.

Paneli i dytë solli fokusin tek përditshmëria e bizneseve dhe ndikimi konkret i mjekësisë së punës.
Ndër panelistët ishin:
- Irena Jahja, nga Inspektoriati Shëndetësor, që trajtoi aspektet e kontrollit dhe sfidat institucionale.
- Dorinela Ndrejaj, eksperte e sigurimeve, e cila theksoi rolin e sigurimit në mbrojtjen e kapitalit njerëzor.
- Artan Koxhuku, përfaqësues i sektorit të biznesit, që ndau përvojë konkrete nga menaxhimi i burimeve njerëzore.

Ky panel e zhvendosi diskutimin nga teoria drejt praktikës, duke nënvizuar se:
“Një mjek pune formal mbron dokumentin. Një mjek pune real mbron njerëzit.”
Në konferencë u zhvillua edhe workshop-i praktik, i drejtuar nga Ilia Baxho dhe Dritan Balaj.
Në këtë sesion u prezantua:
- një rast real sesi një kompani shqiptare duhet të plotësojë kartelën.
- rekomandime të zbatueshme menjëherë nga bizneset.

Ky segment e ktheu konferencën nga një forum diskutimi në një instrument praktik për vendimmarrje.
Konferenca vuri në fokus edhe bazën ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë në Shqipëri, duke përfshirë:
- Ligjin nr. 10237 “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”
- Kodin e Punës
- Ligjin për Inspektimin e Punës
U theksua se çdo kompani ka detyrimin të sigurojë:
- shërbimin e mjekut të punës
- vlerësimin e rreziqeve
- trajnimin e punonjësve
- pajisjet dhe dokumentacionin e sigurisë.

Një hap drejt standardeve europiane.
Konferenca solli një mesazh të qartë:
Siguria dhe shëndeti në punë nuk janë vetëm një detyrim ligjor, por një investim në qëndrueshmërinë dhe suksesin e organizatave.
Në përmbyllje, u theksua se: një vend pune i sigurt nuk është vetëm më i drejtë, por edhe më i suksesshëm në përputhje me modelet dhe standardet e Bashkimit Europian.
Një qasje konkrete: nga teoria në praktikë.
Në fund të aktivitetit, për të nxitur zbatimin praktik të njohurive, u organizua një shorte, ku tre biznese përfituan shërbimin e mjekut të punës falas nga Wellnes Albania Clinic për një periudhë të caktuar.
Ky element simbolizoi qasjen e gjithë konferencës: jo vetëm të informojë, por të nxisë veprim konkret.

Konferenca “Siguria dhe Shëndeti në Punë nën lupën e BE-së” konfirmoi se bashkëpunimi mes institucioneve, ekspertëve dhe biznesit është thelbësor për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të sigurisë në vendin e punës.




















